Si dështoi eksperimenti me Shqipërinë

Si dështoi eksperimenti me Shqipërinë

Edi Rama dhe Georgia Meloni /

Qendrat e emigrantëve i shërbyen vetëm Von Der Leyen për rizgjedhjen në krye të KE

Tani për tani priten reagimet e gjyqtarëve, të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Evropiane. E ardhmja e qendrave të emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri për të huajt që janë në pritje të azilit, duket tashmë e vulosur. Në kushtet e reja, flitet për mundësinë e shndërrimit të tyre në burgje për pjesëtarët e organizatave kriminale shqiptare, të cilët ndodhen të burgosur në Itali.
Qeveria italiane e ka ulur ndjeshëm numrin e stafit të caktuar për të punuar në Shëngjin dhe Gjadër, nga 295 në 170 persona. Përtej debateve të forta për ndërhyrjen e gjyqësorit, Mauro Indelicato, gazetar i Inside Over dhe Affari Italiani, si dhe profesor në Unicusano, thotë se përpjekja e Italisë nuk ishte e suksesshme.
Deri më janë “pritur” shumë pak njerëz në një strukturë të projektuar për 3.000 të tillë. Megjithatë problemi i vërtetë, është mungesa e një politike të përbashkët evropiane mbi migracionin: polemikat mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri, burojnë nga mungesa e qartësisë në legjislacionin e BE-së.
Qendrat e emigrantëve të ndërtuara në Shqipëri janë bosh, dhe tashmë ka plane për t’i përdorur ato për qëllime të tjera. Cili është vlerësimi juaj mbi këtë operacion, bazuar në atë që kemi parë deri tani?
Pavarësisht nga përdorimi i saj në të ardhmen, kjo strukturë do të jetë ende në qendër të debateve politike. Nga e djathta do të thuhet se u mbyll nga gjyqtarët, ndërsa të majtët do të deklarojnë se ishte që në fillim një nismë e kotë. Maksimumi ato qendra kanë pritur deri më sot rreth 20 njerëz.
Ndërkaq, mund të debatohet mbi vendimin e gjyqtarëve, por është një fakt që kjo strukturë nuk është përdorur. Problemi qëndron tek konceptimi i migracionit si një emergjencë. Këto qendra u konceptuan që në verën e vitit 2023, kur zbarkimet në vendin tonë kishin arritur në nivele rekord. Sot ato kanë rënë me 60 për qind, dhe një strukturë e konceptuar për skenarë emergjence, nuk mund të jetë e dobishme në një fazë të zakonshme. U zhvendosën shumë njerëz, struktura dhe para për vetëm 20 emigrantë.
Është një gabim i bërë nga të gjitha qeveritë italiane: për 30 vitet e fundit, situata është menaxhuar si një emergjencë e vazhdueshme. Por unë gjykoj se nevojiten programe që të shohin përtej një vere me zbarkime në nivele rekord.
Gjithsesi, e ardhmja e këtyre qendrave është e vulosur tashmë?
Ato nuk do të jenë shumë të dobishme, edhe duke përjashtuar pengesat gjyqësore. Politikisht, Evropa nuk kundërshtoi ngritjen e tyre sepse Ursula Von der Leyen po kërkonte votën e partisë së Melonit për të krijuar Komisionin e ri Evropian.
U fol shumë për qendrat, qoftë edhe në aspektin pozitiv, sepse Partia Popullore Evropiane nuk donte t’ia linte ekstremit të djathtë kauzën e migracionit. Por edhe sepse Von der Leyen donte mbështetjen e konservatorëve. Tani që komisioni i ri është ngritur, dhe përfshin një eksponent melonian si Fitto, për to do të flitet gjithnjë e më pak. Unë nuk mendoj se qendrat e ngritura në Shqipëri do të kenë një funksion konkret.
E përditshmja Il Tempo, raporton se ato mund të përshtaten si burgje për pjesëtarët e mafies shqiptare të burgosur në Itali. A është kjo një mundësi reale?
Po, është një mundësi. Por mua më duket si një nga ato debatet për përdorimet e reja të strukturave të braktisura. Nëse sot flasim tashmë për konvertimin e strukturave, kjo do të thotë se diçka ka shkuar keq.
