“Një konsultë 5000 dollarë” Haxhi Kroi: Shpërblimi për mjekun francez që vizitoi Enverin në vitin ’84
Pjesa e Shtatë
Vijon nga Pjesa e Gjashtë
Mjeku francez që ka ardhur për të vizituar Enver Hoxhën në tetor të vitit 1984 është shpërblyer me 5000 dollarë.
“Zyrtarisht kishim vendosur t’i jepnim 3000, shkruan Haxhi Kroi në ditar, por më vonë, me porosi të Ramiz Alisë që telefononte nga shtëpia e shokut Enver kjo shumë u rrit”.
Në rrëfimin e njeriut që është marrë vet me këtë operacion bankar, është interesante mënyra si është proceduar për lëvrimin e valutës që ka përfituar mjeku Francës i ardhur enkas nga Parisi për të vizituar kreun e regjimit.
Sipas sekretarit personal, shuma është tërhequr prej tij me një urdhër verbal të Presidentit komunist, nga fondi i posaçëm i Bankës së Shtetit, madje pa bërë “formalitetet” proceduriale. Në shënimin e datës 23 tetor ’84, Kroi shkuan se dollarët e marrë nga banka ia ka çuar Ramizit i cili e ka adresuar te Isuf Kalo, mjeku personal i Hoxhës për tia dorëzuar mysafirit të veçantë, por aty për aty ka ndërhyrë Nexhmija dhe shumën e të hollave e ka çuar në destinacion Sulo Gradeci, njeriu i besuar i çiftit Hoxha.
Qoftë edhe për kaq sa ky fakt ka lënë gjurmë në shënimet e njeriut diskret të Hoxhës, zbulohet një aspekt tjetër i mistereve të diktaturës. Nuk ka qenë rastësi që me një telefonatë të Nexhmijes, për sekretarin personal të Hoxhës hapeshin kasafortat e thesarit të shtetit për të marrë shuma të ndryshme me valutë(!) Ca më tepër që rasti në fjalë nuk ka qenë i vetëm, por siç e dokumenton edhe Kroi në ditar, kjo marrëdhënie e çuditshme ka qenë praktikë pune, ndonëse e panjohur e një sektori të veçantë në aparatin e KQ.
Sipas tij, i ashtuquajturi “Fond i veçantë”, është përdorur jo vetëm për nevojat e Hoxhës, kryesisht për mjekim e libra të siguruara në Paris, por edhe për veprimtarinë e liderëve të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, por jo vetëm. Sidoqoftë, dëshmitë e Kroit, mbeten vetëm një dritëz që mund të ndriçojë mjegullnajën e këtyre operacioneve bankare të panjohura që inicioheshin drejtpërdrejt nga zyra më e rëndësishme e shtetit komunist. Pjesa në vijim e shënimeve të sekretarit personal të kreut të regjimit për zhvillimet e periudhës tetor-nëntor 1984, krahas dinamikës në kabinetin e këtij të fundit, bën fjalë për një reagim kritik të Hoxhës për historinë e Brigadës së Dytë, e cila, sipas tij, “gjatë Operacionit të Dimrit 1943-1944, është shpartalluar për faj të drejtuesve të saj, armiqve Beqir Balluku e Kiço Ngjela”.
Për herë të parë ish komandanti suprem i luftës Nacionalçlirimtare, e bën publik një fakt të tillë vetëm pak muaj pas dënimit të krerëve të njësisë partizane që deri atëherë trumbetohej me të madhe për “trimëri” e “heroizëm të pashoq”. Të njëjtën gjë Hoxha e bëri pak më vonë edhe me ish kreun e Brigadës së Parë Sulmuse, Mehmet Shehu, duke u kujtuar ti vërë në dukje “faje të rënda” e “gabime të shumta” gjatë Operacionit të Dimrit 44.
“Sigurimi zbulon një agjent në radhët e Byrosë Politike”
Në dhjetor të vitit 1984, vetëm pak muaj se Hoxha të ndërronte jetë, në kabinetin e tij në Komitetin Qendror, ka mbërritur një raport sekret që e informonte se një nga anëtarët e Byrosë Politike shërbente për një agjenturë të huaj.
Me të tilla dokumente konfidenciale që mbanin autorësinë e sigurimit të shtetit, kreu i regjimit kishte eleminuar pjesën më të madhe të liderëve politik dhe figurave historike të Partisë komuniste.
I fundit në radhën e tyre kishte qenë Kadri Hazbiu, ish anëtar i Byrosë Politike dhe ish ministër i Punëve të Brendshme që ishte pushkatuar një vit më parë si agjent i shërbimeve ruse e jugosllave.
Me kryqëzimin e tij, ishte mbyllur kapitulli i eleminimit të liderëve të luftës dhe niste kështu epoka e spastrimeve të liderëve të rinj të rekrutuar rishtas nga radhët e klasës punëtore.
Rasti që përmend Haxhi Kroi në ditar, i referohet të dhënave të shërbimit sekret për lidhjet e Besnik Bekteshit, anëtar i Byrosë Politike dhe zëvëndëskryeministër me një agjenturë të huaj. Këtë radhë, sipas tij, informacioni konfidencial vinte nga njëri prej oficerëve të lartë të policisë sekrete, i cili garantonte se kishte fakte që vërtetonin shërbimet e tij për interesat e agjenturës bullgare.
“Vladimir M. në letrën drejtuar shokut Enver, shkruan shefi i kabinetit të Hoxhës në shënimin e datës 13 dhjetor 1984, kishte prova të pakontestueshme të siguruara nga një qytetare bullgare bashkëpunëtore e sigurimit të shtetit qysh para Kongresit të Tetë të Partisë, por ato u neglizhuan nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme”.
Ndryshe nga radhët e tjera, ku Hoxha sa njihej me të tilla lajme urdhëronte pushkatimin, këtë herë, për çudinë e Kroit është shprehur me gjuhë evazive “Mund të jetë dhe nuk mund të jetë e vërtetë”(Vijon…)/Pamfletimjeku francez 5000 dollarë shpërblim enver hoxha haxhi kroi
Burimi