Plagosi 45-vjeçarin për shkak të lidhjes intime me bashkëshorten, dorëzohet efektivi Erjon Goxhara
Erjon Goxhara dhe Lorenc Kosta
Ja dinamika se si ndodhi krimi te Komuna e Parisit…
Efektivi Erjon Goxhara, i cili dy ditë më parë plagosi me armë zjarri Lorenc Kostën, i ka dhënë fund arratisë.
Pas negociatave të vazhdueshme, ai është dorëzuar te kolegët e tij. Mësohet se rreth orës 17.00 ai është paraqitur te Drejtoria e Policisë në Tiranë, bashkë me armën e shërbimit.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Ngjarja ndodhi te Komuna e Parisit. Goxhara kishte zbuluar se gruaje tij kishte një lidhje intime me një koleg të sajin në ERE, më konkretisht me 45-vjeçarin Lorenc Kosta. Çifti kishte pasur përplasje të forta javët e fundit, teksa më pas Goxhara vendosi të hakmerrej.
Para se të plagoste me 6 plumba inxhinierin e ERE, efektivi Erjon Goxhara ka zhvilluar një takim me bashkëshorten dhe nipin e tij, L.B. Mësohet se takimi mes tyre është zhvilluar në një qendër tregtare në periferi të Tiranës, mes debateve e tensioneve të shumta.
Në materialin hetimor të Policisë së Tiranës, evidentohet se takimi ka ndodhur mëngjesin e 19 gushtit, ndërsa rreth drekës efektivi ka plagosur 45-vjeçarin Lorenc Kosta.
Gjatë këtij takimi, në dosje thuhet se gruaja ka pranuar tradhtinë, por nuk ka pranuar që t’i kërkojë ndjesë efektivit Goxhara. Sipas saj, tradhtia ka ndodhur vetëm një herë. Të njëjtën ditë, Goxhara pasi përfundon këtë bisedë, zhvendoset pranë lagjes ku jetonte, dhe ka plagosur Lorenc Kostën në zonën e Komunës së Parisit.
Prokuroria referon se efektivi e ka mbajtur në vëzhgim shënjestrën e tij dhe deri në këtë fazë hetimi, ka dyshime se nuk ka patur qëllim ta vrasë. Pas plagosjes, efektivi telefonon djalin dhe takohet me të te rreth-rrotullimi i Shkozës. Të dy kanë marrë një taksi dhe kanë shkuar në drejtim të Freskut. Sipas dëshmisë së djalit, kanë zbritur nga taksia kur kanë mbërritur tek Thesari i Shtetit në Dajt dhe aty dy policivë civilë kanë parë Kostën, por ai ka arritur që të largohet në vrap duke thënë “më mirë vdes se të kalbem në grup”.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”, ka thënë djali.
Goxhara, më herët ka qenë komandant i repartit Shqiponja ndërsa së fundi punon në Drejtorinë për Kufirin dhe Migracionin në Tiranë, pozicion të cilin e humbi pasi menjëherë pas plagosjes, kryepolici Vocaj njoftoi largimin e tij nga radhët e uniformave blu. Efektivi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burimi