Ofensiva e Ukrainës në Rusi, Biden: Është një dilemë për Putinin
Inkursioni ushtarak i Ukrainës në Rusi po krijon një dilemë të vërtetë për Vladimir Putin. Kështu u shpreh presidenti i SHBA-së Joe Biden, duke shtuar se zyrtarët në Uashington ishin në kontakt të vazhdueshëm me ata në Kiev për lëvizjen ukrainase.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas mbërritjes së tij në Neë Orleans, Biden tha se ai ishte informuar çdo 4-5 orë gjatë 6-8 ditëve të fundit për veprimin e forcave të Kievit. Kjo “po krijon një dilemë të vërtetë për Putinin”, tha presidenti amerikan në komentet e tij të para për operacionin ukrainas në rajonin e Kurskut.
Ndërkohë në rajonin Belgorod të Rusisë sot është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Kjo u njoftua nga guvernatori Vyacheslav Gladkov në Telegram.
“Situata mbetet jashtëzakonisht e vështirë dhe e tensionuar për shkak të bombardimeve të forcave të armatosura ukrainase. Shtëpitë janë shkatërruar, në mesin e civilëve ka të vdekur dhe të plagosur”, shkroi sot në mëngjes guvernatori Vyacheslav Gladkov në Telegram, duke njoftuar gjendjen e jashtëzakonshme në nivel rajonal.
Gladkov shpjegoi se masa është marrë “për të siguruar mbrojtje më të madhe të popullsisë dhe për të ofruar mbështetje të mëtejshme për viktimat”.
Autoritetet në rajonet Kursk, Voronezh dhe Bryansk raportuan se dronët nga Ukraina u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse.
Që nga 6 gushti, Ukraina ka zhvilluar një ofensivë të madhe në rajonin e Kurskut, duke pretenduar pushtimin e më shumë se 1000 kilometrave katrorë të territorit rus. Autoritetet e Moskës pranuan humbjen e 28 vendndodhjeve.
Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW), trupat e Kievit kanë avancuar 800 km katrorë të rajonit të Kurskut, ndërsa që nga 1 janari 2024, ato të Moskës kanë depërtuar 1,360 km katrorë në territorin ukrainas.
Burimi