“Të lavdishëm, por kokëbosh”, Haxhi Kroi: Çfarë tregonte Enveri për Haxhi Lleshin e Myslim Pezën

“Të lavdishëm, por kokëbosh”, Haxhi Kroi: Çfarë tregonte Enveri për Haxhi Lleshin e Myslim Pezën

 

Si u ndaluan Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza të hyjnë te vila e Enverit… 

Pjesa e Gjashtë
Vijon nga Pjesa e Pestë
Haxhi Kroi, njeriu që ka punuar katër dekada në zyrën e Enver Hoxhës, është nga të rrallët që ka njohur raportet misterioze të kreut të regjimit me bashkëpunëtorët e afërt, duke filluar nga anëtarët e Byrosë Politike, qeveritarët e deri te drejtuesit lokal. Në ato që ai ka hedhur në ditar, zbulohet fakti që për çdo syresh Hoxha rezervonte një opinion të dyzuar, me dy qasje të kundërta. Legalisht, në publik çdo njeri për të ishte i lavdishëm, i shquar, konseguent; në konfidencë hileqar, i pamoralshëm, bukëshlaë, kokëbosh etj. Përçmimi i tij madje, nuk shterte as në raste vdekjesh. Në një shënim të datës 1 qershor ‘76, Haxhi Kroi, ndërsa flet për njoftimin që i ka dhënë Hoxhës për vdekjen e Mustafa Pajengës, ish anëtar i KQ që nga Kongresi i III dhe sekretar i Parë në disa rrethe për shumë vite, nënvizon reagimin shpërfillës të udhëheqësit shpirtëror, që aty për aty e ka befasuar me konsideratat e pahijshme për të ndjerin. “Shoku  Enver më porositi, shkruan Kroi, t’i bëja një telegram me terma shumë të kufizuar, mbasi kohët e fundit ka bërë shumë gabime dhe flitet se e ka patur grurë me Beqir Ballukun dhe shokët e tij.” Në kujtimet e shefit të kabinetit të kreut të regjimit, ka një mori rastesh të përçundimit që u bën ky i fundit liderëve të tjerë. Manjak i kësaj sjellje pervese, Hoxha nuk kursen as figurat historike, Haxhi Lleshi e Myslim Peza, për të cilët në publik ka derdhur prej vitesh vlerësime nga më pozitivet. Çuditërisht këta “tribunë të shquar”, siç del në shënimet e Kroit,  për udhëheqësin kanë qënë edhe burra të vegjël, madje imoralë si rasti i Lleshit që “shkonte me sekretaren e tij” dhe fudullë si Babë Myslimi “që mburret me luftën”, por “nuk ka qënë aq trim”. Nga shënjestra e konsideratave të tilla, nuk kanë shpëtuar sakaq as udhëheqësit e tjerë, duke filluar nga Balluku, Hazbiu e deri te Mehmet Shehu, kur ende nuk ishte shpallur poliagjnet. Në ditar Kroi veçon një tjetër episod të pakëndshëm në marrdhëniet me Haxhi Lleshin “Presidentin veteran”, i cili nuk ka denjuar të marrë pjesë në Kongresin e Bashkimeve Profesionale të 9 qershorit 1982, pa mësuar nëse do të shkonte Enveri(!) apo jo. “Këtu ka një dozë mëndjemadhësie e fudullëku, shkruan sekretari i kreut të Partisë, duke përçmuar pretendimin e Lleshit për një trajtim si të Enverit.
Haxhiu e Myslim Peza s’lejohen të hyjnë te vila e Enverit
Pak javë para se festës së 75 vjetorit të lindjes, Enver Hoxha përsoi një tjetër goditje në zemër. Situata e krijuar në vigjilje të ceremonisë jubilare, diktonte ndryshime që së pari preknin protokollin e të ftuarve. Si asnjëherë tjetër është porostur reduktimi në maksimum i pjesmarrësve që do të shkonin për të uruar udhëheqësin. Përtej këtij fakti të panjohur, ditari i Haxhi Kroit, bën të ditur të tjera detaje rreth përjetimeve të krerëve të lartë nga kjo festë e veçantë, ku fluksi i urimeve për shëndetin e udhëheqësit tronditur rishtas, eklipsonte si asnjëherë atë për ditlindjen. Sipas kujtimeve të sekretarit personal të Hoxhës, për rrethanat e krijuara nga sëmundja e papritur, por jo vetëm, në festimet e 75 vjetorit, ka marrë pjesë vetëm një grup i vogël liderësh të lartë. Në shënimin e datës 15 tetor 1983, Kroi, pohon se ka njoftuar vet sipas porosisë të anëtarët e Byrosë Politike, ndërkohë që Ramiz Alia kishte lajmëruar anëtarët e Presiduiumit të Kuvëndit Popullor. Përveç këtyre, sipas tij ishin njoftuar me ftesë të veçantë Haki Toska, Pilo Pelisteri, Spiro Koleka e Shefqet Peçi, të cilët kohët e fundit kishin dalë në pension. Ndryshe nga herët e tjera, në këtë jubile të “Komandantit” ishin përjashtuar dy nga bashkëpuëtorët e hershëm të tij, të cilëve nuk u kishte rënë vetëm shkëlqimi i dikurshëm, por edhe besimi i kupolës së Partisë. Shënimet e shefit të kabinetit të Hoxhës, zbulojnë një fakt interesant: Me porosi të Ramiz Alisë dhe të Nexhmije Hoxhës, Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza janë lënë jashtë protokollit të vizitorëve VIP që do të uronin Enverin në shtëpi në 16 tetor 1983 me rastin e 75 vjetorit të lindjes.
Bezdia nga bashkëpunëtorët
Në vitet e fundit të jetës, Enver Hoxha bezdisej nga prania e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve. Në zyrën e tij në KQ, siç dëshmon Haxhi Kroi, veç tij, Ramiz Alisë dhe Nexhmijes, shumë rrallë futej ndonjë tjetër. Po kaq e bezdisete Hoxhën në këtë periudhë, shkëmbimi i urimeve dhe ngushullimeve me liderët e tjerë. Drejtori i kabinetit të tij, ka shënuar në ditar me dhjetra raste ku shefi i Partisë i ka kthyer mbrapsh një mori praktikash të tilla. ”I dhashë shokut Enver një telegram urimi që kishim përgatitur për shokun Sadik Bocaj me rastin e 60 vjetorit të lindjes, shkruan Kroi në një shënim të datës 27 shkurt 1982, por nuk e firmosi. Sigurisht që duhet të dijë diçka jo të mirë në sjelljet e Sadikut”. Një tjetër shënim të kësaj natyre, sekretari personal i kreut të regjimmit ka bërë në 12 maj 1982, ku shkruan se Hoxha ka refuzuar të firmos telegramin e urimit për ditlindjen e Qirjako Mihalit me arsyen se “është i ri, do ketë kohë për ta uruar(!)”  Ka ndodhur kështu edhe me drejtues të tjerë, ku Hoxha s’ka pranuar të firmos një copë letër ngushullimi për Pali Miskën, Lenka Çukon, Tefta Camin etj.(Vijon…)/Pamfletihaxhi kroi haxhi lleshi myslim peza enver hoxha
Burimi