Mposhtën Austrinë dhe kaluan në çerekfinalet e “Euro 2024”, Erdogan telefonon kombëtaren turke: Po ju ndjek hap pas hapi! (Video)
Turqia arriti mbrëmë që të kualifikohej për në fazën çerekfinale të “Euro 2024”, pasi mposhti me rezultatin 1-2 Austrinë. Ajo tani do të përballet me Holandën në përpjekje për të shkruar historinë dhe për të kaluar në gjysmëfinale.
Festa ka qenë e madhe te Turqit, teksa në dhomën e zhveshjes i është bashkuar në mënyrë virtuale edhe presidenti Erdogan.
Kreu i shtetit turk ka telefonuar ekipin dhe ka shprehur gjithë mbështetjen e popullit për ta, teksa nuk ka kursyer lëvdatat. Erdogan i ka nisur urimet me trajnerin Montella duke e falenderuar fillimisht në italisht trajnerin.
“Nuk munda të vij sepse këtu ka shumë punë shtetërore. Por unë po ju ndjek hap pas hapi. Sot isha me ju. Të përqafoj me gjithë zemër”, dëgjohet të thotë Erdogan.
“Jam i sigurt për këtë, faleminderit”, ia kthen Montella.
Më pas lideri turk zgjodhi të përshëndeste yllin 19-vjeçar të Real Madrid, Arda Güler, të cilin e përgëzoi për performancën e mbrëmshme.
“Të dy këndet e golave ishin madhështore. I the Merihut të merrte topin dhe të shënonte. Merihu vërtet bëri mrekulli në të dy golat, ai mori këndin dhe shënoi. Ti puth sytë”, i tha Erdogan djaloshit të talentuar.
Më pas ai pati një komunikim edhe me talentin e Gallatasarait, Barış Alper Yılmaz, me të cilin kanë lindur në të njëjtin qytet.
“Si bashkatdhetar i imi, edhe unë prisja një gol nga ti. Do të ishte shumë më madhështore nëse do ta kishit shënuar golin”, i tha Erdogan sulmuesit, ndërsa ai iu përgjigj, duke thënë: “Shpresoj të shënoj në ndeshjen e radhës zoti President”.
Burimi