Rama sfidon për herë të dytë Kushtetuesen, PS voton në mesnatë kundër heqjes së mandatit të Olta Xhaçkës!
Mazhoranca shkelmon Kushtetutën, nuk pyet për vendime gjykatash dhe del sërish në krah të Xhaçkës…
Mazhoranca qeverisëse ka shkelmuar për herë të dytë Kushtetutën. Ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme të zbatohen, sot në Kuvend ndodhi skandali i radhës.
Edhe pse fillimisht u tha se PS ishte dorëzuar dhe do të pranonte që çështja e mandatit të Olta Xhaçkës të kalonte në Kushtetuese, duket se nuk ka qenë ashtu.
Pas një seance të tërë maratonë, mazhoranca votoi në mesnatë kundër zbatimit të vendimit të Kushtetueses. Me 25 pro, 65 abstenim dhe 9 kundër, socialistët vendosën që të mos lejojnë që t’i hiqet mandati Olta Xhaçkës.
Ky është rasti i dytë që nuk zbatohen vendimet e Kushtetueses. Rasti i Xhaçkës u zvarrit gati dy vite. Fillimisht PS refuzoi kërkesën e PD, e cila pretendon se Xhaçka është në konflikt interesi, pasi burri i saj është shpallur investitor strategjik.
Opozita ju drejtua Kushtetueses, e cila deklaroi se Kuvendi e ka detyrim të votojë pro kërkesës dhe më pas është kjo gjykatë që vendos nëse kemi konflikt interesi. PS shkoi deri aty sa të dilte mbi Kushtetuesen më 11 prill, duke votuar kundër kërkesës së saj.
PD ju drejtua sërish Gjykatës, e cila e cilësoi skandaloz moszbatimin e vendimit të saj dhe kërkoi që çështja e mandatit të Xhaçkës të kalojë aty. PS u duk sikur u tërhoq pak javë më parë, pasi befas kërkoi që të votohej për kërkesën e Kushtetueses.
Por dje u zbulua skandali, pasi në raportin e Këshillit të Legjislacionit thuhej se u lihet dorë e lirë deputetëve dhe siç pritje socialistët e mbrojtën Xhaçkën, duke dalë për të dytën herë mbi Gjykatën Kushtetuese.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese më 11 korrik ja bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.
“Gjykata ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës zgjidhjen e konfliktit me Kuvendi. Shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për mosdërgimin e mocionin në Gjykatën Kushtetuese. Detyrimin e Kuvendit për dërgimin për mocionin mbi papajtueshmërinë e mandatit. Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, u shpreh kryetarja e gjykatës Kushtetuese.
Sipas GJK, është vlerësuar se Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimit të saj, duke mos zbatuar nenin, i cili parashikon se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.
Gjykata ritheksoi se vendimet e saj kanë efektet e forcës së ligjit dhe se asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë.
“Ndikimi i padiskutueshëm i vendimeve të saj është i tillë që ju imponon të gjithë organeve shtetërore fuqinë detyruese të vendimit të saj. Ky efekt detyrues ka të bëjë si me pjesën urdhëruese, ashtu edhe me pjesën arsyetuese të vendimit”, sqarohej më tej.
Por PS i dha sërish kompetenca vetes të dalë mbi Kushtetuesen. /Pamfleti
Burimi