Të mërkurën homazhe për Kadarenë, ceremoni shtetërore në nder të shkrimtarit

Të mërkurën homazhe për Kadarenë, ceremoni shtetërore në nder të shkrimtarit

Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare do të përcillet të mërkurën për në banesën e fundit. Ditën e mërkurë do të zhvillohen homazhe në nder të tij. Mësohet se Kryeministria ka marrë përsipër organizimin e ceremonisë, e cila do të organizohet sipas protokollit shtetëror. Sot dhe nesër do të jenë familjarët ata që do të i japin lamtumirën Kadaresë, ndërsa të mërkurën, politikanë, artistë, qytetarë të thjeshtë dhe kushdo tjetër pritet të bëhen pjesë e homazheve.
Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Aëards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem, e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.
Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”. Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea. “Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”.
Burimi