Të gjithë në ndjekje të Egnatias, Superiorja nis me “duele zjarri”; zbuloni kur do të luhet derbi i kryeqytetit
Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur këtë të hënë shortin për kalendarin e Kategorisë Superiore për edicionin 2024-2025, që është edhe edicioni i 86-të në histori.
10 klubet shqiptare kanë mësuar nga goglat kundërshtarët e tyre për 36 javët e kampionatit, teksa shorti ka përcaktuar përballje të forta që në javën e parë të kampionatit, ku spikat ajo mes Partizanit dhe Vllaznisë, ku të dy ekipet këtë sezon do të synojnë fitimin e kampionatit.
Ndërkohë, kampionët në fuqi të Egnatias do ta nisin në transfertë përballë Dinamos. Duelet e tjera në javën e parë janë ato mes Laçit dhe Tiranës, Skënderbeut dhe Elbasanit, si dhe Teuta kundër Bylisit.
Java e dytë po ashtu spikat me duele “zjarri”, ku do të luhet klasikja mes Vllaznisë dhe Tiranës, teksa luhet po ashtu edhe Partizani kundër Skënderbeut, një duel që ka dhuruar gjithmonë emocione.
Sa i përket derbeve të kryeqytetit, Partizani-Dinamo luhet në javën e katërt, Partizani-Tirana në javën e gjashtë, ndërsa Tirana-Dinamo në javën e nëntë të Kategorisë Superiore.
Gjithashtu, gjatë proçesit të shortit u morën vesh edhe disa informacione në lidhje me stadiumet ku do të zhvillojnë takimet e tyre në shtëpi tre skuadrat e kryeqytetit.
Tirana dhe Partizani një pjesë të madhe të tyre do t’i zhvillojnë në “Air Albania”, ndërsa Dinamo ndeshjet që do të luajë në shtëpi do t’i zhvillojë në “Elbasan Arena”.
Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e 10 klubeve të kampionatit “Kategoria Superiore”, përfaqësues të medias shqiptare, shefi i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani si dhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala.
Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, kampionati “Kategoria Superiore” do të ngrejë siparin të dielën e 18 gushtit dhe kampionati i rregullt do të përfundojë më datë 1 maj të vitit 2025. Ndërsa faza “Final Four” do të luhet në periudhën 9 – 17 maj 2025.
kategoria superiore shorti
Burimi