Publikoi autobiografinë e saj, Angela Merkel bëhet multimilionere
Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel bëhet multimilionere me publikimin e kujtimeve në autobiografinë e saj prej rreth 730 faqesh. Libri i ish-kancelares Angela Merkel me titullin “Freedom. Memories 1954 – 2021” pushton jo vetëm tregun gjerman të librave, por edhe atë të rreth 30 vendeve perëndimore dhe jo perëndimore si Kina. Libri ka rreth 730 faqe dhe përfshin vitet 1954-2021, nga fëmijëria dhe rinia në ish-Republikën Demokratike Gjermane, ribashkimi gjerman, deri te karriera e saj politike në Republikën Federale të Gjermanisë deri në përfundimin e mandatit të saj 16-vjeçar si kancelare në vjeshtën e vitit 2021.
70-vjeçarja Merkel do të bëjë edhe një turne në qytetet e mëdha evropiane për të prezantuar librin e saj. Më 2 dhjetor Merkel do të prezantojë në Uashington librin e saj në prani të ish-presidentit amerikan Barack Obama. Nga disa fragmente të publikuara tashmë nga libri në disa media gjermane si dhe nga disa intervista që ka dhënë ish-kancelarja Merkel, merret vesh se në kujtimet e saj ajo trajton edhe çështje aktuale dhe të debatueshme politike. Ajo tregon për shembull për përvojën e saj me presidentin amerikan Donald Trump, dominimin e burrave në politikën gjermane, pranimin e refugjatëve në Gjermani, gjë që ngjalli dhe vazhdon të shkaktojë debate të mëdha në Gjermani, politikën e saj ndaj Rusisë dhe Ukrainës, si dhe këndvështrimin e saj për Vladimir Putinin.
Fotografitë e Merkel-it, Vladimir Putinit dhe qenit të tij labrador, Koni, u bënë të famshme në mbarë botën. Kur kancelarja gjermane ishte për vizitë tek presidenti rus në Soçi në vitin 2007, Putini e lejoi qenin e tij t’i afrohej kancelares, edhe pse e dinte që Angela Merkel kishte fobi nga qentë. Duke iu referuar këtij takimi në librin e saj, Merkel e përshkruan Putinin si “dikë që gjithmonë është vigjilent për ndonjë shenjë se dikush nuk e respekton, por që nga ana tjetër është gjithmonë i gatshëm të mos respektojë të tjerët, si për shembull loja e forcës me qenin apo duke i bërë të gjithë që ta presin.” Gazeta “Kölner Stadt-Anzeiger” shkruante se bëhet fjalë për një “shumë të jashtëzakonshme dyshifrore në miliona” që Merkel do të fitojë me librin. Gazeta “Tagesspiegel” përmendi një shumë prej 12 milionë eurosh./DW