PS mban pezull mandatin e Olta Xhaçkës, zbardhet letra e Spiropalit për Venecian: A mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar?
Në shkresën e dërguar sot, kryeparlamentarja kërkon sqarime për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.
Kuvendi kundërshtoi mbrëmë për herë të tretë dërgimin e mandatit të Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Ashtu siç deklaroi një ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali iu drejtua Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Në shkresën e dërguar sot, kryeparlamentarja kërkon sqarime për të shmangur një tjetër përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit shqiptar, Gjykatës Kushtetuese dhe Kuvendit.
Në shkresën e saj, zonja Spiropali shprehet se Kushtetuta e detyron Kuvendin të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se paqartësia mbetet sesi duhet të veprojë Kuvendi kur ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese për çështje të së njëjtës natyrë, që janë në fuqi dhe mbajnë qëndrime antagoniste apo edhe me tepër kur vendimi detyron deputetin si duhet të votojë”. Përmes kësaj shkrese, kryeparlamentarja pyet:
A është e mundur që në këto raste të detyrohet deputeti të votojë në një mënyrë të caktuar, parë në këndvështrimin e nenit 70/1 të Kushtetutës dhe nenit 73/1 të Kushtetutës, që parashikon se deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe votën në Kuvend?
Letra e plotë:
E nderuar Znj. Claire BAZY MALAURIE,
Përfitoj nga ky rast për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin tim dhe të Kuvendit të Shqipërisë për kontributin e çmuar të Komisionit të Venecias nëpërmjet opinioneve përkatëse për çështje të rëndësishme për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve kushtetuese në Shqipëri.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë po Ju paraqes këtë kërkesë për një opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe urdhërimeve taksative të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Rastet e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit të deputetit parashikohen në pikat 2 dhe 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Shqipërisë, që shprehimisht thotë:
“1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. 2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj. 3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. 4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë.”
Vetëm rastet që parashikohen në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës sjellin si pasojë humbjen e mandatit të deputetit dhe për të cilat Kuvendi “vendos” për dërgimin për shqyrtimin në themel në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa rastet e tjera që parashikohen në pikën 2 të këtij neni trajtohen nga Kuvendi sipas legjislacionit në fuqi.
Procedura për shqyrtimin e kërkesave për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit parashikohet në pikën 4 të nenit 70 të Kushtetutës dhe në nenin 119/1 të Rregullores së Kuvendit. Rregullorja e Kuvendit është akti që normon organizimin dhe funksionimin e Kuvendit, sipas përcaktimit në nenin 75, pika 2, të Kushtetutës.
Shqyrtimi i kërkesave për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit që passjell humbje të mandatit të deputetit përmblidhet si vijon:i) Një organ i Kuvendit, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, me përbërje të barabartë nga deputetë të shumicës dhe pakicës parlamentare, shqyrton fillimisht kërkesat (mocioni) për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në një vështrim të parë (prima facie) nëse janë plotësuar kushtet që parashikohen në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës;ii) Seanca plenare e Kuvendit vendos për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese duke konsideruar raportin e Këshillit. Në rastet kur Këshilli nuk arrin dakordësi, seancës plenare i paraqiten qëndrimet e shumicës dhe pakicës parlamentare në raporte të veçanta;iii) Gjykata Kushtetuese shqyrton themelin e pretendimeve në kërkesat për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Në Kushtetutën e Shqipërisë parashikohen dy rrugë për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesave për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit:i) nëpërmjet Kuvendit, që vihet në lëvizje me kërkesë/mocion të Kryetarit ose 1/10-s së deputetëve (neni 70, pika 4, i Kushtetutës);ii) nëpërmjet grupimit të 1/5-s së deputetëve sipas nenit 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës.
Në vitin 2016 Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.7/2016, pasi bëri edhe një interpretim përfundimtar të nenit 70 të Kushtetutës, vendosi që pavarësisht parashikimit kushtetues, 1/5 e deputetëve nuk legjitimohej direkt për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe Kuvendi në çdo rast duhej ta dërgonte kërkesën/mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në Gjykatën Kushtetuese sapo t’i paraqitej. Pas këtij vendimi, Kuvendi dërgonte çdo kërkesë/mocion në Gjykatë Kushtetuese.
