Në garë për finalen e madhe të Berlinit, njihuni me rrugëtimin dhe veçantitë e 4 gjysmëfinalistëve të “EURO 2024”
“EURO 2024” është tashmë drejt fundit, teksa në garë për trofeun kanë mbetur vetëm nga 4 skuadra nga 24 që ishin në fillimin e turneut.
Çiftet gjysmëfinaliste janë vendosur tashmë, ku Spanja do të përballet me Francën, ndërsa Anglia me Holandën në garën për të prerë biletën e finales së madhe, që do të luhet mbrëmjen e 14 Korrikut në Berlin.
Po si vijnë këto skuadra deri në këtë fazë të kompeticionit, cilat janë veçoritë e tyre, pikat e forta dhe të dobëta, ja një prezantim i shkurtër i tyre.
ANGLIA
Skuadra e Garet Sauthgejt ishte padyshim skuadra më shumë e kuotuar për të fituar këtë trofe, por njëkohësisht mund të thuhet se është edhe skuadra që ka zhgënjyer më shumë deri tani, sa i përket performancës së shprehur në fushën e lojës.
Dy kualifikimet e arritura duke djersitur shumë dhe duke patur aleat “fatin” si ndaj Sllovakisë dhe Zvicrës janë tregues kokëfortë se te “Tre Luanët” diçka mungon, për ta bërë atë skuadrën që mund të ngrejë lartë trofeun.
Por pavarësisht paraqitjeve nën nivel të Anglisë në Gjermani, ata janë të pamposhtur në 12 ndeshjet e fundit të Europianëve (duke mos përfshirë humbjen e tyre në finalen e 2020-ës), duke fituar tetë dhe për herë të fundit shijuan humbjen kundër Islandës më 2016.
FRANCA
Edhe skuadra e Deshamp njësoj si Anglia, ka mbërritur deri në gjysmëfinalen e “EURO 2024”, duke mos bindur në lojë.
Pavarësisht se kanë një nga sulmuesit më të mirë të botës si Kilian Mbape, Franca, dy herë kampione e Europës, ka vetëm tre gola në pesë ndeshjet e tyre deri më tani, me dy autogola dhe një penallti.
Ata kanë arritur të mos pësojnë gol në pesë ndeshjet e tyre deri më tani, por kanë 30% më pak tentime për gol sesa kundërshtarët e tyre që shkojnë në gjysmëfinale.
HOLANDA
Holanda është skuadra më simpatike që vjen në këtë gjysmëfinale, plot dëshirë për të surprizuar çdokënd që nuk e shikon të mundur që “tulipanët” të fitojnë këtë Europian.
Skuadra e Kuman u kualifikua me vështirësi në grupin e saj, si vendi i tretë, pas Austrisë dhe Francës.
Holanda pati performancën e saj më të mirë të turneut në fitoren e saj 3-0 ndaj Rumanisë në raundin e 16-tave, por duhej të vuante shumë për të fituar 2-1 me përmbysje ndaj Turqisë në çerekfinale.
Holandezët janë kualifikikuar në katërshen e fundit të Europianit për herë të parë që nga viti 2004, ndërsa nuk kanë arritur në finale që nga ngritja e trofeut në vitin 1988.
SPANJA
Spanja është skuadra që ka bindur më shumë nga të 4 skuadrat që janë pjesë e fazës gjysmëfinale. Futboll tërheqës, kontroll topi, lojë e shpejtë kryesisht nga krahët, me dyshen Uilliams dhe Jamal që janë zbulimet më të bukura të këtij Europiani, e bëjnë “La Roja-n” skuadrën pretendente për të fituar trofeun.
Spanja, me 11 gola deri më tani në këtë turne, ka numrin më të lartë të të katër skuadrave në gjysmëfinale, me 10 prej këtyre golave të ardhur nga brenda zonës.
Ata janë skuadra e vetme që kanë fituar të pesë ndeshjet e tyre deri më tani në “EURO 2024”, ndërsa kanë edhe numrin më të madh të tentativave për gol (102).
Spanja, tre herë Kampione e Europës, do të përpiqet të fitojë titullin e katërt çka do të ishte një rekord për ta.anglia spanja holanda franca “euro 2024”
Burimi