Tetë fuqitë më të mëdha të botës në vitin 2025, pikat e forta dhe të dobëta të tyre

Tetë fuqitë më të mëdha të botës në vitin 2025, pikat e forta dhe të dobëta të tyre

 

Dobësia kryesore e SHBA-së është sistemi i saj politik, i cili është i vjetruar dhe i dominuar nga konflikti politik…

1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës
SHBA-ja e fitoi këtë status që në vitin 1918, kur fuqia e saj ushtarake filloi të zgjerohej me shpejtësi, dhe kur nisi të përfitonte nga madhësia dhe sofistikimi i ekonomisë së saj. Ajo zotëron ushtrinë më të fuqishme në botë, dhe është e vetmja që mund të kryejë operacione në çdo kohë dhe në çdo kontinent.
Sistemi i aleancave të saj bazohet tek marrëdhëniet transatlantike (me Britaninë dhe Evropën) dhe marrëdhëniet trans-paqësore (me Japoninë, Tajvanin dhe Korenë e Jugut). Nga pikëpamja demografike, përballet me një të ardhme të pasigurt (sidomos duke pasur parasysh qëndrimin gjithnjë e më armiqësor ndaj emigrantëve), por është në një pozitë më të mirë se gati të gjithë konkurrentët e saj kryesorë.
Dobësia kryesore e SHBA-së është sistemi i saj politik, i cili është i vjetruar dhe i dominuar nga konflikti politik. Angazhimi i administratës së re Trump ndaj demokracisë dhe çështjeve globale, është në pikëpyetje serioze. Gjithsesi, Shtetet e Bashkuara janë një vend i madh, shumë  i pasur dhe i fuqishëm, ndaj do të mbeten në krye të botës për të ardhmen e parashikueshme.
2. Kina
Trajektoret ekonomike dhe sidomos ato demografike të Kinës, kanë qenë kryesisht negative gjatë dekadës së fundit, duke ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me qëndrueshmërinë e modelit të saj të zhvillimit. Sistemi politik i Kinës, ka përjetuar një revolucion të qetë, me qeverisjen e një njeriu që zëvendësoi modelin kolegjial, i cili funksionoi mirë që nga fillimi i viteve 1980.
S’ka dyshim se Kina është bërë një fuqi ushtarake e klasit të parë. Edhe pse teknologjia e saj mbetet prapa asaj të SHBA-së, hendeku po ngushtohet. Dobësia më e madhe e Kinës, ka qenë gjithmonë mungesa e aleancave të forta. Ajo nuk është zhdukur, megjithatë Pekini ka përfituar nga lufta Rusi-Ukrainë për t’u lidhur më ngushtë me Rusinë. Po ashtu, e ka forcuar ndikimin ekonomik në Azinë Qendrore dhe Afrikë.
3. Rusia
Duke qenë një fuqi e klasit të parë që nga Luftërat Napoleonike, Rusia është përpjekur të ruajë statusin e saj në skenën ndërkombëtare. Pavarësisht shembjes së Bashkimit Sovjetik, ajo bazohet tek madhësia e madhe gjeografike, burimet e mëdha natyrore dhe armët bërthamore.
Pushtimi i Ukrainës, u pa si shenjë e rikthimit të bujshëm në skenën globale. Po dështimi i mposhtjes së shpejtë të Kievit, ka nxjerrë në pah dobësinë e Rusisë dhe e kanë ekspozuar popullsinë dhe ekonominë e saj ndaj dëmeve serioze. Sanksionet po e falimentojnë dalëngadalë ekonominë rusë. Megjithatë, disa nga avantazhet e Rusisë mbeten aty.
4. Japonia
Japonia po e rivendos gradualisht veten pranë rangut të fuqive të mëdha botërore. Edhe pse e dëmtuar nga borxhi i lartë dhe një rritje ekonomike e dobët, mbetet një nga vendet më të përparuara teknologjikisht. Aleanca SHBA-Japoni, është pakti i dytë më i rëndësishëm ushtarak në botë.
Japonia ka lidhje të forta ekonomike dhe teknologjike me Evropën. Ashtu si shumica e vendeve të tjera në këtë listë, edhe Japonia ka një problem demografik serioz. Gjithsesi fuqia japoneze, është një realitet gjithnjë e më i pashmangshëm në Azinë Verilindore.
