“Në Himarë s’u deklarua asnjë grek”, dokumenti panjohur me të dhënat e censusit ’45 që u paraqit në Konferencën e Paqes
Himara /
“Përveç fjalimit të Enver Hoxhës, në Konferencën e Paqes në Paris, është paraqitur dhe një dosje me të dhënat e censusit të vitit 45”. Fakti panjohur bëhet i ditur në kujtimet e Miftar Tares, ish pjestar i delegacionit shqiptar, që shpjegon sakaq dhe arsyet se kupola komuniste ishte kujdesur të vine në tavolinën e liderëve botëror gjetjet më të fundit në regjistrimin e popullsisë dhe veçmas të dhënat për minoritetet në Shqipëri…
Dihet pak për censusin e vitit 1945, që asokohe cilësohej si regjistrimi i popullsisë sipas vet deklarimit të qytetarëve, ndërkohë që pak kush e di se të dhënat e përftuara prej tij, janë paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, që u mbajt në vitin 1946. Myftar Tare, një nga ish zyrtarët e lartë të regjimit, atëherë ushtrues i detyrës së zëvendësministrit të Brendshëm, kujton se në harkun e 24 orëve të së dielës së fundit të shtatorit ‘45 është realizuar regjistrimi i parë i popullsisë pas Luftës. Një vit më vonë, statistikat me gjetjet e tij dhe nga tri regjistrimeve të mëparshme u bënë pjesë e dosjes së delegacionit shqiptar në takimin historik të liderëve botëror. Përtej këtij fakti interesant, ish-funksionari i lartë i Sigurimit, risjell të plotë kronikën e këtij aksioni të rëndësishëm dhe zbardh për herë të parë mënyrën si është proceduar me dokumentet e tij në Konferencën e Paqes në Paris. Ideja për t’i paraqitur aty, shtjellon zëvendësi i Koçi Xoxes, lidhej me kundër argumentet e përfaqësuesve shqiptarë përkundër pretendimeve të palës greke për Shqipërinë e Jugut. Po si është proceduar për censusin e 1945-s dhe çfarë produkti u përftua prej tij, sa ishte popullsia e Shqipërisë në atë periudhë dhe sa ishte numri i minoritarëve dhe të huajve…
Dosja shqiptare në Konferencën e Paqes
Ideja për të kompletuar një dosje të posaçme me të dhënat e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në vite, sipas Tares, është shfaqur menjëherë pas njoftimit zyrtar për pjesëmarrjen në Konferencën e Paqes në Paris. Për disa javë rresht, nën drejtimin e Hysni Kapos, një numër i konsiderueshëm zyrtarësh hulumtuan nëpër arkiva për të grumbulluar dokumentacionin përkatës. Deri në atë periudhë, në vendin tonë regjistrimi i popullsisë ishte kryer katër herë, në vitin 1921, 1923, 1930 dhe së fundi në vitin 1945. Me përjashtim të statistikave të vitit 1921, të cilat nuk ishin ruajtur, të gjitha të tjerat u bënë pjesë e dosjes së destinuar për Konferencën e Paqes. Veç statistikave me të dhëna konkrete, grupi i kryesuar nga Hysni Kapo, parashtronte në argument edhe arsyet për të cilat ishte realizuar regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë. Sipas dokumentit të ruajtur në arkivin e Ministrisë së Jashtme, regjistrimi i vitit 1921 dhe ai i vitit 1923 kanë të bëjnë me nevojën e hartimit të listës së zgjedhësve, ndërsa ai i vitit 1930 u realizua në përmbushje të kërkesave të shtetit shqiptar si anëtar i Lidhjes së Kombeve të Bashkuara. Tare kujton se dosjen e përgatitur me këto dokumente, e mori me vete pjesa e delegacionit shqiptar që shkoi më herët në Paris. Konferenca e Paqes e vitit 1946 është rasti i vetëm ku autoritetet shqiptare kanë vënë në dispozicion të ndërkombëtarëve dosjen me të dhënat e popullsisë sipas regjistrimit shtëpi më shtëpi. Së paku sipas Myftar Tares, ish-zëvendësministrit të Brendshëm, pjesëtar i delegacionit shqiptar në këtë Konferencë, nuk ka ndodhur herë tjetër që ky lloj dokumentacioni të bëhet publik, ca më tepër për të huajt, madje as në ditët e sotme. Sa për mbledhjen e Parisit, kujton zëvendësi i Koçi Xoxes, nuk duhej nguruar, pasi interesi i çështjes që