Sot protesta, opozita ‘paralizon’ Tiranën; rrethrrotullimet që do të bllokohen

Sot protesta, opozita ‘paralizon’ Tiranën; rrethrrotullimet që do të bllokohen

Opozita do të mbajë sot protestë kombëtare në Tiranë ku është paralajmëruar se do të ketë bllokime të pesë rrugëve kryesore.

Opozita do të zhvillojë pasditen e sotme aktin e radhës së të ashtuquajturës “mosbindje civile” në rrugët e kryeqytetit.
“Nën moton “O sot, o kurrë”, opozita do të bllokojë për të paktën 3 orë, 5 nga kryqëzimet kryesore të Tiranës për të kërkuar edhe njëherë lirimin e liderëve nën masë arresti dhe qeveri teknike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Protesta do të nisë në orën 17:00 dhe do të përfundojë në orën 20:00, teksa njësoj si herën e fundit, kur u bllokuan disa nga akset kryesore të vendit, nuk do të ketë fjalime apo podium nga drejtuesit e opozitës.
Organizatorët do të jenë të shpërndarë me mbështetësit e tyre në disa arterie dhe pika kyçe, përfshi Bashkinë e Tiranës, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Uillson” dhe “Pallati me Shigjeta”.
Në secilën nga këto zona protesta do të udhëhiqet nga drejtuesit përkatës të kryesive të PD-së dhe nga deputetët demokratë.
Opozita prej disa muajsh ka ndërmarrë protesta në rrugë dhe Kuvend kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Një ndër kërkesat kryesore të saj është krijimi i një qeverie teknike që do të organizojë zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen pranverën e ardhshme. 

 
Burimi