Misteri i vdekjes së legjendës së volejbollit më 3 gusht ‘91, ndodhi pasi kërkoi me insistim që të gjendeshin vrasësit e mikut të tij të ngushtë Asllan Rusit
Vrasja që tronditi Shqipërinë….! –
E tillë ishte ajo e Dashamir Fagut, njërit prej sportistëve legjendarë të volejbollit shqiptar, të viteve 1970 – ’80-të, ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit të vitit 1991…! Edhe pse tymnaja e mjegullnaja e përhapur nga vrasësit me ”duar të pastra” dhe nga Sigurim i Shtetit komunist kriminal, që edhe pse jetonte ditët e orët e tij të fundit, ishte sërish po aq sadist e vrasës, sa ç’kishte qenë, për dekada me radhë…përhapi fjalë e hodhi në tregun publik lajmin, se Dash Fagu, kish ndërruar jetë, si pasojë e një infarkti në zemër !
….Jam shokuar e tronditur sa me s’ka, kur atë mëngjes të zakonshëm të 3 gushtit të 33 viteve më parë, tek shkoja si zakonisht në punë me biçikletën time …diku tek cepi i një pallati tek blloku i parafabrikateve, në hyrjen e lagjes “Ali Demi”, kam parë shpalljen e vdekjes së Dash Fagut…!
Dashin, jo vetëm që e njihja prej vitesh dhe e respektoja mjaft, edhe si njeri i sportit, por edhe si mëhalleli e çun Tirone, e ku përshëndeteshim shpesh me njeri tjetrin, me respekt reciprok……por edhe prej faktit se, e shoqja e tij, Athina (Tina) Leno, një kampione e madhe e basketbollit të femrave të ekipit “Partizani”, të kohës së Astrit Grevës e Njazi Lleshit dhe pjesëtare e ekipit tonë Kombëtar të basketbollit të femrave, kishte qenë shoqe shkolle e imja …e, madje motra e saj dhe kunata e Dashit…Diana, për vite me radhë, ishte shoqja ime e klasës, madje edhe e bankës në 8-vjeçare…! Dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, një ndër shoqet e veçanta e të mrekullueshme të fëmijërisë sime….!
Nxitova të merrja vesh të vërtetën prej burimeve familjare së pari, e më pas edhe në rrugë të tjera e në biseda mes miqsh të përbashkët… dhe për vite me radhë, më ka munduar sa më s’ka, kjo vrasje kaq kriminale e tij…! Kjo ngjarje tepër e rëndë tragjike që tronditi Tiranën e gjithë Shqipërinë e asaj kohe….dhe këtë të vërtetë të hidhur e lakuriq, në respekt të jetës e karrierës së tij brilante, të familjes së tij shumë të nderuar e të respektuar … të Tinës e, të dy fëmijëve të saj e të Dashit…e, të gjithë atyre që e njohën apo edhe kanë dëgjuar sado pak për të…sot po e bëj publike e, po e ndaj me ju…!
Lindi në vitin 1950, në një familje tiranase në rrugicën mes shkollës Pedagogjike dhe ish-dyqanit të Diplomatëve… dhe ishte djalë i vetëm, mes 4 motrave…!
Pasioni i tij për sportin, ishte i dukshëm që në fëmijërinë e tij, ndaj si shumë të tjerë, fillimisht u inkuadrua si tironc që ishte, tek ekipet zinxhir e, tek të rinjtë e “Tironës”, por shpejt do të ndërronte mëndje e, do të shkonte tek “Partizani”, me të cilin nën drejtimin e të madhit trajner të volejbollit shqiptar, Andon Kona, pak vite më pas, do të arrijë suksese të jashtëzakonshme e, do të kishte një karrierë më shumë se brilante…!
Luan për këtë ekip, në rolin e shuterit …për gati 16 vjet, 1968-’84, ku së bashku me Ylli Tomorrin e famshëm, Ver Duravakun, Lash Macajn, Bert Borovën, etj., në rivalitet të ashpër me “Dinamon” e madhe të asaj kohe, të Vangjel Kojës e Asllan Rusit, …do t’i jepnin “Partizanit” të tyre, 3 tituj Kampionë (1973,-’76,- ’81)…si dhe 4 Kupa të Shqipërisë…(1971,- ‘74,- ’77 – , ’82)…!
Dashi ishte i fuqishëm fizikisht dhe kishte parametra të një sportisti të niveleve botërore, në të gjithë treguesit e në të gjitha drejtimet…!
Madje ai “Partizan” i tij i asokohe në edicionin europian të vitit 1973, do të shkonte deri në çerekfinalen e Kupës së Kampioneve, ku pasi eliminuan radhazi kampionen e Turqisë “IETT” dhe atë të Italisë “Ruini”, …shorti i vuri përballë Bashkimit Sovjetik…dhe këtu shuhet e përmbyset ëndërra e tyre e madhe, për të shkuar më tej…pasi Shqipëria nuk ndeshej në asnjë lloj kompeticioni e sporti aso kohe, me revizionistët sovjetikë…[???]
