Si zgjedhjet evropiane po paralizojnë punën e BE-së
Me luftërat që kanë shpërthyer në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, dhe me Donald Trumpin që garon sërish për presidencën e SHBA-së, është e vështirë të imagjinohet një kohë më e keqe që Evropa të jetë pa një timon.
Edhe pse zgjedhjet e Parlamentit Evropian kanë pasur shumë pak ndikim në Bruksel, rezultati pritet ta zhysë shumë shpejt Evropën në një kaos të madh. Është e vërtetë: frika nga marrja e pushtetit nga e djathta ekstreme, u pa të ishte e tepruar. Zgjedhjet sollën më shumë një lëvizje të butë djathtas, sesa një zhvendosje sizmike.
Ndërsa partitë e ekstremit të djathtë përfunduan të parat në 5 vende dhe të dytat në 4 vende të tjera, pasojat për zgjedhjen e pozicioneve të larta drejtuese të BE-së janë të kufizuara. Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (EPP) mbetet fraksioni më i madh parlamentar.
Me 189 vende, ajo e tejkalon lehtësisht grupin e ekstremit të djathtë Identiteti dhe Demokracia dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropianë, të cilët kanë një total prej 141 vendesh. Për më tepër, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) e qendrës së majtë, humbi më pak vende nga sa prisnin shumë analistë, dhe kjo për shkak të paraqitjeve të mira të socialdemokratëve francezë, italianë dhe spanjollë.
Rezultati është një parlament që nuk duket shumë i ndryshëm nga paraardhësi i tij. Tre grupimet kryesore pro-evropiane, mbajnë ende një shumicë komode. Cilido që shpreson për një problematikë të madhe në shpërndarjen e posteve kryesore të bllokut – apo një përsëritje të përplasjeve të vitit 2019, kur liderët evropianë ‘nxorën nga kapelja’ emrin e Ursula von der Leyen si presidente e Komisionit Evropian – ndoshta do të zhgënjehen në fund.
Me përjashtim të ndonjë surprize të madhe, zonja Von der Leyen do të mbajë postin e saj e saj dhe partitë kryesore do të bashkohen për të plotësuar postet e tjera. Ish-kryeministri portugez Antonio Costa dhe kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, duket se do të jenë respektivisht kandidatë kryesorë për rolet e presidentit të Këshillit Evropian dhe krye-diplomatit të BE-së.
Por zgjedhjet evropiane janë të një rëndësie dytësor në raport me ato kombëtare. Edhe nëse nuk ka një tronditje të vërtetë në nivelin e BE-së, tani po shohim një shembull të vogël të degradimit politik në disa nga shtetet anëtare më me ndikim të bllokut, veçanërisht në Francë dhe Gjermani.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe aleatët e tyre pësuan humbje të rënda, dhe ata po reagojnë në mënyra që do të dobësojnë BE-në më shumë se sa çdo rezultat i Parlamentit Evropian. Unë e bëj këtë paralajmërim pavarësisht nga rezultatet më premtuese diku tjetër.
Në Poloni, koalicioni i kryeministrit Donald Tusk e detyroi partinë jo liberale Ligj dhe Drejtësi (PiS), të zbresë në vendin e dytë për herë të parë në shumë vite (pati një përmirësim në zgjedhjet polake në shtator 2023, kur PiS përfundoi i pari, por nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri).
Në Hungari, partia Tisza e Peter Magyar u paraqit shumë mirë. Dhe në Finlandë dhe Suedi, partitë kryesore dolën shumë mirë. Megjithatë në Gjermani, partitë e koalicionit qeverisës u renditën që të gjitha pas Unionit Demokristian (CDU) dhe Alternativës për Deutschland (AfD) të ekstremit të djathtë.
