Shpërthimi i fuqishëm në Sarandë, gjenden copa metalike në det; dyshohet për atentat me eksploziv
Shpërthimi i ndodhur mbrëmjen e djeshme 100 metra larg Portit Detar, dyshohet të jetë shkaktuar nga eksploziv.
Polumbarët kanë gjetur sot në thellësinë të detit pranë vendit të ngjarjes copa metalike qe dyshohet se i përkasin mjetit lundrues. Ende nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë.
Ekspertët dyshojnë për shpërthim eksplozivi pasi viktima ndodhej në një mjet tepër të vogël pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqen e ujit. Nuk dihet cili ka qenë objektivi, por ngjarja ka ndodhur pikërisht në orën 22.00 kur gjithë vëmendja ka qenë në ndeshjen Shqipëri-Spanjë.
Bëhet me dije se viktima është parë nga dy të huaj të cilët po lundronin me një gomone të vogël drejt jahtit të tyre të ankoruar në radë. Ata e kanë pyetur nëse kishte problem me diçka por ai i është përgjigjur “Jo”. Vetëm pak sekonda më pas është dëgjuar shpërthimi i cili është shoqëruar me zjarr dhe tym por dhe me zhurmë, që ka tronditur gjithë qytetin.
Edhe pse viktima ende nuk është identifikuar, bëhet me dije se ai është shtetas shqiptar dhe jo i huaj, siç u dyshua në fillim.
Burimi