Ndërkohë Dash Fagun, ose thënë ndryshe “Binjakun” e Asllan Rusit…,pasi kishin ngjashmëri të jashtëzakonshme mes njëri- tjetrit, kudo e në çdo tregues,…fizik i njëjtë, të shkëlqyer e determinante në fushë për ekipet e tyre, agresive në zhytje, të mrekullueshëm si djem në jetë…etj., etj.,…”Dinamo” do ta kishte prezent si përforcim të saj të përhershëm, pothuajse në çdo ndeshje ndërkombëtare që zhvillonte, sikurse Kombëtarja e kishte Fagun një nga pikat më të fuqishme të saj në ato vite, në të gjitha takimet e shumta ndërkombëtare, që zhvilloi…!
Veç kësaj, Fagu e Rusi, ishin sa kundërshtarë në fushë, po aq edhe shokë e miq të ngushtë me njeri-tjetrin,…ndaj dhe ngjarja tragjike që i ndodhi Asllanit në vitin 1975, e tronditi shumë Dashin, por edhe sikur e mbylli në vetvete, e bëri me serioz e më të heshtur, se kurrë më parë…!
Tashmë ai kish mësuar shumë për këtë ngjarje e, dinte ndoshta diçka më tepër se të tjerët, ndaj edhe e vuante shumë keq gjithë ç’i kish ndodhur e po i ndodhte, shokut e mikut të tij të ngushtë, Asllan Rusit…dhe si të thuash,…Dashi vlonte nga brenda si një vullkan, që mezi priste të shpërthente….!
Aq sa…më 1983-in, pas vdekjes së legjendës Rusi, Dashi pak muaj më pas, do ta mbyllte edhe vetë karrierën e tij të gjatë sportive, edhe pse kish ende për të dhënë goxha, sepse ishte vetëm 31 vjeç…dhe ende shumë i fuqishëm e në një formë sportive për t’u patur zili, prej çdo kujt…!
Ngjarjet e vitit ‘91…dhe helmimi i tij…!
Ngjarjet e vrullshme politike që mbërthyen Shqipërinë atë fillim viti ’91, ku sistemi komunisto-diktatorial po merrte rrokopujën e po thyente qafën, e gjetën Dashin si pedagog fizkulture, në Shkollqn e Bashkuar Ushtarake “Skenderbej”!
Këtu ai do të dallojë veç të tjerëve, për qëndrimet e mbajtura ku hapur ishte pro popullit që kish dalë rrugëve e shesheve dhe kërkonte rrëzimin e atij sistemi kriminal…si dhe me respektin e autoritetin që gëzonte tek nxënësit e studentët e tij, kish arritur të bindte shumicën prej tyre, që të mos shkonin pas komandantëve e drejtuesëve të tyre ushtarakë e civilë, që kërkonin që gjithçka të zgjidhej me forcën e armëve e me gjakderdhje…!
Madje Dashi do të rrezikonte deri edhe jetën e tij, teksa nuk lejoi hapjen e dhunshme të depove të armëve, atje …ku turmat histerike të ushtarakëve të xhindosur, kërkonin rivendosjen e bustit të diktatorit Enver Hoxha, sërish në qendër të Tiranës…!
Natyrisht që Dash Fagut në atë kohë ….askush nuk do t’ja falte dot qëndrime e veprime të tilla, pikërisht në një shkollë ushtarake të themeluar prej diktaturës…ndaj dhe menjëherë emrin e tij, e fusin në rreth të kuq…!
Po këtë vit…disa muaj pas ngjarjeve të shkurt – marsit të dhunshëm të ’91-it…në mesin e muajit korrik, zhvillohet Asambleja e Volejbollit…!
Këtu Dash Fagu, ngrihet me guxim e kurajo të madhe dhe ashpërsisht e me forcë logjike e argumenti, i kërkon drejtuesve të federatës përkatëse, të hapin dosjen e vrasjes së Asllan Rusit e, të gjejnë vrasësit e kriminelët që çuan në vdekjen e tij…! Ndërkohë, që zotohet publikisht se, vetë do të bënte ç’kish në dorë, për të zbardhur të vërtetën lakuriq, sado e hidhur që të ishte ajo…!
Ky sinjal i fortë, ardhur nga një emër me goxha reputacion, siç ishte Dash Fagu, duket se ju ra fort sirenave të alarmit e, i trembi jo pak ata atje lart, që ishin realisht vrasësit e vërtetë të legjendës Rusi….!
