Një gjermane në Delvinë që nga viti ‘45, jetë- ferri në Shqipëri i vajzës nga Mommingeni

Një gjermane në Delvinë që nga viti ‘45, jetë- ferri në Shqipëri i vajzës nga Mommingeni

E dashuruar me të burgosurin e Mathauzit nga Shqipëria, Kariolla Vencek, që mendoi se fitoi “princin e kaltër” në mesin e viteve 40, përjetoi një dramë të tmerrshme deri sa u shua në mjerim ende pa mbushur të pesëdhjetat, diku nga mesi i viteve ‘70…

Pjesa e Parë
Në fillim mbërriti në Lekël të Tepelenës, pastaj në Gjirokastër, për t’u vendosur përfundimisht në Delvinë. Ishin vitet e para të pasluftës dhe ajo, si një qytetare e huaj, përtej peripecive të jetës në Shqipëri, duhej të përvuante edhe vendimet heretike të gjykatave për të rifituar kombësinë e humbur.
Do të këmbëngulte Karjolla Vencek te njerëzit e drejtësisë shqiptare të viteve ‘50, për t’u regjistruar në Librin Themeltar të Shqipërisë, qytetare me kombësi gjermane, siç ishte në të vërtetë, por asnjëherë nuk do të mundte të fitonte atë që kërkonte. Me dhjetëra gjyqe në kërkim të kësaj të drejte, nuk do ta lodhnin për asnjë çast, edhe pse do t’i kushtonin jo pak strese e andralla. Herë do të lumturohej me vendimet për rifitimin e kombësisë gjermane, e herë do të qante me dënesë për vendimet që vlerësonin të padrejta verdiktet e para. Po gruaja nga Mommingeni i largët, më shumë se kombësinë zyrtare, kishte humbur shumë gjëra nga vetja, nga jeta dhe identiteti i saj.
E mbërritur në jug të Shqipërisë, me një histori dashurie, në mesin e viteve ‘40, Karjolla Vencek do të jetonte në mjerim të plotë dhe do të fikej si qiriri, ende pa mbushur të pesëdhjetat, diku nga mesi i viteve ‘70. Mbrapa do të linte një grusht kocka,  në skaj të varrezave të  Delvinës dhe kujtimet e një jetëferri me dhimbje dhe drama të pafundme…
 “Princi i kaltër” dhe shtegtimi për në “Parajsën e nëmur”
Drama do të niste qysh me njohjen e “Princit të kaltër”  në kohën kur sa kishte mbushur 20 vjece. Pikërisht ai do ta fuste jetën e vajzës nga Mommingeni në një hulli të vështirë e të mistershme. Njeriu që i kishte fituar zemrën atë verë të vitit ’45, ishte njëri nga antifashistët shqiptar që kishte mundur të shpëtonte gjallë nga ferri i Mathauzenit nazist. Idesë për të qëndruar në Gjermani, shqiptari i shpëtuar rishtaz i ishte përgjigjur negativisht qysh në fillimet e njohjes së tyre. Gjithsesi, ditët e para  do të rridhnin vrullshëm dhe qytetarja gjermane do t’i besonte deri në verbëri atij që kishte dashuruar në çastet e triumfit mbi fashizmin. Ndaj dhe iu bind pa mëdyshje vendimit të tij për të jetuar në Shqipëri.
Bezat Kanani, njeri nga të mbijetuarit e tjerë të kampeve naziste, që pati rastin të udhëtonte ato ditë me çiftin e porsa dashuruar nga Gjermania për në Shqipëri, ka hedhur në kujtimet e tij mbresat nga dasma e tyre diku në një fshat të vogël në Jug të vendit. Dasma e tyre, ato ditë të vështira të pasluftës, kishte mbledhur të gjithë të mbijetuarit e kampeve shfarosëse të fashizmit. Nusja e ardhur nga larg do të humbiste në harenë e ceremonisë dhe aty nga fundi i saj do të provonte të këndonte në gjuhën e nënës. Tingujt e gjermanishtes do t’i trazonin disi dasmorët e fshatit të martirizuar vetëm një vit më parë nga nazistët, po kënga do të mbaronte shpejt e sytë e tyre do të mbeteshin të mbërthyer në pamjen engjëllore të nuses që rrinte gjithë hijeshi në krye të vendit. Gjithsesi, për mikun e çiftit të ri, ditët