Ronaldo eliminohet me duartrokitje, Pepe: Jam i zhgënjyer, ka ardhur koha të largohem!

Ronaldo eliminohet me duartrokitje, Pepe: Jam i zhgënjyer, ka ardhur koha të largohem!

Një natë për t’u harruar për Portugalinë, e cila dje i dha lamtumirën fazës finale të “Euro 2024”, pasi u eliminua nga Franca me penallti, teksa rezultati 0-0 kishte zgjatur 120 minuta. Dhe për Kristiano Ronaldon, i cili nisi si titullar të pesta ndeshjet e Portugalisë në turne (Çekia, Turqia, Gjeorgjia, Sllovenia dhe Franca), ky Kampionat Europian gjithashtu nuk do të skalitet në kujtesën e tij.
Kjo pasi për herë të parë në të gjithë karrierën ai mori pjesë në një turne kontinental pa shënuar në asnjë ndeshje. Ka pasur vetëm një asistim për rekord, për Bruno Fernandeshin, në ndeshjen kundër Turqisë, në Dortmund.
E djeshmja mund të jetë dalja e fundit në një Europian, pasi siç e ka thënë edhe vetë, s’beson se do të jetë në gjendje për të marrë pjesë në turneun e radhës, që do të luhet pas katër vitesh në Britaninë e Madhe.
LAMTUMIRË PEPE – E teksa Ronaldo ruan disa shpresa për një tjetër Botëror, Pepe (i ngushëlluar gjatë pikërisht nga kapiteni i tij), duket se do të ndërpresë gatishmërinë e tij ndaj kombëtares.
Shumë i zhgënjyer pas eliminimit të djeshëm, mbrojtësi nuk ka dashur të komentojë vendimin e tij, por në deklaratën e dhënë në përfundim të sfidës me Francën, ka sqaruar se zhgënjimi është shumë i madh.
“Zhgënjimi është shumë i madh. Do të kishim dashur një tjetër rezultat dhe luftuam deri në fund. Nuk ka rëndësi nëse gaboi Feliksi, pasi kjo është një skuadër që fitoret dhe disfatat i ndan brenda saj.
Do të flas në një moment tjetër për të ardhmen time, por gjithmonë kam menduar se ky do të ishte fundi im në shërbim të atdheut. Do të kisha dashur një mbyllje ndryshe, por futbolli kështu e ka. Dalim nga Europiani me kokën lart dhe mendoj se i kemi nderuar tifozët”, u shpreh ai.
 
Burimi