Me dy vendime të vitit 2016 (vendimi nr. 93/2016 dhe vendimi nr. 72/2016), marrë pas vendimit nr.7/2016, Gjykata Kushtetuese vendosi që Kuvendi nuk kishte pse të dërgonte çdo mocion në Gjykatën Kushtetuese, por vetëm ato që lidheshin me papajtueshmërinë që sjell humbjen e mandatit të deputetit (rastet që parashikohen në pikën 3 të nenit 70 të Kushtetutës – …. kur vetë deputeti me veprimet e tij shkel ndalimin kushtetues të parashikuar në këtë dispozitë, pra nëse kryen veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, ose fiton pasuri të këtyre). Rastet e tjera Kuvendi, sipas Gjykatës Kushtetuese, duhej t’i shqyrtonte vetë.
Në vitin 2016 Kushtetuta e Shqipërisë pësoi disa ndryshime, por dispozitat kushtetuese, që parashikojnë të drejtën e 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, nuk u ndryshuan (nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës).
Po në vitin 2016 u miratuan ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, nëpërmjet të cilave u shtua një parashikim i ri (neni 66), ku shprehimisht 1/5 e deputetëve ose Kuvendi përcaktohen si subjekte që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Në vitin 2019 Kuvendi miratoi ndryshime në Rregulloren e vet, ku midis të tjerave shtoi nenin 119/1 për të përputhur jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, dispozitë që parashikon se kërkesat për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit vlerësohen nga pikëpamja juridiko-formale në një vështrim të parë (prima facie) prej Kuvendit, pa i hyrë thelbit nëse janë sipas kritereve të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës (pra veç ato kërkesa/mocione që lidhen me përfitim nga deputeti drejtëpërdrejt të pasurisë publike). Kjo sepse, sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (vendimi nr. 93/2016 dhe vendimi nr.72/2016), çështjet që lidhen me kriteret e pikës 2 të nenit 70 nuk hyjnë në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese e nuk kanë pse dërgohen në atë gjykatë për shqyrtim.
Në vitin 2022 në Kuvendin e Shqipërisë u depozituan dy mocione nga grupe të ndryshme të pakicës parlamentare (mocionet që paraqiten nga 1/10 e deputetëve) për papajtueshmërinë e mandatit të një deputeteje nga radhët e shumicës parlamentare për të njëjtat fakte.
Këto kërkesa Kuvendi i shqyrtoi sipas jurisprudencës kushtetuese dhe kuadrit të ri ligjor pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.7/2016, dhe me shumicë votash vendosi mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese duke vlerësuar se nuk plotësoheshin kriteret e nenit 70, pika 3, të Kushtetutës (vlerësimi prima facie), pasi nuk rezultonte që deputeti të kishte përfituar pasuri publike ose fitime nga pasuria publike.
Grupimi i 1/5 së deputetëve, që legjitimohej t’i drejtohej direkt Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar papajtueshmërinë e mandatit të deputetes, paraqiti në këtë Gjykatë kërkesën përkatëse. 1/5 e deputetëve përfaqësonin 28 deputetë, 15 prej të cilëve kishin paraqitur në Kuvend njërin prej mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Gjykata Kushtetuese e shqyrtoi këtë kërkesë të 1/5 së deputetëve në Kolegj, në mbledhjen e Gjyqtarëve dhe në seancë plenare. Rezulton se kjo kërkesë është shqyrtuar në themel. Palët, kërkuesit dhe deputetja nëpërmjet përfaqësuesve/avokatëve të tyre kanë paraqitur pretendimet dhe kërkesat përkatëse, provat ku i mbështesnin ato, u janë përgjigjur pyetjeve të njëra-tjetrës dhe të gjykatës, është ezauruar në bazë të parimit të kontradiktoritetit debati gjyqësor, janë paraqitur kërkimet përfundimtare.
