SPAK jep detaje për operacionin në Elbasan: Masa sigurie për 21 persona, në listë ish-gjyqtarë, policë, avokatë dhe gazetarë

SPAK jep detaje për operacionin në Elbasan: Masa sigurie për 21 persona, në listë ish-gjyqtarë, policë, avokatë dhe gazetarë

Dyshimet janë se emrat e gjyqtarëve përmenden në aplikacionit Sky Ecc për zbutjen e një mase sigurimi personal. Ata kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij.

Prokuroria e Posaçme ka dhënë informacion mbi operacionin e zhvilluar sot në Elbasan, në kuadër të informacioneve që kanë dalë nga zbërthimi i bisedave në “Sky Ecc”.
Sipas prokurorisë, janë dhënë masa sigurie për 21 persona, ku 18 janë “arrest me burg”, 1 “arrest në shtëpi” dhe 2 detyrim për tu paraqitur. Mes të ndalurve janë dhe gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, si dhe gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë.
“Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e  organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.
Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:
Arrest me burg – 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);
Arrest në shtëpi – 1 avokat;
Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore – 2 gazetarë.
Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.
Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme”, njofton SPAK.

Deri tani dihet se në pranga kanë rënë 2 ish gjyqtarë të Elbasanit Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu ndërsa është kontrolluar banesa edhe e ish gjyqtarit të Elbasan Taulant Tafa. “Arrest shtëpie’ është firmosur edhe për avokaten e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri. Po ashtu, janë kontrollur banesat e 2 ish-prokurorëve, E.T. dhe M.B. Po ashtu, është lëshuar masë sigurie arrest me burg edhe për ish-shefin e Krimeve, Dedan Gjoni, i cili ndodhet i arrestuar edhe për një çështje tjetër.
Dyshimet janë se emrat e gjyqtarëve përmenden në aplikacionit Sky Ecc për zbutjen e një mase sigurimi personal. Ata kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij.
Suel Çela u shpall në kërkim në maj të vitit 2022 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” të organizuar nga SPAK. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë. Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, por i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
Suel Çela rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh, por ai ka arritur t’i shpëtojë burgut. Në nëntor të vitit 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për sulmin ndaj policisë tek tregu ushqimor i Elbasanit. Ngjarje kjo që tronditi opinionin publik në shtator 2017 kur dolën pamjet e Audit të zi, të blinduar që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes.
Burimi