Plagosja e 17-vjeçarit në Fier, Manastirliu kërkon pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë
Por, pse vallë Manastirliu nuk i pezulloi nga puna edhe drejtuesit e shkollës Fan Noli në Tiranë, ku një 14 vjeçar i mori jetën një bashkëmoshatari të tij dhe plagosi rëndë një tjetër?!
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi sot një takim me drejtuesit e shkollave në Fier për ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në një shkollë të mesme në Cakran të Fierit, ku një nxënës ka goditur me thikë një nxënës tjetër.
Bëhet e ditur se Manastirliu i ka kërkuar Drejtorisë Rajonale të Fierit pezullimin e drejtuesve të shkollës dhe oficerit të sigurisë, deri në përfundim të verifikimit për zbatimin e protokolleve të sigurisë të ndjekura dhe në përfundimin e hetimeve mbi këtë ngjarje.
Në takim është diskutuar edhe marrja e masave shtesë për kontrollet fizike në çdo shkollë, dhe angazhimin e plotë të komisioneve të sigurisë në institucionet arsimore për zbatimin efektiv të protokolleve të sigurisë.
Por pse vallë Manastirliu nuk i pezulloi nga puna edhe drejtuesit e shkollës Fan Noli në Tiranë, ku një 14 vjeçar i mori jetën një bashkëmoshatari të tij dhe plagosi rëndë një tjetër?!
Sipas policisë, plagosja në Fier ka nisur pas një debati të krijuar në rrjetin social ‘Snapchat’. Tensioni midis dy nxënësve 17-vjeçarë ka ndodhur në oborrin e shkollës, ku situata ka agravuar deri në përdorimin e një thike nga njëri prej tyre.
Autori i dyshuar është identifikuar dhe shoqëruar nga policia për marrjen e dëshmisë dhe procedurat e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, policia vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.