Përplasi për vdekje kunatin me Jet Ski, gjykata lë në burg italianin Salvatore Di Tella

Përplasi për vdekje kunatin me Jet Ski, gjykata lë në burg italianin Salvatore Di Tella

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Burg me afat 50 ditor” për italianin Salvadore di Tella i akuzuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”. 
Gjykata e përfaqësuar nga Arta Llazari ka kërkuar grumbullimin e të gjitha provave. Afati kohor u la sepse nuk kanë ardhur ende dy akte ekspertimi, ai mjeko ligjor dhe ai teknik i Jet Ski-ve në të cilët ndodheshin viktima dhe personi tjetër.
Në sallën e gjyqit italiani Di Tella nuk ka dhënë asnjë deklaratë duke i qëndruar deklarimeve që ka bërë më përpara në polici. Në policinë vendore të Shkodrës pas ngjarjes, Di Tella ka rrëfyer me pak fjalë si ka ndodhur ngjarja.
“Jemi përplasur më përpara se Nicola të binte në det. Disa minuta më pas ka ardhur një dallgë e madhe dhe Nicola ka rënë në ujë dhe aty më pas ka humbur jetën. Është një fatkeqësi ajo që na ka ndodhur”, mësohet të ketë thënë Di Tella në polici.
Ndërkohë, avokati mbrojtës Arbër Rraja kërkoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” me garanci pasurore 5 milion lekë ose në alternativë kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” në banesën e personit që i ka ftuar në Shqipërinë për ceremoninë martesore atë dhe të fejuarën e tij por gjykata vendosi “arrest me burg” me afat deri më 16 tetor.
Avokati Rraja gjatë mbrojtjes në seancën e masës së sigurisë deklaroi se ajo që ka ndodhur është një fatkeqësi familjare. Avokati ka dorëzuar 20 fotografi të viktimës dhe autorit të dyshuar për të vërtetuar miqësinë e tyre të afërt dhe lidhjen familjare që kanë.
Ndërkohë, gjatë seancës për masën e sigurisë i pranishëm në sallën e gjyqit ishte edhe Konsulli i Italisë në Shkodër.
 
Burimi