Shqipëria siguroi medaljet e para Olimpike, Kombëtarja dinjitoze në Europian! ! Të gjitha momentet e 2024 që shënuan sportin shqiptar
Viti 2024 është në metrat e tij të fundit, por cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme të sportit shqiptar në këto 12 muaj? Nga medaljet historike me mundësit në Lojërat Olimpike, tek Europiani i futbollit, te titulli i Egnatias, për të kaluar me radhë tek atletika, peshëngritja, skitë, boksi, bilardo dhe lojërat me dorë, në këtë speciale ju paraqesim disa prej ngjarjeve që kanë shënuar sportin në vitin 2024.
Mundje, medaljet historike olimpike
Arritja më e madhe ishte pa diskutim fitimi i medaljeve të para në histori nga Shqipëria në Lojërat Olimpike. Suksese që erdhën nga mundësit Chermen Valiev dhe Islam Dudaev. Dy rusët e natyralizuar ngjitën flamurin kuqezi në podium në “Paris 2024”, duke fituar secili medalje bronzi në stilin e lirë.
Një arritje e madhe që shpërbleu strategjinë e Federatës Shqiptare të Mundjes për të afruar në Kombëtare sportistë nga Rusia, veprim të cilin e kanë bërë federata të ndryshme në mbarë botën. Përveç medaljeve olimpike, Shqipëria e mundjes gjatë këtij viti ka fituar edhe medalje në Europian, një të artë nga Islam Dudaev dhe një të argjendtë me Zelimkhan Abakarovin.
Futboll, Shqipëria në Kampionatin Europian
Një tjetër moment i madh ishte pjesëmarrja në Kampionatin Europian të futbollit, e dyta në histori për vendin tonë. Ndonëse u renditëm në vend të fundit në grup, aventura e kuqezinjve në Gjermani prodhoi emocione të forta, duke nisur që nga ai gol për rekord i Nedim Bajramit kundër Italisë.
Një gol i shënuar pas vetëm 23 sekondash lojë, duke kaluar në delir stadiumin në Dortmund, i veshur thuajse 100% kuqezi, si dhe miliona shqiptarë në mbarë botën. Spektakolar dhe me rrahje të forta zemre ishte barazimi kundër Kroacisë.
Futboll, Egnatia kampione e Shqipërisë
Verdikt historik ishte shpallja kampione e Egnatias, titulli i parë në Superiore për ekipin nga Rrogozhina. Një triumf i stërmerituar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Edlir Tetova. Pasi e mbylli sezonin e rregullt në vend të parë, Egnatia “shkelmoi” edhe formulën paradoksale të kampionatit, teksa në “Final 4” kaloi fillimisht Vllazninë në gjysmëfinale, ndërsa në finale mposhti Partizanin 1-0 me golin e turkut Ibrahimoglu.
Përveç titullit kampion, Egnatia fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, teksa mundi Kukësin në finale. Ndërsa kompletoi tripletën, duke fituar edhe Superkupën, sërish ndaj kuksianëve, për të mbyllur një vit perfekt.
Skiatorja Lara Kolturi, e dyta në Kupën e Botës
Rezultate të mëdha këtë vit janë shënuar edhe në sportin skive alpine dhe mbajnë firmën e Lara Kolturit. Vajza e ish-kampiones olimpike, Daniela Çekarelit, për herë të parë i dhuroi Shqipërisë një vend të dytë në një nga etapat e Kupës së Botës.
Kolturi bëri paraqitje fantastike në garën e slalomit në Gurgl të Austrisë, duke u renditur e dyta, pas legjendës Mikaela Shifrin. Ky ishte rezultati më i madh i arritur ndonjëherë nga Shqipëria në sportin e skive.
Calja, Qerimaj dhe Ramadani mbajtën gjallë peshëngritjen
Ndonëse për herë të parë Shqipëria nuk mori pjesë në Lojërat Olimpike me peshëngritjen, ky sport ka shënuar edhe gjatë këtij viti disa rezultate të rëndësishme. Briken Calja arriti të regjistronte një vend të katërt në stilin e shtytjes në Kampionatin Botëror, duke vijuar të jetë mes më të mirëve.
Calja arriti gjithashtu edhe një vend të pestë në shtytje dhe dygarësh në Kampionatin Europian. Ndërkohë Kristi Ramadani dhe Erkand Qerimaj, falë një strategjie për të konkurruar në pesha jo-olimpike, arritën rezultate të shkëlqyera në Europian. Dy medalje argjendi të fituara nga Ramadani dhe një nga Qerimaj, iu shtuan peshëngritjes shqiptare gjatë këtij viti.
