Skandali me mbetjet toksike të ‘Kurum’, Rama përballet sot me opozitën në Kuvend
Bardhi dhe Rama në Kuvend
Skandali i mbetjeve toksike të kompanisë KURUM që po tregtoheshin nga kompania tjetër “Sokolaj” drejt Azisë (Singapor dhe Tajlandë), do të jetë ditën e sotme tema kryesore e debatit politik në Kuvend.
Gjatë seancës plenare në pikat e rendit të ditës është parashikuar që të mbahet interpelanca e kërkuar nga Gazment Bardhi me kryeministrin Edi Rama në lidhje me fakteve të bëra publike për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.
Mësoeht se kreu i qeverisë pritet të jetë vetë i pranishëm në interpelancën me Gazment Bardhin.
Në kërkesë thuhet se rastet e përsëritura të konstatuara të eksportit të mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. PD thotë se qeveria shqiptare duhet të informojë Kuvendin dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme dhe të gjitha detajet e tjera që lidhen me këtë veprimtari.
Por nesër pritet që PD të zhvillojë edhe një interpelancë me ministren e Infrastrukturës, në lidhje me protestat e banorëve për hyrje daljet në aksin Thumanë Kashar.
Një tjetër pikë e rëndit të ditës për ditën e nesërme është edhe miratimi Aktit Normativ për ndryshimet në Urdhrin e Mjekut. Në seancën e nesërme pritet që të diskutohet edhe mandati i Olta Xhaçkës, për të cilin Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar deputetët të votojnë për ta dërguar atë në Kushtetuese.
Skandali me mbetjet toksike
Teksa informacionet hetimore për skandalin e mbetjeve toksike nga KURUM dhe “Sokolaj sh.p.k” mbahen të rezervuara nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare, mediat e huaja nxjerrin herë pas here detaje gati implikuese të rastit, teksa ishin të parat, që bashkë me organizatën joqeveritare ekologjike me qendër në SHBA, “Basel Network Action”, dhanë alarmin më 5 Gusht.
Është agjencia e specializuar për lajmet investiguese dhe analizat e industrisë-ekonomike në Singapor, “ManifoldTimes”, ajo që ka detajuar informacione shtesë, duke hedhur dyshime edhe tek kompania transportuese ndërkombëtare detare “Maersk”.
Mediat e Singaporit kanë raportuar ditët e fundit se Azia Lindore, kryesisht aksi Singapor-Tajlandë-Kinë, është bërë si një “depo thithëse” e mbetjeve toksike nga Europa dhe Amerika.
Lëndët kimike cilësohen të rrezikshme, me simptoma vdekjeprurëse në afat të gjatë, pasi shkrihen në filtrat e tokës dhe përfundojnë në ujëra që ndoten dhe më tej konsumohen nga njerëzit. Efektet anësore janë kryesisht probleme me mëlçinë, veshkat, sistemin frymëmarrës dhe më gjerë.
Qeveria tha se Porti i Durrësit nuk kishte dijeni për ngarkesën dhe nuk është njoftuar, duke ia lënë përgjegjësinë kompanive. Por opozita thotë se Porti duhet të verifikonte dokumentacionin dhe ngarkesën në përmbajtje.
Aktualisht priten analizat e mbetjeve në kontejnerë, por duket se “errësimi” në disa momente gjatë udhëtimit ngre dyshime të forta, se diçka mund të ketë ndodhur edhe rrugës./ Pamfleti
Burimi