Rilindja e Ramës/ Parku Natyror në Prespë prej 6 ditësh në flakë, uji transportohet me mushka

Rilindja e Ramës/ Parku Natyror në Prespë prej 6 ditësh në flakë, uji transportohet me mushka

Flakët e shfaqura prej gati një jave në Malin e Thatë, tashmë po rrezikojnë seriozisht zonën me bimësi të lartë në Parkun Natyror të Prespës në bashkinë e Pustecit.
Forcat lokale zjarrfikëse të ndihmuara nga punonjësit e zonave të mbrojtura, forcat e armatosura dhe vullnetarë janë të pafuqishëm përballë terrenit dhe shtrirjes së vatrave të zjarrit.
Ata po përdorin mushkat për të afruar ujin tek vatrat e zjarrit.
Parku Natyror i Prespës rrezikohet nga çasti në çasti të përfshihet nga zjarret që kanë pushtuar një pjesë të malit të thatë prej 6 ditësh. Flakët që fillimisht u shfaqen në territorin e Maqedonisë së veriut kanë përparuar në territorin tonë duke ardhur shumë pranë pjesës së pyllëzuar në dru ahu dhe duke rrezikuar përfshirjen e parkut natyror që do të ishte një katastrofë.
Drejtuesit lokalë tregojnë për vështirësitë që po hasin për shkak të terrenit dhe pamundësisë për të përballuar situatën me mjete dhe forcat njerëzore që kanë.
Madje në zonë, uji për personat që ngjiten pranë vatrave të zjarrit po transportohet me mushka, në pamundësi për t’u transportuar me mjete të tjera. Nëse nuk ndërhyhet nga ajri, atëherë përfshirja nga flakët e Parkut Natyror të Prespës do të jetë thjesht çështje kohe.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në 24 orët e fundit janë shënuar 47 vatra zjarri, nga të cilat është bërë e mundur shuarja e 36 prej tyre, ndërsa 11 vatra vijojnë të mbeten aktive.
Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, zjarri vazhdon aktiv thotë ministria, për shkak të terrenit të vështirë.
Burimi