e lumtura do të ishin vetëm pak. Antifashisti që kishte guxuar të dashuronte gjermanen, do të përballej shumë shpejt me presionin politik për “aventurën” që kishte bërë duke lidhur kurorë me “bijën e një vendi nazist”. Kjo do t’i cenonte kontributet, emrin, teserën e Partisë, të ardhmen. Në fillim tërthorazi, e më vonë drejtpërdrejt, do t’i vinte apeli për të marrë një vendim të prerë. Mëdyshja do të vazhdonte vetëm një vit, për të vijuar me divorcin. Karjolla Vencek, pas kësaj, do të ndihej e vetmuar dhe e braktisur. Nusja e mbërritur nga Gjermania, tashmë pa kurorë, do të trokiste nëpër zyrat e shtetit për të kërkuar riatdhesimin. Po gjithkund do të gjente një lloj indiferentizmi gati mbytës. “Ne ish të burgosurit në Gjermani, mbetëm kujdestarët e vetëm për të” kujton Bezati, të paktën për bukën e gojës. Po edhe këtë shërbim, nuk mund ta bënim haptas”. Për dy vjet me radhë ajo do të bënte jetën e endacakut. E zhgënjyer, e lodhur, e rraskapitur, Karjolla Vencek, herë pas here do të binte në gjendje depresive dhe do t’i lutej  zotit në gjermanisht për fatin e saj. Me të tilla thirrje në vende publike, do të bëhej shpesh mysafire e rajoneve të policisë. Për të tanimë kishte humbur gjithçka. Një dritë  shpresë çeli për të njohja me një antifashist tjetër nga qyteti i Delvinës, të cilin, më shumë se dashuria, e kishte afruar  ndjenja e humanizmit dhe mbështetjes njerëzore. Dhe Karjolla Vencek do të lidhte kurorën e dytë me Vehap Zeko, për të kaluar në strehëzën e re buzë përroit të qytetit të vogël në Jug.
Ferri  tridhjetëvjeçar i “gjermanes delvinjote”…
Karjolla Vencek do të bëhej banore e qytetit të Delvinës pas kurorës me një nga njerëzit me ngjyrë, aty nga fundi i viteve ’40. Prania e saj, do të tërhiqte vëmendjen e qytetarëve të Delvinës, sa për bukuritë e fizikut, aq edhe për shqipen e çalë që përdorte në komunikim. Ngaqë shumëkush nuk mund ta përdorte me lehtësi emrin e saj, i binin shkurt “gjermanja e Vehapit”. Për të tjerët që vinin rishtas në qytetin e vogël, Karjolla ishte thjesht “gjermanja e Delvinës”. Më shumë se nacionaliteti i huaj, njerëzve u bënte përshtypje jeta plot mundime e gruas që kishte mbërritur nga larg dhe përpëlitej të integrohej në përditshmërinë e romëve të qytetit.
“Karjolla nuk jetoi, por u zvarrit, u zvarrit nëpër ditë e vite me lotë në sy e ngashërim në shpirt”, kujton Kajtaze Ferra, një nga bashkëqytetaret e saj që ka banuar në krahë të kasolles ku ka jetuar për tridhjetë vjet gruaja nga Mommingani i Gjermanisë. “Bëri dy djem e dy vajza dhe i rriti me të ardhurat e pakta, që i merrte i shoqi, si punonjës i komunales së qytetit”, shton ajo duke të përkujtuar faktin se Karjolla prej vitesh vuante nga një  sëmundje kronike e sistemit nervor për kurimin e së cilës duhej të harxhonte jo pak. Të tjerë qytetarë të Delvinës kujtojnë stërmundimet e saj me sëmundjet kronike të fëmijëve dhe bashkëshortit, Vehapit. Një jetë e skëterrshme do ta shoqëronte “gjermanen e Delvinës” deri në ditët e fundit të jetës. Shemo Sherko, një tjetër bashkëqytetar i saj, përtej vuajtjeve  të jashtëzakonshme, kujton karakterin e fortë dhe humanizmin e spikatur që e karakterizonte Karjollën e respektuar nga të gjithë.
“Ajo nuk e njihte mëshirën, nuk e lypte atë, por kërkonte të drejtën me dinjitet. Edhe kur rebelohej për të, dukej dinjitoze”, shton Shemo.(Vijon…)/Pamfletinjë gjermane në delvinë vajza nga mommingeni
Burimi