Në mëngjesin e 2 gushtit 1991, pasi ka pirë një kafe me një shok të tijin në lagje …i thirrur nga dikush apo, ka shkuar vetë…Dashi ka konsumuar edhe një kafe e një pije me ngjyrë, tek Shtëpia Qendrore e Oficerëve (aty ku sot është selia e Partisë Demokratike), ku së bashku me të në tavolinë, kanë qenë një ”shok e mik” i tij, doktor, si dhe një person i tretë i pa njohur (të paktën sipas deponimeve të më pasme të doktorit)…!
Pasi ka pirë kafenë e pijen ….pas gati një gjysëm ore …nuk është ndjerë mirë,…është mbushur me djersë të ftohta dhe ka kërkuar të kthehet në shtëpi…!
Gjatë asaj dite e veçmas natën, ka pasur marrje mëndsh…dhimbje koke e stomaku, të vjella e, deri edhe hemorragji…dhe pak orë më vonë…duke gdhirë mëngjesi i 3 gushtit 1991…ai kolosi e i fuqishmi fizikisht…gjiganti Dash Fagu, që kurrë s’kish vuajtur në jetën e tij nga asnjë lloj sëmundje e, kurrë s’kish pirë qoftë një aspirinë të vetme…,kish mbyllur sytë, për të mos i hapur më kurrë,..në moshën 41 vjeçare…!
“Asnjë shenjë e simptomë zemre”… – thonë familjarët e tij të cilët, e përgënjeshtrojnë kategorikisht lajmin që u përhap tinëzisht e, për të humbur gjurmët, që të nesërmen në mëngjes pas vdekjes së tij, se gjoja Dashi vdiq, si pasojë e një arresti kardiak…!
Gabimi fatal i familjarëve të tij, ishte fakti se ata nuk pranuan që trupit t’i bëhej autopsia …duke ruajtur privatësinë e, duke respektuar traditën e zakonet e tyre familjare…! Por kjo “çoi ujë në mullirin” e atyre që e kryen këtë krim makabër…të cilët atë kërkonin….!
Humbjen e gjurmëve…e të cilët më pas, u zhdukën nga skena për të mos u parë, dëgjuar e dukur më kërkundi…dhe pasi në fund të fundit, ja arritën qëllimit të tyre kriminal, që atë, i cili i kërcënoi publikisht, se do t’i gjente edhe në vrimë të miut, vrasësit e vërtetë të ish-shokut e mikut të tij të ngushtë, Asllan Rusit…,tashmë e kishin eliminuar fizikisht…!
Askush më pas, nuk u mor me këtë histori – vrasje të pastër e tragjike…asnjë hetim, asnjë çështje e hapur,…asnjë lloj gjykimi, …asnjë akuzë…dhe jo…krejt “rastësisht” e as qoftë për punë rutine, neglizhence e punë te mbyllur …….kurrsesi JO!
Logjika më e thjeshtë të shtyn normalisht të pyesësh edhe sot e pas kaq vitesh…! “More, po cilit ishin ata persona që e ftuan për kafe……,e ftuan, e thirrën apo, shkoi vetë…ku shkuan…kush ja shërbeu kafen tek Shtëpia Qendrore e Ushtrisë…kush ishte kamerieri, banakieri…kush ishte ky personi “i panjohur”, që sipas mikut tjetër të Dashit në tavolinë…..(doktorit) …gjithashtu ishte i pa njohur…?! Po ky doktori vetë ”mik e shok” i tij, cili ishte e, ç’donte pikërisht aty në atë tavolinë, në vendin e kohën e gabuar, etj., etj.”?! Pyetje këto që kërkonin, por edhe sot kërkojnë përgjigje urgjente e, të qarta…!
Edhe pse përgjigja tashmë është e qartë si drita e Diellit… “Dash Fagun e helmoi dhe vrau ish-Sigurimi Shtetit i asaj kohe kriminale, ku edhe pse ishte në ditët e tij të fundit, kish mbetur po aq kriminal e vrasës, sa ç’kish qenë për vite me radhë…!
Dhe tek mendon që; vetëm në harkun kohor 9 vjeçar, 1982-’91, Shqipëria tronditet nga tre vrasje të mëdha sportistësh elitare, simbole, ikona e legjenda, siç ishin; Skënder Halili, Asllan Rusi e Dashamir Fagu…dhe vrasësit e tyre kurrë nuk u zbuluan publikisht, kurrë për këto vrasje makabre, nuk u akuzua e as u ndalua askush…as u gjykua kërkushi e, lëre më pastaj të dënohej dikushi…?!
Të vjen të ulërish me piskamë, në kupë të qiellit e, mes territ të frikshëm ku ende jetojnë pa ju hyrë asnjë gjemb në këmbë vrasësit e kriminelët gjakatarë të atij sistemi sadisto-komunist…! VRASËS! Memorie.al
Burimi