mbronim atje ishte shumë më i rëndësishëm nga rregullat teknike për sekretin e dosjes. Duke iu kthyer situatës së ndezur nga pretendimet e Athinës zyrtare lidhur me Shqipërinë e Jugut, Tare pohon se të dhënat e censusit të 1945-s u vlerësuan e përdorën si kundër argumenti më i efektshëm përballë tyre. Fakti që statistikat tona konfirmonin një numër të kufizuar minoritarësh vetëm në zonën e Gjirokastrës, shton ai, ndërkohë që nuk rezultonte asnjë i tillë në prefekturën e Himarës apo të Korçës, ishte sfidues për zyrtarët helenë që këmbëngulnin në alibinë e tyre…
Shifrat e censusit të vitit 1945
Dokumenti i publikuar në Konferencën e Paqes në Paris, me referenca nga statistikat e censusit të vitit ‘45, saktësonte se Shqipëria në atë periudhë kishte 1 122 044 banorë, nga të cilët 1 075 467 shqiptarë autoktonë dhe 46 577 të kombësive të ndryshme. Veç minoritarëve, një pjesë e madhe e numrit të shtetasve joshqiptarë u përkiste të huajve që fundi i Luftës i zuri në Shqipëri. Ishte ky produkti i regjistrimit të popullsisë realizuar nga autoritetet zyrtare menjëherë pas çlirimit të vendit. Mbi bazën e tij u krijua për herë të parë Regjistri Themeltar i Gjendjes Civile me dokumentimin e numrit të përgjithshëm të banorëve, ndarë sipas gjinisë, moshës, besimit fetar, gjendjes civile, profesionit etj. Me të dhënat e tij u plotësuan listat e votuesve të zgjedhjeve të Asamblesë Kushtetuese, që u zhvilluan më 2 dhjetor 1945. Regjistrimi i 45-s u organizua nga Këshilli i Ministrave dhe u implementim në terren nga komitetet ekzekutive të prefekturave dhe nënprefekturave.
Minoritetet, 31 560 me kombësi greke
Në Shqipëri jetojnë 31 560 minoritarë të kombësisë greke. Përtej këtij fakti, autoritetet shqiptare sqaronin tribunin e Konferencës së Paqes se ky komunitet ishte vendosur në zonën e Gjirokastrës, Delvinës, Konispolit, Sarandës e Përmetit. Sakaq, ato konfirmonin se me regjistrimin e popullsisë të vitit ‘45 nuk rezultonte asnjë minoritar grek në nënprefekturën e Himarës e atë të Korçës. Këto të dhëna, me pak ndryshime, ishin si ato të përftuara nga regjistrimi i vitit 1930. Megjithatë, shifra e minoritarëve të vetëdeklaruar në vitin 1945 ishte disi më e ulët nga ajo e regjistrimit paraardhës. “Kjo diferencë në shifra (9286 veta), shpjegon Myftar Tare, lidhej me pasojat e shkaktuara nga Lufta, sidomos në Jugun e vendit”. Një numër i madh i minoritarëve, sipas tij, depërtoi në territorin e Greqisë dhe nuk u kthye më. Po kështu, me mbylljen e kufijve shtetërorë fill pas mbarimit të Luftës, mbetën jashtë edhe një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë që dëshironin të riatdhesoheshin. Identifikimi i minoritarëve në Shqipëri, sipas censusit të ‘45-s, është realizuar si shumatore e deklarimeve për gjuhën e aplikuar në familje, pasi pyetësori përkatës nuk përmbante pyetje mbi kombësinë. Pikërisht kjo praktikë ka ngjallur shumë debate gjatë shqyrtimit të pretendimeve të Greqisë në Konferencën e Paqes në Paris. Sidoqoftë, shifrat e relatuara aty asnjëherë nuk janë kontestuar zyrtarisht nga institucionet ndërkombëtare.
Manol Konomi, kryetar i Komisionit
Komisioni Qendror i Regjistrimit të vitit ‘45 kryesohej nga Manol Konomi, njëri nga intelektualët më në zë të kohës, që kishte studiuar për Drejtësi jashtë shtetit. Bashkë me grupin e ekspertëve pranë ish-ministrit të Drejtësisë, komisioni që menaxhoi procesin kishte në përbërje të tij një numër zyrtarësh të institucioneve qendrore. Ndërkaq, në terren operonin komisionet lokale mbi bazën e komiteteve ekzekutive dhe prefekturave. Me një procedurë speciale u veprua në zonën e minoritetit, ku për ecurinë e procesit u përzgjodhën inspektorë vendës që flisnin edhe shqip./Pamfletihomara censusi 1945 konferenca e paqes
Burimi