Në kërkim nga SPAK, arrestohet kreu i grupit të Shijakut Astrit Avdylaj
Ditën e sotme ka rënë në pranga kreu i grupit të Shijakut, Astrit Avdylaj.
Mësohet se ai është arrestuar në ambientet e shtëpisë së tij në Shijak. Avdylaj gjatë arrestimit i është sekuestruar dhe një pistoletë.
Avdylaj ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi”, ku u lëshuan 50 urdhër arreste.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhër arreste për persona të dyshuar si pjesë e 7 bandave kriminale, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë. Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet, ndodhen prej kohësh jashtë vendit.
Në listën e personave që janë në kërkim rezulton dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.
Sipas SPAK, karakteristikë e këtyre grupeve është dhuna e egër në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.
Gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhërave të arrestit, janë ushtruar kontrolle në 50 banesa, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku ishin dhe bazat e grupeve.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka sekuestruar automjete të blinduara, bizhuteri, lingota floriri dhe vlera monetare, për një total prej afro 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro janë cash.
Kush është Astrit Avdylaj?
Astrit Avdylaj, me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj.
Operacioni masiv i tetorit 2018 “Vol-Vo 4” arrestoi 22 persona. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, rezultoi se ekzistonin lidhje mes disa organizatave kriminale më në zë në vend, të cilët trafikonin kokainë dhe heroinë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, të drejtuara nga Shijaku e Maminasi, ndërsa për kanabisin ishin të angazhuara dhe organizatat e tjera kriminale. Banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë.
Në krye të tyre ishte i njohuri Astrit Avdyli ose ndryshe Astrit Balliu, që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet për këtë çështje janë nisur që në dhjetor të vitit 2016.
Rrugëtimi kriminal i Avdylajve ka nisur që në vitet 90′, ku në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit.
Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali ka marrë hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.
Edhe familjarë të tjerë, si Jasmin Avdyli apo Flamur Avdyli janë të lidhur me botën e krimit.
I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdylaj ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdylaj u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.
Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’.astrit avdylaj
Burimi