“Ramës nuk i interesojnë emrat politikë”, Noka: Bajrët, Rrajat, Ndokat dhe Çelët janë drejtuesit e vërtetë të PS në zgjedhje

“Ramës nuk i interesojnë emrat politikë”, Noka: Bajrët, Rrajat, Ndokat dhe Çelët janë drejtuesit e vërtetë të PS në zgjedhje

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur lidhur me zgjedhjet parlamentare, ndërsa dy kampet kanë zgjedhur drejtuesit politikë në 12 qarqe.
Noka beson se mes palëve ka një ndryshim themelor: opozita nuk drejtohet nga krimi. Ai shprehet se Ramës nuk i interesojnë drejtuesit politikë nga partia e tij pasi si drejtues ka Bajrat, Ndokët, Rrajat, Troplinët, Çelët.
“Edi Rama ka vënë kukulla dhe i ka të gjitha arsyet për ta bërë këtë. Edi Ramës nuk i interesojnë drejtuesit politikë nga partia e tij, sepse ai drejtues politik ka Bajrat, Ndokët, Rrajat, Troplinët, Çelët”, u shpreh Flamur Noka.
Ai rikujtoi denoncimin e kolegut të tij, Gazment Bardhi, për emërimin e Drejtorit të Policisë së Shkodrës nga eksponentë të krimit të organizuar në Shkodër.
“Pëllumb Gjoka me Bajrin bisedojnë se ministër do të bëhet një shok i joni dhe drejtor na duhet Mondi. Sot ai është drejtor i Shkodrës. Kush e llogariste Beqjen për drejtues politik në Shkodër? Vetëm talleshin në bisedat e tyre në SKY/ECC. Nuk është Emirjana në Durrës drejtuese. Është Gjushi nga një anë dhe Troplinët. As Arbjan Mazniku nuk e drejton Elbasanin. Rama i ka të gjithë të kapur, me dosje, kandidatë për në burg dhe ushtarë të krimit, Ndërsa ne si PD kemi vendosur personalitetet e partisë për të drejtuar fushatën. Ata janë njerëz të respektuar, janë me integritet, si dhe kanë një profil të nderuar politik dhe njerëzor”, theksoi Noka.
Numri dy i PD-së u pyet edhe për parashikimin e kryeministrit Rama se PD do të marrë deputetë sa në 97-ën.
“Edi Rama është kasap i votës dhe i zgjedhjeve të lira, ndaj ne do të bëjmë gjithçka që ai të ikë dhe të krijojmë një qeveri teknike që të garantojë zgjedhje të lira në Shqipëri”, u shpreh Noka për RTSH.
 
Burimi