Tentoi vetëvrasjen para SPAK, si mashtruesit e MCA i bllokuan pronat Pal Trashajt për 76 mijë lekë kredi; në valle edhe BKT
Pal Trashaj
Në valle duket se ka hyrë dhe BKT, e cila i ka bllokuar llogarinë e pagës zotërisë…
Dalin detaje të tjera tronditëse nga ajo që ndodhi sot para dyerve të SPAK. Pal Trashaj tentoi t’i japë fund jetës për shkak ta mikrokredive. Ai kishte një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë të vjetra te NOA.
Kredinë e Pal Trashajt e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet gjithçka: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën ku punonte. Trashaj kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai pretendonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme.
Ndërkohë në valle duket se ka hyrë dhe Banka Kombëtare Tregtare, e cila i ka bllokuar llogarinë e pagës zotërisë. Ndërkohë në një dokument të dalë në media, duket se përmbarues është Helidon Xindi, një nga emrat që ka dalë te dosja e prokurorisë për aferat e Microcredit Albania. Vetë BKT në një përgjigje që i ka kthyer Trashjt, shprehet se është detyruar të zbatojë vendimin e përmbaruesit mashtrues.
“Mbështetur në shkresën tuaj protokolluar pranë nesh më Dt. 05.07.2022, në lidhje me kërkesën për “Lirimin e llogarive vendosur mbi llogaritë tuaja nga zyra përmbarimore Helidon Xhindi”, ju informojmë se: Pozita dhe roli i bankës në këtë proces është e natyrës pasive dhe është e detyruar të zbatojë urdhërat përmbarimore, duke respektuar Udhëzimin Nr.2 të BSH-ës dhe legjislacionin në fuqi. BKT zbaton ekzekutimet e Urdhrave Përmbarimore (Urdhër për Vendosje Sekuestro, Ekzekutive, Urdhër për Heqje Sekuestro) të cilat janë të lëshuara nga Përmbarues Privat Gjyqësorë të licensuar nga Ministria e Drejtësisë. Sqarojmë që urdhri për vendosje sekuestro mbi llogaritë tuaja është urdhëruar nga përmbaruesi Helidon Xhindi i cili rezulton me liçensë të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”, thotë BKT.
Nga ana e saj, vetë SPAK padinë e tij e ka kaluar në një tjetër prokurori dhe qytetari sot nuk është përfillur fare. Ai ka kërkuar takim me një hetues të BKH, por ata e lanë me orë të tëra jashtë dhe më pas, qytetari u detyrua të kryejë aktin ekstrem. Pra, duket se hajdutët e mikrokredive jo vetëm që po shkatërrojnë familje, por po rrezikojnë të marrin dhe jetë. /Pamfleti