Luiza Gega, 5 të arta Ballkanike
Edhe pse ky sezon nuk ishte më i miri për të, Luiza Gega la gjurmë, duke u konfirmuar e pakonkurrueshme në Ballkan. Gega fitoi dy medalje ari në Ballkanikun e sallave të mbyllura në disiplinat 1500 dhe 3000 metra, event i zhvilluar në Stamboll. Luiza e dërgoi në 10 numrin e medaljeve të arta në Ballkanikun e sallave të mbyllura, duke mbajtur statusin e atletes më fituese në historinë e këtij kompeticioni.
Gega shënoi një tjetër të artë në nivel rajonal gjatë këtij viti, teksa triumfoi në gjysmë-maratonën Ballkanike që u mbajt në Nikshiq të Malit të Zi. Dy medalje të tjera të arta kampionia kuqezi i fitoi edhe në Ballkanikun e sallave të hapura, në Izmir, ku triumfoi në 3000 metra me pengesa si dhe në 5000 metra.
David Nikolli shkëlqen në rajon
Shqipëria mori këtë sezon medaljen e saj të parë në histori në Kampionatin Ballkanik të “Cross Country” në radhët e meshkujve. Ishte atleti David Nikolli ai që ngjiti flamurin kuqezi në shkallën më të lartë të podiumit në eventin që u zhvillua në Rumani.
Gjatë këtij viti Nikolli ka fituar gjithashtu medalje të artë edhe në gjysmë-maratonën Ballkanike, duke u konfirmuar si një prej atletëve më të mirë të vendit.
Bilardo, Eklent Kaçi nënkampion bote
Bilardisti shqiptar Eklent Kaçi edhe këtë viti ka qenë në nivele shumë të larta. Ai është shpallur nënkampion bote në disiplinën 9-gurë në “World Championship 2024”, kompeticion që u zhvillua në verë në Arabinë Saudite.
Kaçi, kampion bote për vitin 2023, u mposht në finale nga amerikani Fedor Gorst, me rezultatin e ngushtë 15-14 në një duel tepër emocionues.
Alban Beqiri, krenaria e boksit
Boksieri Alban Beqiri shënoi një tjetër rezultat të madh gjatë vitit 2024, duke u shpallur për herë të dytë në karrierë kampion i Ballkanit.
Beqiri, i cili mban edhe rezultatin më të lartë ndërkombëtar në historinë e boksit shqiptar, si i vetmi medalist në një botëror për të rritur, tregoi një formë të shkëlqyer duke fituar tri duele në Ballkanik, për t’u shpallur kampion.
Futboll vajza, 11 tituj radhazi për Vllazninë
Nëse flasim për futbollin e femrave në Shqipëri, Vllaznia është protagonistja e padiskutueshme. Shkodranet mbrojtën fronin edhe në vitin 2024, duke u shpallur për herë të 11-të radhazi kampione.
Vajzat kuqeblu vijojnë të dominojnë në çdo aspekt ndaj rivaleve të tyre.
Basketboll meshkuj, Besëlidhja superfuqi
Besëlidhja shkroi për herë të parë emrin e saj si kampione në basketbollin e meshkujve në Shqipëri. Lezhjanët ishin dominues absolutë, duke fituar titullin pa pasuar asnjë humbje në kampionat.
Besëlidhja gjatë këtij viti kalendarik ka fituar gjithashtu edhe Superkupën e Shqipërisë, ndërsa mbetet pretendentja numër një për të triumfuar edhe në kampionatin aktual, ku kryeson me pikë të plota.
Basketboll femra, rikthimi i Tiranës
Në basketbollin e femrave momenti kulmor i vitit ishte shpallja kampione e Tiranës, një sukses që në shtëpinë bardheblu mungonte që prej vitit 1999.
Kryeqytetaset, të cilat janë ekipi më i titulluar i sportit të koshit në radhët e vajzave, thyen hegjemoninë e Flamurtarit, duke kurorëzuar me festë një sezon të shkëlqyer.
Volejboll meshkuj, Partizani fiton gjithçka
Duke kaluar në sportin e rrjetës, Partizani sundoi parketin në 2024-ën, duke fituar gjithçka gjatë këtij viti kalendarik. Të kuqtë e Ylli Tomorrit, jo vetëm që u shpallën kampionë të Shqipërisë, por nuk lëshuan asnjë trofe rrugës.
Kështu përveç titullit, Partizani fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, Kupën e FSHV-së, si dhe dy kompeticionet mbarëkombëtare, si Ligën Gjergj Kastrioti gjithashtu edhe Kupën Pavarësia.
Volejboll femra, Skënderbeu në fron
Në radhët e volejbollit të femrave protagonistet e këtij viti ishin vajzat e Skënderbeut. Korçaret e Orlando Kojës fituan titullin kampion, ndërsa i shtuan edhe trofetë e Kupës së Shqipërisë, Kupës së FSHV-së si dhe mbrojtën fronin në Ligën Gjergj Kastrioti.
Një vit ëndrrash për ekipin juglindor që përveç kupave ka shënuar një tjetër triumf të madh siç është rikthimi i mijërave tifozëve në pallatin e sportit.
Burimi