Plagosja në Tiranë, zbardhet dëshmia e djalit të policit: Nga telefonata, te arratisja me taksi dhe si u “iku nga duart” dy kolegëve!
Në dëshminë që ka dhënë në polici, djali ka treguar gjithë dinamikën e arratisjes…
Zbardhen të tjera detaje nga krimi që ndodhi dje në Tiranë, ku një efektiv policie plagosi një 45-vjeçar, pasi kishte zbuluar lidhjen intime të tij me gruan e tij.
Erjon Goxhara i bëri pritë Lorenc Kostës, të cilit para se ta qëllonte i është drejtuar me fjalët: “Të mësosh që mos të futesh më në familjet e të tjerëve dhe as ti hash djersën e tjetrit”. Më pas ka qëlluar 6 herë ndaj tij dhe e ka filmuar me celular. Videon ja ka dërguar kunatit të tij, pra vëllait të gruas. Më pas ai është larguar, duke marrë në telefon të birin.
Në dëshminë që ka dhënë në polici, djali ka treguar gjithë dinamikën e arratisjes. Po ashtu ai tregon se si në zonën e Freskut, dy efektivë e kanë njohur Goxharën, por ai u ka shpëtuar.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”, ka thënë djali.
Referuar fjalëve që polici i ka thënë punonjësit të ERE, grupi hetimor ka dyshime që Goxhara të ketë abuzuar dhe të jetë përfshirë në afera korruptive përmes shfrytëzimit të detyrës si efektiv policie.
Edhe bashkëshortja e tij gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se bashkëshorti e akuzonte për tradhti dhe për shpërdorim të shumave të mëdha parash të cilat nuk i kishin depozituar në bankë, por i mbanin në banesë.
Burimi