Më 4 dhjetor, Gjykata e Kasacionit do të vendosë për vendet e sigurta dhe mbi riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm. Më pas do të presim vendimin e Gjykatës Evropiane. Si do të zgjidhet kjo çështje nga pikëpamja gjyqësore?
Vendimet bazohen mbi legjislacionin aktual. Nëse ka diçka për të zgjidhur, kjo nuk ka të bëjë me mënyrën e të vepruarit nga gjyqësori, por me ligjet. Nuk jemi aktualisht në një situatë emergjence, sepse zbarkimet po pakësohen. Ndaj tani është koha ideale për ta trajtuar këtë çështje në mënyrë organike, jo vetëm në Itali, por edhe në Evropë.
Vendimi i referuar në urdhrin e tetorit të Gjykatës së Romës është evropian, ndaj duhet të ndërhyjë ligjvënësi evropian. Në vend të një rikthimi të përgjegjësisë që gjeneron vetëm polemika boshe, është e nevojshme që problemi të trajtohet në mënyrë organike në Evropë, duke sqaruar pikat që i lënë gjyqtarëve shumë hapësirë interpretimi. Sigurisht, nisur nga ajo që ka ndodhur vitet e fundit, kjo duket si një shpresë e kotë.
Pra vendet e sigurta duhet të përcaktohen nga Bashkimi Evropian?
Është logjike: nëse një gjykatë italiane i referohet një dënimi të një organi gjyqësor evropian, problemi qëndron në Evropë. Ky përkufizim, duhet të jepet në mënyrë të qartë, të qartë dhe jo të dykuptimtë nga ligjvënësi evropian.
Ç’do të ndodhë me strukturat e ndërtuara në Shqipëri?
Mendoj se do të lihen në harresë. Pas disa muajsh do jenë harruar edhe debatet mbi to. Ishte një përpjekje politike. Unë nuk dua ta banalizoj ndërhyrjen e qeverisë së Romës për të zgjidhur disa probleme. Por migracioni nuk mund të trajtohet vetëm në mënyrë emergjente: ekziston rreziku që masat e vendosura në vitin 2023, të jenë tashmë të vjetra në 2024-ën. Ne duhet të flasim për emigrantët në Bruksel, edhe para Tiranës apo Romës.
Pra a po rikthehemi tek mangësitë e Evropës, në një situatë që BE-ja nuk po e sqaron siç duhet?
Në nivelin evropian ka munguar gjithmonë një çelës legjislativ i vetëm. Dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me kontrollet bregdetare apo kërkesat për azil. Gjermania ka riatdhesuar së fundmi mbi 30 afganë. Ne nuk mund të themi që Afganistani i talebanëve është sot një vend i sigurt.
Por kjo ndodhi sepse kancelari Olaf Scholz është në vështirësi, dhe po afrohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Çdo vend që vepron vetëm në bazë të nevojave të tij politike, ka një mungesë të koordinimit në nivel qendror.
Nëse gjatë verës që kaloi do të përballeshim me një tjetër emergjencë, a mund të ishin të dobishme qendrat në Shqipëri?
Ne e kemi parë se sa njerëz janë transferuar në këto qendra. Nëse 2.000 persona do të zbarkonin në tetor, dhe vetëm 20 prej tyre do të shkonin në Shqipëri, atëherë edhe sikur të mbërrinin 28.000 gjatë verës, maksimumi atje do të transferoheshin vetëm 200.
Sipas parashikimeve, struktura mund të strehojë deri 3 mijë njerëz. Në aspektin logjistik dërgimi i emigrantëve atje është i vështirë. Dhe ky proces nuk e lehtëson aspak luftën kundër zbarkimeve, madje e vështirëson punën e autoriteteve pritëse italiane, pasi stafi i përdorur në ato qendra është italian. Ai largohet nga këtu për t’u punësuar në Shqipëri.
A u bënë gabim llogaritë?
Ishte një përpjekje, por që nuk ia doli mbanë. Dukuria e migracionit nuk mund të zgjidhet duke e transferuar problemin në një vend të tretë./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”eksperimenti shqipëria italia giorgia meloni
Burimi