Shërbimet turke “marrin në dorë” inteligjencën ushtarake shqiptare, zbardhet pakti Rama-Erdogan

Shërbimet turke “marrin në dorë” inteligjencën ushtarake shqiptare, zbardhet pakti Rama-Erdogan

Rama-Erdogan

Inteligjenca ushtarake shqiptare do t’i vërë në dispozicion inteligjencës turke informacione sekrete….

Shqipëria do të rrisë bashkëpunimin ushtarak me Turqinë. Në shkurt të këtij vit, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Turqi, ku u takua me Erdogan dhe u firmosën disa marrëveshje. Një ndër to ishte një marrëveshje ushtarake, e cila vetëm tani është bërë publike. Pakti Rama-Erdogan ka shkuar për miratim në Kuvend dhe aty ka dy elemente.
Së pari, Turqi merr përsipër trajnimin e ushtrisë shqiptare. Ankaraja do të ofrojë kurse në qendrat e saj trajnuese. Së dyti, do të ketë një bashkëpunim mes shërbimeve sekrete ushtarake.
Aktualisht Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes është në dorë të amerikanëve. Por duket se do të ketë një bashkëpunim me Turqinë, për ato shtete që janë “armike”. Thënë më shkurt, inteligjenca ushtarake shqiptare do t’i vërë në dispozicion inteligjencës turke informacione sekrete.
“Ky Nen mbulon zhvillimet në fushën e interesit të Forcave të Armatosura të Palëve në lidhje me ato vende që konsiderohen se dëmtojnë interesat e ndërsjella të Palëve dhe që do të përcaktohen së bashku, duke u dhënë përparësi aktiviteteve ushtarake dhe shkëmbimit të informacionit të inteligjencës ushtarake për aktivitetet e këtyre vendeve në Republikën e Turqisë dhe Republikën e Shqipërisë”, theksohet në marrëveshje.

Më tej thuhet se shkëmbimi i informacionit të inteligjencës do të kryhet me mjetet e mëposhtme dhe sipas metodave të mëposhtme: a. Çdo çështje koordinimi (përfshirë subjektet e shkëmbimit) do të përcaktohet ndërmjet Palëve me marrëveshje të ndërsjellë për vitin përkatës gjatë negociatave dypalëshe të mbajtura nga Shefat e Inteligjencës Ushtarake të të dy vendeve ose nga personeli i autorizuar prej tyre në bazë të rotacionit, një vit në Republikën e Turqisë dhe një vit në Republikën e Shqipërisë. b. Pala vizituese do të njoftojë Palën Pritëse për emrin, gradën, emërimin dhe lejen e sigurisë së anëtarëve të delegacionit të paktën pesëmbëdhjetë (15) ditë para datës së planifikuar; c. Gjuha e dokumenteve dhe negociatave do të jetë anglisht. Negociatat mund të zhvillohen nëpërmjet një përkthyesi, nëse kërkohet; d. Informacioni që mund të shkëmbehet do të dorëzohet në formë dokumenti. Nëse ka ndonjë CD. DVD. film. fotografi. slide, etj.. në lidhje me këtë informacion, ato duhet t’i bashkëngjiten dokumentit.
Të dyja palët bien dakord që t’i përgjigjen kërkesave të njëra-tjetrës për informacion sa më shpejt të jetë e mundur nëpërmjet kanaleve të sigurta të dakordësuara reciprokisht.
Po ashtu, thuhet se kërkesa për shkëmbimin e informacionit të inteligjencës ushtarake do të vlerësohet rast pas rasti dhe mund të refuzohet, nëse ato rrezikojnë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të njërës prej palëve ose kundërshtojnë gjerësisht interesat e saj kombëtare/ndërkombëtare.
Mbete të shihet se si do të pritet nga SHBA ky pakt, pasi amerikanët janë ata që në fund vendosin. Kjo pasi në lojë janë informacione sekrete ushtarake. /Pamfleti
Burimi