Pavarësisht ezaurimit procedural të shqyrtimit në themel, gjykata nuk ka dhënë një vendim në lidhje me themelin e çështjes, por ka disponuar me vendim për pushimin e gjykimit të çështjes me arsyetimin se Gjykata Kushtetuese nuk e merr dot çështjen në shqyrtim për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që s’ka një vendim të këtij organi Gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla.
Në të njëjtën ditë me këtë gjykim, në Gjykatën Kushtetuese u shqyrtua edhe kërkesa e 1/10 së deputetëve që kishin paraqitur në Kuvend mocionin tjetër për papajtueshmërinë e mandatit të të njëtit deputet, të cilët kundërshtonin vendimin e Kuvendit për mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e trajtuar si konflikt kompetence midis kërkuesve (1/10 e deputetëve) dhe Kuvendit.
Për këtë çështje, Gjykata Kushtetuese, duke legjitimuar për herë të parë në jurisprudencën e saj 1/10-n e deputetëve si subjekt kushtetues, vendosi zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve dhe shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit për mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Kuvendi u gjend përpara detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 132 të Kushtetutës, që shprehimisht thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për t’u zbatuar, pavarësisht se me atë vendim Gjykata Kushtetuese interpretoi gjerësisht dispozitat kushtetuese duke krijuar një kategori të re të kërkuesve, atë të grupimit të 1/10-s së deputetëve.
Në Rregulloren e Kuvendit parashikohen rregullat dhe procedurat parlamentare për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese (neni 87). Një organ i Kuvendit, Këshilli i Legjislacionit i mori në shqyrtim dhe analizoi vendimet e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese me qëllim zbatimin e tyre.
Për shkak të nevojës së qartësimit të çështjeve me synim zbatimin e këtyre vendimeve, çështje që lindnin nga vetë arsyetimi i tyre, detyrimi për të respektuar konsistencën me praktikën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, si dhe evoluimin e kuadrit kushtetues e ligjor të zbatueshëm për shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, Këshilli i Legjislacionit kreu një proces parlamentar shterues. Këshilli, ndër të tjera, gjatë shqyrtimit caktoi ekspert konstitucionalist, i cili u dha përgjigje pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e tij, përfaqësues të shumicës dhe pakicës parlamentare.
Ky i fundit, pas shqyrtimit, vendosi që çështja të bëhej pjesë e rendit të ditës të seancës më të parë. Pakica dhe shumica parlamentare, teksa nuk u pajtuan për një raport të përbashkët, i paraqitën seancës plenare raporte të veçanta. Deputetët e pakicës parlamentare në raportin përkatës i kanë kërkuar seancës plenare që të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Në raportin e saj shumica parlamentare vlerësoi që çështja t’i kalojë seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës.
Sipas shumicës parlamentare, ndërsa Gjykata Kushtetuese arsyeton se Kuvendi në çdo rast duhet të dërgojë mocionin në Gjykatën Kushtetuese, pika 4, neni 70 i Kushtetutës shprehimisht thotë që “Kuvendi vendos” të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Neni 70, pika 1 e Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit nuk është detyrues, por deputeti ka detyrim të zbatojë Kushtetutën dhe ligjin. Kushtetuta e detyron Kuvendin të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por kjo nuk imponon deputetin në përmbajtjen e votës pro apo kundër. Gjithashtu, nevojë për sqarim kishte edhe çështja në lidhje me mënyrën e veprimit të Kuvendit kur ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese që janë në fuqi (pra, secili vendim ka të njëjtën vlerë detyruese) dhe mbajnë qëndrime të ndryshme për të njëjtat natyra çështjesh, por edhe vendimi i cili tejkalon kompetencën e dispozitës kushtetuese proceduriale (1/5 e deputetëve) duke krijuar një subjekt të ri kushtetues (1/10 e deputetëve).
Sipas shumicës, vendimarrja e Kuvendit nuk lidhej vetëm me një mandat deputeti, por me standarde kushtetuese, leximin e duhur të vullnetit të kushtetutëbërësit, balancat në demokraci dhe respektimin e parimit të sigurisë juridike.
