Pse të rinjtë evropianë po përqafojnë të djathtën ekstreme
Zhvendosja djathtas e këtyre votuesve, është e dukshme në të gjithë Bashkimin Evropian.
Progresistët u kanë besuar prej kohësh të rinjve për mbrojtjen e kauzave të tyre. Vetëm 5 vjet më parë, të rinjtë evropianë votuan për partitë që mbrojnë veprimet kundër ndryshimeve klimatike, drejtësinë sociale dhe reformat demokratike. Por kjo mund të mos jetë më një strategji politike e zbatueshme.
Zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Evropian, treguan se shumë votues të rinj janë zhvendosur tek e djathta ekstreme, duke i dhënë mundësi partive euroskeptike, kundër emigrantëve dhe anti-establishment të arrijnë rezultate shumë të mira.
Dhe kjo tendencë nuk kufizohet vetëm në Evropë. Të rinjtë kenianë që muajin e kaluar protestuan kundër vendosjes së taksave të reja, sulmuan parlamentin dhe disa prej tyre u vranë nga policia. Në mbarë botën, po shfaqet një politikë e re e të rinjve.
Edhe pse nuk është gjithmonë e lidhur me të djathtën ekstreme, kjo lëvizje është shpesh kundër status quo-së, duke shërbyer si një paralajmërim i fuqishëm për politikanët mbi nevojën për të rishqyrtuar mesazhin e tyre, me synim tërheqjen e votuesve të rinj që janë të pakënaqur.
Zhvendosja djathtas e këtyre votuesve, është e dukshme në të gjithë Bashkimin Evropian.
Pas mbështetjes shumë të madhe ndaj të Gjelbërve në vitin 2019, 16 për qind e votuesve gjermanë nën 25 vjeç votuan për Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane të këtij viti, duke e pozicionuar këtë parti në vendin e dytë pas Kristian Demokratëve të qendrës së djathtë (CDU) dhe shumë përpara Social Demokratëve të kancelarit Olaf Scholz.
Në Francë, 30 për qind e votave të të rinjve shkuan në Tubimin Kombëtar të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen. Ky rezultat ishte në përputhje me balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, kur Le Pen fitoi 39 për qind të votuesve të moshës 18-24 vjeç dhe 49 për qind të atyre të moshës 25-34 vjeç.
Ndërkohë, 21 për qind e votuesve italianë të moshës 18-34 vjeç e ndihmuan partinë Vëllezërit e Italisë (Fratelli D’Italia) të kryeministres Giorgia Meloni të merrte një rezultat shumë të mirë për të vazhduar axhendën e saj. Në Spanjë, partia ultra-konservatore Vox e rriti pjesën e saj të mbështetjes së votuesve më të rinj (nën 25 vjeç) në 12.4 për qind.
Në të kundërt, Demokratët e Suedisë së ekstremit të djathtë dolën në vendin e katërt, pavarësisht se fituan mbështetjen e 10 për qind të votuesve të moshës 22-30 vjeç. Zhvendosja e Evropës në të djathtë, ka bërë që shumë politikanë të forcojnë pozicionet e tyre për çështje delikate si emigracioni.
Por mbështetja në rritje e votuesve të rinj për partitë ksenofobike, anti-BE dhe ultra-konservatore, është nxitur më pak nga ndjenjat kundër emigrantëve dhe me shumë nga një ndjenjë e fuqishme e tradhtisë nga ana e politikanëve të establishmentit.
Ndërsa brezat e vjetër, të cilët kanë bërë një jetë të sigurt nga pikëpamja ekonomike, konsumojnë një pjesë në rritje të buxheteve qeveritare përmes pensioneve të mira dhe një kujdesi shëndetësor cilësor, të rinjtë evropianë përballen me një krizë të kostos së jetesës dhe me perspektiva ekonomike më të dobëta.
Ky zhgënjim në rritje, mund t’i atribuohet pjesërisht dështimit të politikanëve të BE-së për të siguruar punë të qëndrueshme dhe të mirë-paguara për të rinjtë. Papunësia e të rinjve midis evropianëve të moshës 15-24 vjeç, arriti në 13.8 për qind në vitin 2023. Në Spanjë, kjo shkallë ishte 27.9 për qind, krahasuar me 27.7 për qind në Greqi, 20.7 për qind në Itali dhe 18.9 për qind në Suedi.
Sigurisht, ka pasur disa përparime në adresimin e këtij problemi. Papunësia e të rinjve në Francë ra nga 25 për qind në vitin 2016 në 15.7 për qind në vitin 2023. Në Itali, ajo ra nga 42.7 për qind në vitin 2014 në 22.8 për qind në vitin 2024; në Holandë, u ul nga 13.2 për qind në vitin 2013 në 8.7 për qind në vitin 2023; dhe në Gjermani, ajo ra nga 15.5 në 6 për qind midis viteve 2005-2023.
Megjithatë, mbështetja për të djathtën ekstreme është rritur në të gjithë bllokun, në mesin e provave në rritje se sado shumë që të punojnë, shumica e të rinjve do të përfundojnë duke qenë më të varfër se prindërit e tyre. Dhe ky problem shtrihet përtej tregut të punës.
Në shumë vende evropiane, të rinjtë po përjetojnë edhe një krizë të strehimit, të klasave të mbipopulluara në shkollë dhe të sistemeve të kujdesit shëndetësor në gjendje të rënduar. Përballë rritjes së qirave, tarifave të tepruara të shkollimit dhe pagave reale që nuk po rriten prej vitesh, votuesit e rinj po pyesin gjithnjë e më shumë veten se kush do të merret me zgjidhjen e problemeve të tyre.
Edhe pse fajësojnë gabimisht emigracionin, politikanët e ekstremit të djathtë e kuptojnë të paktën se ka një problem, dhe ata po e bëjnë këtë në mënyra që rezonojnë me votuesit më të rinj. Një shembull kryesor janë mediat sociale. Në vitet 1960, teoricieni i medias Marshall McLuhan e vuri theksin tek rëndësia e mënyrës se si komunikohen mesazhet, dhe jo vetëm e atyre ato që thuhen.
Ai thoshte se mjeti përmes të cilit komunikojnë njerëzit, formëson edhe ndërveprimet e tyre. Vëzhgimi i tij i famshëm se “mediumi është mesazhi”, është edhe më i rëndësishëm në epokën e platformave si TikTok, të cilat u japin shansin demagogëve të ekstremit të djathtë që të përshtatin në interesin e tyre mesazhet që japin për të rinjtë.
Ajo që nuk arrijnë të kuptojnë politikanët veteranë, që i ngatërrojnë mediat sociale me një medium transmetimi, është se ato mund të jenë një mjet i fuqishëm për nxitjen e angazhimit, lidhjes dhe formimit të identitetit. Por politikanët që i shohin mediat sociale si një grup fokusi, duke i formësuar politikat e tyre sipas tekave të votuesve dhe reagimeve të menjëhershme, janë po aq të rrezikshëm se sa ata që i injorojnë plotësisht.
Duke nxitur ankesat e përbashkëta, mediat sociale mund të ndihmojnë lëvizjet politike që të zgjerohen dhe të grumbullojnë mbështetës. Për shembull, ndërsa Scholz iu bashkua me vonesë TikTok në prill të këtij viti, e djathta ekstreme gjermane e ka përdorur platformën prej kohësh për të krijuar një narrativë të fuqishme – disa e cilësojnë edhe një univers alternativ – që flet për frikën dhe ankthet e votuesve të rinj.
Rrjedhimisht, shumë politikë-bërës të BE-së ndihen gjithnjë e më shumë të izoluar, ndërsa përpiqen ta bëjnë punën e tyre në një kohë që grupimet online mobilizohen kundër tyre. Ndërsa një brez votuesish të rinj kalon shumë nga koha e tij në platforma si YouTube, TikTok dhe Instagram – në SHBA, adoleshentët shpenzojnë mesatarisht 4.8 orë në ditë në mediat sociale – rezultati mund të jetë një koktej politik tejet toksik.
Për të rifituar mbështetjen e të rinjve të pakënaqur, udhëheqësit politikë duhet t’u ofrojnë atyre një të ardhme në të cilën mund të besojnë, si dhe të përdorin gjerësisht platformat mediatike ku të rinjtë kalojnë një pjesë të madhe të kohës.
Shënim: Ngaire Woods, dekane e Shkollës së Qeverisjes Blavatnik në Universitetin e Oksfordit./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Project Syndicate”.
Burimi