Plagosën 26-vjeçarin grek pas konfliktit, arrestohen dy shqiptarët e rrezikshëm në Greqi
Policia greke ka zbardhur një ngjarje kriminale të ndodhur në 5 nëntor 2023, kur në Halkidonia të Selanikut, u plagos me armë zjarri 26-vjeçari grek Dimitriou Sampri.
Dy shqiptarët Altin Ibrahimi 41 vjeç dhe Edmir Semanjaku 38 vjeç janë arrestuar si autorë të tentativës për vrasje, ku i plagosur mbeti 26-vjeçari grek.
Shkak i ngjarjes mësohet se kanë qenë mosmarrëveshjet mes Semanjakut dhe Samprit. Gjatë marrjes në pyetje Ibrahimi ka deklaruar se ka goditur me armë në tokë dhe jo drejt 26 vjeçarit ndërsa Semanjaku ka deklaruar se nuk ka lidhje me konfliktin por ndodhej në vendin e ngjarjes.
Policia sekuestroi edhe një automjet BMË në pronësi të Altin Ibrahimit, e cila shërbeu për t’u larguar nga vendngjarja.
Altin Ibrahimi rezulton me precedentë të rëndë penal. Në mars të këtij viti ai u kap në Thermi të Selanikut me 1 kg 62 gram kokainë. Gjatë arrestimit ai paraqiti një dokument të falsifikuar me identitetin Dyonisios Vlahos. Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën edhe 3 peshore, 5640 euro dhe dokumente false ndërsa në mjet iu sekuestruar 2 celularë.
Gjatë verifikimeve ai rezultoi se ishte në kërkim me urdhër arresti nga Prokuroria e Athinës për organizatë kriminale, falsifikim dhe dëshmi e rreme. Ai rezulton të jetë arratisur nga një burg në Francë në maj 2016 ku ishte arrestuar për trafik droge. Ibrahimi rezulton me precedent penal në Greqi për organizatë kriminale, falsifikim, dëshmi e rreme, zhvatje, grabitje, vjedhje të rëndë, zjarrvënie dhe armëmbajtje pa leje.
Edhe i arrestuari tjetër Edmir Semanjaku rezulton me precedent penalë në Greqi.
Burimi