Triumfi në Paris; pse kryeministri Rama manipulon për mercenarët rusë?
Chermen Akhsarbekovich Valiev quhet sportisti që i dhuroi medaljen e bronzit Shqipërisë në Lojërat Olimpike në Paris. 26-vjeçari nga Osetia Veriore, me emrin aspak të lehtë për t’u fiksuar në memorie, e fitoi medaljen në mundje, stil i lirë.
Për Shqipërinë kjo ishte e para medalje në lojërat olimpike.
Të nesërmen, (e dielë) çeçeni Islam Dudaev përsëriti suksesin. Edhe ai mori medalje bronzi në mundje, që vlen po aq për t’u bërë pjesë e historisë modeste të vendit tonë. (foto poshtë)
Si Çermeni, ashtu edhe Islami sapo kishin provuar shijen e fitores në Paris, kur ka ndodhur një ndërhyrje gati brutale nga politika e Tiranës për t’ia vjedhur në një farë mënyre suksesin ekipit të mundjes.
Ishte Edi Rama që përshëndeti fitoren e Valiev me një mesazh të parë, ku ndjehej gjithandej ritmi i refrenit bajat “kjo nuk do të ishte bërë e mundur pa fitoren e partisë socialiste”.
Në përgjithësi, përpjekjet e politikës për të vjedhur diç nga triumfi dhe lavdia e sportit, lënë një shije të hidhur. Por po ta gjykosh ftohtë, nga mënyra si e shtroi kryeministri çështjen, s’ke si ta kundërshtosh.
“Shqipërisë,-shkruante Rama në mesazhin e parë,- jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale”Në mesazhin e dytë, ai flet për një garë që ka mes skuadrave të Europës. Edhe vendet e tjera janë në kërkim të sportistëve që i sjellin medalje.
“Në kohët e sotme,- shkruan ai,- në plot skuadra kombëtare të vendeve të Europës, në gjithëfarë disiplinash sportive, ka sportistë të lindur gjetkë dhe të birësuar nga vende të ndryshme për të arritur sa më shumë rezultate për flamujt e tyre, po as nuk kanë si ta dinë se çfarë gare bëhet nga federatat e komitetet olimpike për birësimin e këtyre talenteve”.Faktet i japin të drejtë. Dy mundësit, Dudaev dhe Valiev do të marrin secili nga 50 mijë euro shpërblim. Pas shpërblimitdo t’u ofrohet edhe një vend pune në ushtrinë shqiptare, në gradën “kolonel”. Nëse pranojnë, kjo përkthehet në një rrogë të mirë dhe një pension po aq të lakmuar.
Nëse qeveria e Ramës nuk do ta kishte hapur thesin, a do vinin sportistët, njëri nga Osetia e Veriut dhe tjetri nga Çeçenia për të garuar për Shqipërinë? Sigurisht që JO!
Prandaj kur mburret, në stilin tipik të recitimeve krenariste, për kontributin e tij në garën e Parisit, Rama nuk flet pa baza. Dy mundësit nuk kanë asnjë lidhje në origjinë, histori apo kulturë më Shqipërinë. E vetmja arsye që janë këtu janë kushtet që u plotëson qeveria.
Në mesazhin që shkroi, kur uroi medalistin e parë Chermen Akhsarbekovich Valiev, kryeministri Rama shkruan edhe për “një histori të re që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë”.Vitet e fundit, askush nuk ka dëgjuar për ndonjë “lëvizje masive sportive për fëmijët”, që mund të nisë një histori të re.
Eshtë e vërtetë se është folur shumë për rikthimin e basteve sportive nga të cilat mund të ketë një shtim të investimeve në sport. Por kjo nuk ka ndodhur ende.
Edhe në statusin e dytë, kur i përgjigjej Berishës për medaljet e Parisit, Rama vazhdoi të përmendë “kultivimin e farës së lëvizjes sportive nga moshat më të vogla”.
“Sporti kombëtar nuk ngrihet as me frymën e shenjtë, as me dritëshkurtësinë kinse patriotike të mizës nën kësulën politike e të mushkonjave që i shkojnë mbrapa, e as thjesht e vetëm pse do një qeveri e radhës, po ngrihet me vizion e strategji afatgjatë, duke kultivuar farën e lëvizjes sportive nga moshat më të vogla dhe duke u mbështetur në partneritete të forta me Komitetin Olimpik të vendit apo Federatën e Futbollit” propagandoi ai.Ndryshe nga çfarë lëshohet në mesazhet e propagandës bajate, e vetmja “farë që ka kultivuar” qeverisja e Ramës vitet e fundit është ajo e kullave dhe kazinove që shtohen dita-ditës në Tiranë. Në të kundërt, fushat e sportit thuajse janë zhdukur. Aty ku nuk ndërtohet një pallat, hapësirat shndërrohen sa hap e mbyll sytë në parkingje makinash. Palestrat e shkollave janë të vetmet hapësira ku gjallon sporti për moshat e vogla.
Vetë fakti që Shqipëria paguan para për të blerë sportistë të huaj dhe arrin nëpërmjet tyre tek medaljet e Lojërave Olimpike, është prova më e mirë e dështimit me talentet e moshave të reja. Në Shqipëri, talentet nuk zhvillohen dhe e vetmja mënyrë për të garuar në nivel ndërkombëtar është stërvitja në klubet e huaja.
Prandaj dhe triumfi i parë i Chermen Akhsarbekovich Valiev u shoqërua me polemika. Sepse ai është zbuluar si talent dhe është zhvilluar më pas në palestrat e Osetisë së Veriut. Vërtet ngriti flamurin shqiptar në Paris dhe për këtë do të shpërblehet mirë. Por më shumë se shqiptarët, ai ka bërë krenarë trajnerët e tij në Osetinë e largët./ Lapsi
Burimi