Trondit avokati i familjes së Martin Canit: Ishin 2 autorë që sulmuan fëmijët, policia t’i japë familjes pamjet e ngjarjes

Trondit avokati i familjes së Martin Canit: Ishin 2 autorë që sulmuan fëmijët, policia t’i japë familjes pamjet e ngjarjes

Avokati i familjes së 14-vjeçarit Martin Cani që u vra pas sherrit fatal në afërsi të shkollës “Fan Noli”, Redi Ramaj, ka bërë thirrje në studion e News24 për drejtësi dhe transparencë të plotë mbi ngjarjen tragjike.
Ai theksoi se familjarët e viktimës kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes që nga momenti i parë, por deri më tani janë përballur me kontradikta dhe mungesë qartësie nga organet hetimore.
Sipas avokatit, ka paqartësi në lidhje me numrin e autorëve të përfshirë në incident. Fillimisht janë raportuar tetë autorë, ndërsa aktualisht flitet për tre. Ai theksoi se deklaratat e dëshmitarëve, përfshirë një tjetër fëmijë të plagosur, duhet të trajtohen me seriozitet. Në dëshmitë e tyre, thuhet se viktima është goditur edhe nga një person tjetër përveç autorit të shpallur deri tani.
Një çështje e rëndësishme e ngritur nga avokati është mungesa e qasjes së familjarëve në pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Ai tha se familja kërkon të njihet me këto prova për të arritur qetësinë dhe të kuptojë më mirë rrethanat e tragjedisë.
Ramaj nënvizoi se Prokuroria, e cila tashmë po drejton hetimet, duhet të orientojë procesin në mënyrë të drejtë dhe të detajuar. Një tjetër pikë e rëndësishme që kërkon vëmendje është hetimi i mundësisë së përfshirjes së të rriturve në këtë konflikt fatal.
“Familjarët e të ndjerit kërkojnë drejtësi që në ditën e parë. Nga organet shtetërore nuk kemi pasur transparencë të plotë për ngjarjen. Është një ngjarje e rëndë që nuk duhet të ishte zbardhur vetëm për familjarët e Martin Canit, por për gjithë shoqërinë, e cila kërkon drejtësi. Shpresoj dhe besoj se policia do bëjnë detyrën e tyre.Pretendimi i familjarëve është që nuk ka transparencë dhe ka kontradiktë në deklaratat e policisë. Fillohet me 8 autorë dhe pastaj dalin 3. Vetë deklarimet e të plagosurit, fëmijës tjetër që tha se u godit edhe nga një person tjetër veç autorit duhet të sqarohen. Luisi i ka thënë që ditën e parë informacionet e tij.Ka edhe diçka për kamerat dhe pamjet filmike. Familjarët kërkojnë të njihen me pamjet, për të gjetur edhe ata qetësinë që u takon. Është lënë edhe një thirrje për babain e viktimës për t’u thirrur si dëshmitar. Prokuroria tashmë që po drejton hetimet duhet të orientojë të gjithë procesin. Duhet të hetohet po ashtu nëse ka patur apo jo të rritur që janë përfshirë në këtë sherr”, u shpreh ai.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente