Tentativë për grusht shteti në Bolivi, ushtria mësyn në pallatin presidencial (Video)
Një tentativë për grusht shteti është duke u zhvilluar aktualisht në Bolivi. Një grup ushtarësh të drejtuar nga ish-komandanti i ushtrisë Juan José Zuñiga, hynë në pallatin qeveritar në kryeqytetin La Paz ku ishte presidenti Luis Arce me gjithë kabinetin e tij.
Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga transmetuesi Telesur treguan një automjet të blinduar drejt derës kryesore të ndërtesës dhe vetë gjenerali Juan José Zúñiga që hynte në ndërtesë i shoqëruar nga ushtarë të armatosur me fytyrat e mbuluara. Para se të futej në ndërtesë, Zuñiga bëri një deklaratë publike në sheshin Murillo ku bëri thirrje për dorëheqjen e Presidentit Luis Arce dhe të gjithë qeverisë.
Ai shtoi se një qeveri e re do të emërohet së shpejti sepse “vendi nuk mund të vazhdojë kështu”.
Nënkryetari i Bolivisë David Choquehuanca tha se një “grusht shteti” ishte duke u zhvilluar kundër qeverisë së Luis Arce.
“Ne denoncojmë në komunitetin ndërkombëtar se një grusht shteti është duke u zhvilluar në Bolivi kundër qeverisë sonë të zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha ai.
Ish-kreu i shtetit Evo Morales u bëri thirrje qytetarëve dhe lëvizjeve politike të dalin në rrugë.
Burimi