Seanca plenare e Kuvendit vendosi me shumicë votash mosmiratimin e projektvendimit për dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes në Gjykatën Kushtetuese.
Ky vendim i Kuvendit u kundërshtua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit, të cilët kërkuan zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve, duke përcaktuar mënyrën kushtetuese konkrete sesi zgjidhet ky konflikt dhe sesi ushtrohet e drejta kushtetuese e pakicës parlamentare (një të dhjetës së deputetëve) për të mos u penguar mocioni i saj nga Kuvendi.
Gjithashtu, 44 deputetët kërkuan nga Gjykata Kushtetuese edhe interpretimin përfundimtar të neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1, dhe 132, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Kuvendi gjatë shqyrtimit gjyqësor i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të merrte mendimin e Komisionit të Venecias për të sqaruar disa çështje që kërkonin një mendim të specializuar. Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë.
Në përfundim të gjykimit, nisur në bazë të kërkesës së 44 deputetëve, Gjykata Kushtetuese vendosi zgjidhjen e konfliktit/mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10-ta e deputetëve dhe konkretisht duke:● shfuqizuar vendimin e Kuvendit “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” dhe;● detyruar Kuvendin e Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes.
Në lidhje me kërkesën e 44 deputetëve për interpretimin përfundimtar të neneve 70, pikat 1 dhe 4, 73, pika 1, dhe 132, pika 1, të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese vendosi të mos e marrë parasysh, duke arsyetuar se për interpretimin e këtyre dispozitave kushtetuese Gjykata ka dhënë përgjigje në arsyetimin e vendimit dhe i është referuar jurisprudencës së saj të mëparshme, ndaj vlerësoi të mos ndalet “në analizimin e kritereve dhe themelin e çështjes” (prg. 66 i vendimit të Gjykatës).
Kuvendi kreu përsëri, pa vonesa, procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në respektim të nenit 132 të Kushtetutës. Anëtarët e shumicës dhe pakicës në Këshillin e Legjislacionit çmuan të paraqesin raporte të veçanta, ndërsa të gjithë anëtarët vlerësuan se çështja duhet të kalojë në seancën plenare më të afërt për të vendosur për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Në seancën plenare të datës 12.9.2024 propozimi për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim nuk mori shumicën e votave të kërkuar prej ligjit dhe si rrjedhojë nuk u miratua (deputetët votuan 9 kundër, 25 pro, 65 abstenim).
Në përmbledhje të sa më sipër, ndërsa Gjykata Kushtetuese e detyron Kuvendin të dërgojë mocionin në Gjykatën Kushtetuese, neni 70, pika 4, i Kushtetutës shprehimisht thotë që Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Neni 70, pika 1, i Kushtetutës parashikon se mandati i deputetit nuk është detyrues, ç’ka nënkupton të drejtën e deputetit të ndjekë bindjet e tij ose të saj. Kuvendi në ushtrim të kompetencave të tij kushtetuese dhe në cilësinë e organit që krijon norma kushtetuese, ka detyrim të zbatojë jo vetëm një vendim të saj, por të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese më parë, ndryshe nga rasti konkret, kur ka ndryshuar praktikën e saj dhe ka bërë interpretim të ri të dispozitave kushtetuese, ka qenë e qartë duke i përmendur vendimet e mëparshme, duke analizuar largimin nga praktika e deriatëhershme dhe përse ndodhi kjo. Fakti që në rastin konkret nuk e ka bërë, ato vendime janë po aq të vlefshme sa edhe ky i fundit.
Mandati jodetyrues, neni 70/1 i Kushtetutës nuk nënkupton të drejta pa kufi, sepse deputeti ka detyrim të zbatojë Kushtetutën dhe ligjin. Kushtetuta e detyron Kuvendin të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por paqartësia mbetet sesi duhet të veprojë Kuvendi kur ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese për çështje të së njëjtës natyrë, që janë në fuqi (pra, secili vendim ka të njëjtën vlerë detyruese) dhe mbajnë qëndrime antagoniste apo edhe me tepër kur vendimi detyron deputetin si duhet të votojë. A mundet në këto raste të detyrohet deputeti të votojë në një mënyrë të caktuar, parë në këndvështrimin e nenit 70/1 të Kushtetutës dhe nenit 73/1 të Kushtetutës, që parashikon se deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura dhe votën në Kuvend?
