![SHBA dhe BE reaguan ashpër pas vendimit të PS për Xhaçkën, Spiropali: Do veprojmë sapo të marrim opinionin e ‘Venecias’!](https://lajmidites.com/wp-content/uploads/thumbnails/2024/09/shba-dhe-be-reaguan-ashper-pas-vendimit-te-ps-per-xhacken-spiropali-do-veprojme-sapo-te-marrim-opinionin-e-venecias_66e46788e0d18.jpeg-730x440-lajmidites.com.webp)
SHBA dhe BE reaguan ashpër pas vendimit të PS për Xhaçkën, Spiropali: Do veprojmë sapo të marrim opinionin e ‘Venecias’!
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i është përgjigjur SHBA e BE, të cilat reaguan ashpër pas vendimit të PS për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të dërguar për verifikimin mandatin e Olta Xhaçkës.
Në një reagim në platformën ‘X’, Spiropali nënvizon se i është drejtuar Komisionit të Venecias dhe sapo të marrin opinionin prej tij do të veprojnë pa humbur asnjë ditë kohë.
“Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar, si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese.
Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i Korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin, për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, shkruan Spiropali.
Burimi