Fraza më e famshme sot në Berlin është Kontaktschande , e cila i referohet një ndjenje turpi të lindur nga shoqërimi. Social Demokratët (SPD), të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP), janë kundërpërgjigjur me një fushatë akuzash reciproke, të cilat do të pengojnë më tej aftësinë tashmë të kufizuar të koalicionit të tyre jopopullor për të qeverisur në prag të zgjedhjeve të rëndësishme lokale në pjesën lindore të vendit (bastioni i AfD) këtë vjeshtë.
Situata është edhe më e zymtë në Francë. Pasi Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë e mposhti aleancën centriste në pushtet me pothuajse 17 për qind diferencë në zgjedhjet evropiane, Macron i tronditi të gjithë duke thirrur zgjedhjet e reja të parakohshme.
Me prirjen e tij për aktet dramatike, Macron shpreson të rimarrë kontrollin e narrativës. Por rezultati më i mundshëm, do të jetë një ngërç parlamentar i pacaktuar në kohë dhe një qeveri e dobët e një pakice teknokratësh apo një bashkëjetesë me një qeveri të krahut të djathtë të dominuar nga Tubimi Kombëtar, e cila është e angazhuar të shkatërrojë trashëgiminë centriste të presidentit Macron.
Këto rezultate të brendshme, zbulojnë edhe domethënien e vërtetë të zgjedhjeve evropiane. E kërcënuar nga zhvendosja e votuesve, secila prej partive të koalicionit gjerman ka të ngjarë ta vërë më shumë theksin tek ideologjia e tij thelbësore.
Të Gjelbrit dhe baza e FDP-së, do t’i bëjnë presion që të jenë më radikalë, gjë që do t’i shtyjë në drejtime të kundërta në raport me politikat fiskale. Rezultati ka të ngjarë të jetë më shumë veto gjermane mbi vendimet e BE-së mbi migracionin dhe huamarrjen e përbashkët për mbrojtjen.
Basti i fortë i Macron, vjen përpara samiteve të mëdha të NATO-s dhe të BE-së, përpara negociatave për zgjerimin e unioni, dhe në prag të zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së që mbahen këtë vjeshtë. Në të dyja skenarët e zgjedhjeve, ka të ngjarë të prishen planet madhështore që parashtroi kohët e fundit Macron në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Sorbonës.
Nëse partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, do të formojë qeverinë e ardhshme, Macron do të vazhdojë të drejtojë politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, por ai do të sabotohet në një mijë mënyra nga kryeministri i ri i ekstremit të djathtë.
Por viktima ndoshta më e madhe e këtyre zgjedhjeve, do të jetë uniteti evropian për çështjet e mëdha gjeopolitike me të cilat përballet kontinenti. Me luftërat që kanë shpërthyer në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, dhe me Donald Trumpin që garon sërish për presidencën e SHBA-së, është e vështirë të imagjinohet një kohë më e keqe që Evropa të jetë pa një timon.
Me shumë pak hapësirë për të manovruar dhe me një kapital politik të shteruar, Macron dhe Scholz nuk janë në gjendje ta drejtojnë Evropën përmes këtyre krizave. Mënyra se si ata i përgjigjen kësaj sfide, do të testojë unitetin evropian dhe do të përcaktojë të ardhmen e bllokut.
Në fund duhen marrë pasur parasysh edhe një palë zgjedhje të tjera. Megjithëse fituesi i zgjedhjeve parlamentare britanike më 4 korrik, nuk do të sigurojë asnjë vend në Parlamentin Evropian apo Këshillin Evropian, ai mund të mbajë çelësin për bashkimin e Evropës në adresimin e sfidave të saj më urgjente. Kjo do të thotë se të gjithë sytë janë tek Laburistët, tek fituesi i mundshëm dhe lideri i tyre, Keir Starmer./Përshtati “Pamfleti”, nga “Project Syndicate”
Shënim: Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), është autor i librit “Epoka e Paqes:Si shkakton konflikte ndërlidhshmëria” (2021).zgjedhjet evropiane be
Burimi