Ndarja nga jeta e të madhit Kadare, presidenti Bajram Begaj: Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë!
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.
Në një postim në rrjetet sociale, Begaj shkruan se Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkroi kreu i shtetit.
Gjithashtu edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të të madhit Kadare.
“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, thuhet në mesazhin e Nikollës.
Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha në reagimin e tij, e cilëson si të trishtë lajmin për ndarjen nga jeta të kolosit Ismail Kadare.
“Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.
Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.
Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët mikun e tyre të pazëvendësueshëm.
Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!
Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh”, shkruan Basha në Facebook.
Burimi