Operacioni i SPAK dhe paralajmërimet e Dumanit, qindra njerëz të drejtësisë në panik!
Janë me qindra emra që rrezikojnë prangat. SPAK ka zbërthyer shumë komunikime dhe si aksioni sot, priten aksione në qarqe të tjera…
Prokuroria e Posaçme ka shtuar akoma dhe më shumë panikun në radhët e njerëzve me pushtet. Çdo ditë që kalon bëhet akoma dhe më e qartë se nuk ka më të paprekshëm. Dikur ata që e cilësonin veten si “zotër të ligjit”, sot nuk dinë ku të fusin kokën dhe po tentojnë të gjejnë mënyra për të dalë nga bataku ku janë zhytur.
Paraditja e sotme pati dy zhvillime të forta, të cilat i kanë trembur të gjithë, politikanë, policë, gjyqtarë, prokurorë dhe shumë të tjerë.
Fillimisht ishte Altin Dumani, kreu i SPAK, ai i cili deklaroi se do të nisë një aksion i gjerë në radhët e vetë drejtësisë. Ai tha se do të futen në skaner të ngelurit në veting, por edhe ata që e kanë kaluar, pasi ka dyshime se kanë nisur pazaret, pasi ja hodhën rivlerësimit.
“Duke marrë shkak si indicie vendimet e vettingut. Janë çështje në hetim. Jemi të kujdesshëm që persona të caktuar në SPAK bëjnë një filtrim të vendimeve të organeve të vettingut… Shqetësimi më i madh nuk janë subjektet e shkarkuara, por janë ata që kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë ta ushtrojnë funksionin. Fokusi ynë kjo pjesë e prokurorëve. Ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Kemi detyrë të ushtrojmë ndjekjen penale”, tha Dumani.
Por teksa ai fliste, SPAK kishte nisur një aksion të gjerë në Elbasan, duke goditur ata që kanë ndihmuar krimin. U dhanë 21 masa sigurie, ku mes tyre kishte dy ish-gjyqtarë, teksa u kontrolluan banesat për dy ish-prokurorë. Dyshimet janë se të gjithë kanë favorizuar bandën e Suel Çelës.
Ajo që i fundosi njerëzit e drejtësisë është ‘Sky Ecc’. Pjesa dërmuese rezulton se kanë përdorur telefona të kriputar, teksa ka raste kur vetë bandat përmendin emra gjyqtarësh dhe prokurorësh që bëjnë afera.
Sipas burimeve, janë me qindra emra që rrezikojnë prangat. SPAK ka zbërthyer shumë komunikime dhe si aksioni sot, priten aksione në qarqe të tjera. Pak javë më parë u arrestua në Vlorë prokurori Aurel Zarka. Edhe ai dilte te Sky ECC. Sot aksioni u shtri në Elbasan. Pritet që të ketë zhvillime të forta në Durrës, Tiranë, Shkodër, Fier. etj. Janë me qindra njerëz që nuk duhet të bëjnë gjumin e qetë, përfshirë dhe avokatë, policë, biznesmenë.
Sa u takon të ngelurve në veting, janë afro 400 persona që janë shkarkuar apo dorëhequr. 268 kanë vendime për shkarkim. Nga këta 146 gjyqtarë, 1 ish/ndihmës-gjyqtare në GJL; 116 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë. 105 vendime janë për ndërprerje të procesit për shkak të dorëheqjes, ku janë: 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish-prokuror; 1 ish gjyqtar, 1 ish- inspektor në KLD dhe 14 ndihmës ligjorë. Pra duket se ditë të zeza po vijnë. /Pamfleti
Burimi