5. India
Një nga vendet e pakta me një themel demografik të mirë, India ka nisur gjatë 2 dekadave të fundit të krijojë profilin e një fuqie të madhe. Ajo po rritet me një ritëm shumë të lartë, ndërsa sistemi politik relativisht i hapur ka stimuluar kompanitë teknologjike inovative.
Në aspektin ushtarak, India është në armiqësi të hapur me Kinën, dhe ka marrëdhënie të forta me Britaninë, Francën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, që i japin asaj qasje në teknologjinë më moderne. Sigurisht që ka edhe probleme. Shumë pjesë të ekonomisë së Indisë mbeten sklerotike dhe të varfra, duke gjeneruar trazira politike dhe sociale. Qëndrueshmëria e institucioneve demokratike është dobësuar shumë, edhe pse mbetet më demokratike se Rusia apo Kina.
6. Franca
E angazhuar në ruajtjen e prestigjit të saj ndërkombëtar, udhëheqja franceze ka luajtur prej kohësh një lojë të zgjuar dhe oportuniste për të siguruar një zë në çështjet më të rëndësishme botërore. Sigurisht, Franca e ka humbur pozicionin në Sahel që e mbante për gati 2 shekujsh.
Pozicioni demografik i Francës është më i mirë në krahasim me konkurrentët e saj. Politika franceze mbetet shumë e polarizuar, sidomos mbi fenë dhe emigracionin. Por në disa aspekte, Franca është në pozitën më të fortë që prej një shekulli. Pas Brexit, ajo është forca lëvizëse kryesore në Bashkimin Evropian. Ka ende arsenalin e saj bërthamor, aftësi të mira ushtarake, një bazë të fuqishme industriale dhe marrëdhënie të forta tregtare në të gjithë botën.
7. Britania e Madhe
Brexit është një nga tre gabimet e mëdha gjeostrategjike të shekullit XXI, pas pushtimit amerikan të Irakut dhe pushtimin rus të Ukrainës. Ekonomia britanike është sot më e dobët, dhe sistemi politik vuan nga mosfunksionimi dhe besnikët e BE-së në Skoci dhe Irlandën e Veriut.
Edhe pse teknologjikisht e avancuar dhe ende e fuqishme, ushtria vuan prej dekadash nga një krizë financimi, e cila nuk ka mbaruar ende. Gjithsesi, Britania vazhdon të ruajë një shkallë epërsie, që vazhdon prej gati 3 shekujsh. Mbetet një vend i pasur, me një industri mbrojtjeje të fuqishme, arsenal armësh bërthamore dhe një treg financiar shumë dinamik.
8. Koreja e Jugut
Në këtë pozicion mund të renditen disa vende si Arabia Saudite, Turqia, Brazili dhe Gjermania, Malajzia, Indonezia, Pakistani dhe Kanadaja. Por për këtë vit garën e fiton Koreja e Jugut, pasi është bërë një lojtare kryesore në disa fusha jetike për sigurinë globale. Ajo ka ndërtuar një ekonomi novatore dhe të suksesshme.
Po ndërton një ushtri të madhe, të aftë për operacione të gjera, dhe është një nga eksportueset kryesore të armëve, rivale për tregjet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane. Koreja e Jugut është ndoshta shteti më i mundshëm për t’iu bashkuar klubit të vendeve bërthamore, edhe pse ky hap bart rreziqe të mëdha.
Sigurisht, jo gjithçka shkon mirë. Ashtu si shumë nga vendet e tjera në këtë listë, edhe Seuli po përballet me një krizë demografike, që sipas disa parametrave është më e keqe nga çdo vend tjetër i zhvilluar ose në zhvillim./Pamfleti nga “19FortyFive”

Shënim: Dr.Robert Farley, ekspert mbi çështjet e sigurisë, diplomacisë dhe ato ushtarake. Lektor në Shkollën Patterson dhe analist në disa nga mediat kryesore amerikane.
tetë fuqitë më të mëdha të botës pikat e forta pikat e dobëta
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente