Pse kaosi dhe skandalet do të shoqërojnë edhe administratën e dytë të presidentit Trump

Pse kaosi dhe skandalet do të shoqërojnë edhe administratën e dytë të presidentit Trump

                                                                                                 

Trumpizmi ka disa parime themelore (besnikëri ndaj udhëheqësit, nacionalizëm dhe fryma jo liberale), por i mungon një vizion politik koherent.

Javën e kaluar po diskutohej se sa paranojak është Donald Trump dhe njerëzit përreth tij, deri në pikën që u bindën se problemet e administratës së tij të parë, ndodhën për shkak të një komploti të “shtetit të thellë”. Në fakt, dështimet e mandatit të parë të Trump, ishin pasojë e drejtpërdrejtë dhe e pashmangshme e mënyrës së tij së të bërit politikë dhe menaxhimit të pushtetit.
Trumpizmi ka disa parime themelore (besnikëri ndaj udhëheqësit, nacionalizëm dhe fryma jo liberale), por i mungon një vizion politik koherent. Trump mund të cilësohet fare mirë si ajo kutia boshe, të cilën njerëzit e tjerë – financierë, votues, liderë partish, “tregje”, studiues  – e mbushin herë pas here me idetë dhe projektet e tyre.
Gjatë fushatës elektorale, Trump (ashtu si udhëheqësit e tjerë populistë të krahut të djathtë) mund të thotë gjithçka dhe të kundërtën e gjithçkaje, pa paguar asnjë kosto. Madje ai shpërblehet për këtë: sepse e bën lëvizjen e tij të duket mikpritëse dhe të hapur ndaj ideve të ndryshme, në një koha kur Partia Demokratike po bëhet më e ngurtë dhe ideologjike.
Sepse armiqësia ndaj të majtës, vepron si një ngjitës midis njerëzve dhe grupeve që kanë interesa të ndryshme apo edhe të kundërta midis tyre. Por edhe sepse ata që kanë burime të mjaftueshme për të ndryshuar balancën e zgjedhjeve (si për shembull Elon Musk), përqendrohen tek ai për të tentuar më pas të imponojnë interesat dhe vizionin e tyre për botën.
Por “kutia boshe” bëhet problem kur pushteti duhet të menaxhohet, dhe kur postet në  qeveri caktohen bazuar në shkallën e besnikërisë ndaj presidentit, në vend se të ndjekin një linjë politike. Në këto kushte, mosmarrëveshjet dhe konfliktet midis rrymave që shkojnë në drejtime të kundërta, janë të pashmangshme dhe mund të krijojnë kushtet për një kaos politik.
Mbetet të presim dhe të shohim se sa prej emërimeve të Trump ditët e fundit, do të rezistojnë deri në janar, dhe sa do ta kalojnë shqyrtimin në Senat. Por pavarësisht emrave, tashmë mund ta imagjinojmë se administrata e ardhshme do të karakterizohet nga kontradikta të ngjashme me ato që nxorën nga binarët administratën e parë.
Në një analizë në VOX, Zack Beauchamp, shpjegon se ekziston një problem rrënjësor, në kuptimin që në Shtëpinë e Bardhë do të ketë njerëz që kanë ide shumë të ndryshme se çfarë është Trumpizmi dhe kush dhe çfarë duhet të përfaqësojë.
“Një fraksion, i udhëhequr nga Musk dhe drejtues të tjerë të bizneseve të mëdha, e sheh atë si një festë të madhështisë individuale dhe kapitalizmit të papenguar. Fraksioni i dytë, ku përfshihen nacionalistët ekonomikë dhe figura të çuditshme si Robert F. Kennedy Jr., mendojnë se Trump ka marrë një mandat, përmes të cilit do të përpiqet ta transformojë shoqërinë amerikane, përfshirë këtu sulmet ndaj praktikave të korporatave të mëdha që nuk i përshtaten vizionit të tyre nacionalist.
Pasojat janë ide shumë të ndryshme, se si të përkthehen sloganet e fushatës zgjedhore në propozime dhe masa politike. Në politikën e brendshme, fraksioni i parë, i cili përveç Musk përfshin edhe sipërmarrësin Vivek Ramaswamy dhe elitat tradicionale ekonomike të Partisë Republikane, e sheh sulmin ndaj “shtetit të thellë” si një luftë ndaj burokracisë qeveritare që pengon përparimin, inovacionin dhe shpirtin sipërmarrës.
Qëllimi i tyre, është që ta përhapin atë lloj shpirti liridashës në të gjithë vendin, dhe në këtë proces të çojnë përpara disa interesa biznesi. Ky fraksion, do të ushtrojë presion për shkurtime të reja të mëdha të taksave, të cilat ka të ngjarë të financohen nga çmontimi i pjesëve të qeverisë federale dhe shkurtimi i programeve të mirëqenies sociale.
Nga ana tjetër ka edhe figura si Stephen Miller, zëvendës/shef i stafit dhe këshilltar për sigurinë, të cilët nuk janë aspak mbështetës të tregjeve të lira. Ata janë pro vendosjes së tarifave të larta tregtare (të cilat do të goditnin edhe biznesin e Musk me Kinën), dhe dëbimin masiv të emigrantët e paligjshëm, dy masa që do të kishin një ndikim të tmerrshëm mbi ekonominë amerikane.
Pastaj është linja e zëvendës/presidentit J.D.Vance, e cila synon të rindërtojë Amerikën sipas diktateve të konservatorizmit të krishterë, duke përfshirë kufizimin e fuqisë së bizneseve të mëdha kur ato e kërcënojnë integritetin e shoqërisë amerikane. Apo e atyre që mendojnë se qeveria nuk duhet të shpërbëhet, por thjesht të orientohet drejt prioriteteve të tjera.
Kontradikta dhe konflikte të ngjashme, do ketë edhe në politikën e jashtme. Njerëz si Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Waltz, mendojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë çfarë kanë në dorë për të qëndruar në krye të hierarkisë globale.
Dhe kjo nënkupton përballjen me agresivitet të atyre që e sfidojnë rendin ekzistues të udhëhequr nga amerikanët, si p.sh Rusia dhe veçanërisht Kina, dhe të disiplinojnë diktaturat armiqësore si Irani, nëse duhet dhe me forcë. Më pas, duhet të rivendoset dominimi në kontinentin amerikan, duke mbështetur një politikë shumë më agresive ndaj diktaturave të krahut të majtë si Venezuela dhe Kuba.
Fraksioni tjetër, që përfshin edhe Pete Hegseth, i emëruar nga Trump si Sekretar i Mbrojtjes, dhe Tulsi Gabbard, e zgjedhur si drejtore e Inteligjencës Kombëtare (NSA), qëndrojnë në pozita më nacionaliste, ose e ashtuquajtura Amerika e Para.
“Ndërsa besojnë në fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara, ata nuk janë dhe aq të shqetësuar për mbrojtjen në mënyrë agresive të rendit gjeopolitik aktual. Nëse Rusia dëshiron të marrë nën kontroll një pjesë të Ukrainës, ky nuk është një shqetësim i vërtetë për Uashingtonin.
Në vend të saj, Shtetet e Bashkuara duhet të shqetësohen për vrasjen e armiqve të tyre, për të çuar përpara interesat e ngushta, dhe për të mbrojtur kufijtë e saj, përfshirë fillimin e një lufte në Meksikë kundër karteleve të drogës dhe trafikantëve të qenieve njerëzore”- theksoi më tej Beauchamp.
Bashkëpunëtorët e Trump, po këmbëngulin në daljet e tyre në media se administrata e ardhshme do të jetë më efikase se e para, falë një procesi të strukturuar të vendimmarrjes dhe një disiplinës më të fortë në të gjitha nivelet e Shtëpisë së Bardhë. Por a është vërtet e mundur të disiplinosh një president dhe një lëvizje që lulëzon në kaos dhe në fakt në kontradikta?
Meqë jemi tek organizimi dhe disiplina: ajo që po shohim ditët e fundit sugjeron se presidenca e dytë e Trump, mund të jetë shumë e ngjashme me të parën. Sepse në përzgjedhjen e ministrave dhe drejtorëve të agjencive qeveritare, Trump po shpërfill ato rregulla të krijuara enkas për të siguruar një tranzicion të sigurt dhe transparent të pushtetit nga një president në tjetrin.
Problemi kryesor ka të bëjë me kontrollet e personave të interesuar për t’iu bashkuar administratës. Zakonisht, përpara se të shpallin emërimet e tyre, presidentët e zgjedhur i kërkojnë FBI-së, policisë federale, të hetojnë nëse zyrtari ka ndonjë konflikt interesi, të dhëna kriminale ose elementë që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare.
Trump e anashkaloi tërësisht këtë hap, dhe ndoshta problemet me emërimet varen edhe nga kjo. Më 21 nëntor, Matt Gaetz, i cili ishte zgjedhur si Sekretar i Drejtësisë, vendosi të tërhiqej. Kandidimi i tij ishte tashmë i lëkundur për shkak të dyshimeve të shumë kolegëve republikanë, të cilët e konsiderojnë atë si ekstremist dhe të rrezikshëm, dhe u bë e paqëndrueshme kur doli një raport me akuzat për trafikim të të miturve për qëllime seksuale.
Në vend të tij, Trump emëroi Pam Bondi, ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Floridës, që ishte si avokate e tij në procesin e parë të shkarkimit (impeachment). Një problem tjetër që mund të kontribuojë në konfuzionin e Shtëpisë e Bardhë, është se ekipi i Trump nuk po bashkëpunon me Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), agjencia federale që merret me kalimin nga një administratë në tjetrën.
Për këtë arsye, bashkëpunëtorët e presidentit të zgjedhur nuk janë të autorizuar të shohin dokumente dhe materiale konfidenciale në lidhje me çështjet ushtarake, problem që mund ta bëjë më të ngadaltë dhe më problematike vendosjen e administratës së re.
Pastaj ekziston edhe një problem sigurie: në bisedat telefonike me krerët e shteteve të huaja, Trump ka mënjanuar Departamentin e Shtetit. Pra ai punon me telefona dhe kompjuterë privatë, të pasigurt. Po ashtu, Trump zgjodhi Linda McMahon për të drejtuar Departamentin e Arsimit. McMahon, 76 vjeçe, është ndër financueset kryesore të presidentit dhe në administratën e tijtë parë drejtonte agjencinë qeveritare që merret me bizneset e vogla.
Ajo është më e njohur për themelimin e World Wrestling Entertainment (WWW) me bashkëshortin e saj, organizatën kryesore profesionale të mundjes në Shtetet e Bashkuara. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump tha disa herë se donte të eliminonte Departamentin e Arsimit.
Kirurgu i zemrës Mehmet Oz u zgjodh si drejtor i Qendrave për Shërbimet Medicare dhe Medicaid, një agjenci që administron disa nga programet më të rëndësishme shëndetësore në vend. Oz ka dhënë shpesh këshilla të dyshimta mjekësore në emisionin e tij të njohur televiziv, dhe gjatë pandemisë pretendoi se hidroksilklorina mund të parandalonte koronavirusin.
Për Departamentin e Energjisë, Trump zgjodhi Chris Wright, një sipërmarrës i sektorit të naftës dhe mohues i ndryshimeve klimatike. Ndërsa si Sekretar të Thesarit (Ministër i Ekonomisë) ai ka emëruar Scott Bessent, një menaxher të fondacioneve huadhënëse, që është në favor të shkurtimeve të ndihmës sociale, reduktimit të rregulloreve dhe detyrimeve shtesë për mallrat e importuara./Përshtati “Pamfleti” nga “Internazionale”
Burimi