Kushtetuta e Shqipërisë ka në fakt një parashikim të posaçëm që e detyron Kuvendin (deputetët) të votojë në një mënyrë të caktuar, neni 77, pika 2, i Kushtetutës (ngritja e komisioneve hetimore). Në këtë rast, ushtrimi i kompetencës së hetimit ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe atë të kontrollit të Kuvendit dhe që ushtrohet nga vetë pakica parlamentare, e cila përcakton objektin e hetimit. Përdorimi në Kushtetutë (Neni 77, pika 2) i shprehjes “është i detyruar”, jo vetëm që e vendos Kuvendin në një pozicion disi të veçantë, duke i hequr të drejtën për të vlerësuar vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor, por, njëkohësisht, institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare, gjë të cilën nuk e gjejmë tek neni 70, pika 4.
Gjithashtu, është krijuar edhe një pasiguri tjetër juridike se përse grupi prej jo më pak se një e pesta e deputetëve nuk mundet që të vendosë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, kur rendi kushtetues e ligjor në fuqi e parashikon një të drejtë të tillë.
Referuar Kushtetutës së Shqipërisë, nenit 131, pika 1, shkronja “e”, rezulton se “1. Gjykata Kushtetuese vendos për: … e) çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve …, të deputetëve, …, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre;” Me tej, Kushtetuta në nenin 134, pika 1, shkronja “c” dhe pika 2, parashikon: “1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të: … c) jo më pak se një të pestës së deputetëve; … 2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i” të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre”.
Kushtetuta parashikon mundësinë e verifikimit të pajtueshmërisë së mandatit të deputetit edhe në dispozita të tjera, përveç nenit 70 të saj. Parashikimi i kësaj kompetence edhe në nenin 131 nuk mund të konsiderohet si një përsëritje e parashikimit të nenit 70 të Kushtetutës. Kompetenca e parashikuar nga neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës, është e pavarur nga parashikimi i nenit 70 të Kushtetutës. Për ushtrimin e kësaj kompetence, sipas nenit 131, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje nga një grupim deputetësh, nga jo më pak se një e pesta e tyre. Siç rezulton nga formulimi tërësor i nenit 134 të Kushtetutës, ky grupim nuk ka nevojë të justifikojë interesa private, por konsiderohet se mbart një interes publik.
E nderuar Presidente Claire BAZY MALAURIE,
Nisur nga sa sipër, duke qenë se është krijuar një tension në funksionimin e demokracisë përfaqësuese, vlerësoj se është e nevojshme marrja e një opinioni nga Komisioni Juaj i nderuar, duke besuar se ekspertiza Juaj do të ndihmonte Kuvendin për të respektuar e zbatuar drejt parimet dhe standardet kushtetuese. Në këtë kuptim, do të vlerësonim opinionin e Komisionit të Venecias mbi këto pyetje:
1. Bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti? Cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar (pro, kundër, abstenim)?
2. Cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?
3. Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?
4. Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse? Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?
5. A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta?
E nderuar Znj. Claire BAZY MALAURIE,
Duke qenë se çështjet për të cilat kërkojmë opinionin e Komisionit të Venecias kanë rëndësi për ekuilibrat në demokraci dhe zgjidhjen e tensionit të krijuar nga situata të pasigurisë juridike në vendin tonë, për të cilat Kuvendi do të duhet të marrë masat e përshtatshme sa më parë që të jetë e mundur, ne do ta vlerësonim së tepërmi opinionin Tuaj në një kohë sa më të shkurtër.
Duke ju siguruar për konsideratën më të lartë për Ju dhe Komisionin e Venecias, mbetemi në pritje të përgjigjes suaj.
Ju lutem, gjeni bashkëlidhur dokumentacionin përkatës në lidhje me çështjet për të cilat kërkohet opinion nga Komisioni i Venecias.
Burimi