Ndarja nga jeta e ish-deputetit Bogdani, Noka: Më ra si bombë ky lajm, padrejtësi e madhe ikja kaq i ri
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-deputetit Gerti Bogdani.
Noka shprehet se lajmi për ndarjen nga jeta të Gerti Bogdanit, është i rëndë dhe shpreh keqardhjen më të madhe për të gjithë njerëzit e dashur që la pas.
Flamur Noka i shpreh ngushëllimet familjes për ikjen e parakohshme të mikut dhe kolegut të tij Gert Bogdanit.
“Ra bombë ky lajm i ikjes tënde o Gerti. Djalë i ri, baba, bashkëshort, intelektual e me gjithë të mirat e Zotit. Solle në #PD kulturë debati, qetësi e mirësjellje. Ndjej keqardhjen më të madhe për të shtrenjtët e tu që le pas dhe për jetën tënde të këputur në mes. Thonë që nuk ka radhë në këto punë, thonë se janë punët e Zotit, por për mua e për të gjithë që ndanë çaste jete me ty është padrejtësi e madhe ikja kaq i ri. Ngushëllimet më të ndjera familjes Bogdani! Ngushëllime familjes tënde, që do të të mbajnë në zemër përjetë bashkë me miqtë e tu të shumtë. Lamtumirë Gert Bogdani! Të gjithë do të vijmë një ditë atje. U prehsh në paqe! Dhimbja mbeti pas teje”, shkruan Noka në rrjetet sociale.