Mirela Karabina: Rama përdor arsimin për propagandë, adoleshentët shpërndajnë drogë në shkolla
Zëdhënësja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina tha se qeveria vijon të bëjë propagandë me arsimin dhe nuk ka bërë asnjë investim serioz për të rritur cilësinë dhe sigurinë e tij.
Karabina shprehet se Edi Rama vazhdon të luajë me ndjeshmërinë e prindërve dhe të qytetarëve në lidhje me sigurinë në shkolla.
Sipas saj, siguria në shkolla ka rënë gjatë qeverisjes së korruptuar të Ramës, pasi kanabizimi i vendit ka krijuar mundësinë dhe lehtësinë e shpërndarjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike nga adoleshentët.
“Propaganda dhe dështimet e reformave në arsim të Edi Ramës dhe qeverisë së korruptuar të tij, do t’i kushtojnë rëndë për shumë vite shoqërisë dhe zhvillimit të vendit. Edhe pse ka një përgjegjësi direkte për gjendjen e rëndë në arsim dhe viti i ri shkollor ka nisur me probleme të pazgjidhura si: 180 mijë nxënës më pak në arsimin parauniversitar dhe 295 shkolla 9-vjeçare të mbyllura që nga 2013-ta, rënie me 40% të numrit të nxënësve në zonat rurale dhe 20% në ato urbane të cilat dëshmojnë shpopullimin masiv të vendit për shkak të korrupsionit qeverisës dhe humbjes së shpresës, 222 vende të paplotësuara për mësues matematike dhe mësues të gjuhës dhe letërsisë në gjithë vendin për shkak të rënies së interesit për të vazhduar mësuesinë dhe indiferencës së qeverisë për degë prioritare që ka nevojë vendi, rreth 10 miliardë lekë nga buxheti i shtetit fillimisht dhe shtuar kosto në këto vite vonesë për shkollat e dëmtuara nga tërmeti dhe 100 milion Euro nga BE dhe ende nuk kanë përfunduar, portali i politizuar i punësimit të mësuesve ka lënë jashtë sistemit profesionistë të fushës duke i zëvendësuar me militantë, Edi Rama jo vetëm nuk ofron zgjidhje dhe nuk ka transparencë dhe llogaridhënie, por vazhdon me të njëjtin avaz, gënjeshtra e mashtrim.
Edhe në këtë fillim viti shkollor, duke anashkaluar problemet që lëngon sistemi arsimor, ashtu siç ka bërë dhe vite të tjera, Edi Rama vazhdon të luajë me ndjeshmërinë e prindërve dhe të publikut në lidhje me sigurinë në shkolla. Siguria në shkolla është tronditur shumë përgjatë qeverisë së korruptuar të Edi Ramës pasi kanabizimi i vendit ka krijuar mundësinë dhe lehtësinë e shpërndarjes dhe përdorimit të lëndëve narkotike nga adoleshentët. Dëshmitë e nxënësve, mësuesve dhe prindërve ndaj ekspozimit dhe përdorimin të lëndëve narkotike në shkolla janë tronditëse.
Dhe në vend të marrë përgjegjësinë e kësaj situate të rëndë dhe të merret me shkakun dhe zgjidhjen e tij, Edi Rama duke përdorur strukturat shtetërore flet vetëm për pasojat dhe paraqet si sukses të vetëm kapjen e disa shtetasve që shpërndajnë lëndë narkotike afër shkollave. Propaganda me vendosjen e kamerave për rritjen e sigurisë në shkolla është thjesht lajm i ditës, pasi nëse miliardat që kanë shkuar për luksin e qeverisë do të shkonin prej vitesh në investime në arsim, vendosja e kamerave dhe jo vetëm, nuk do të diskutoheshin fare sot dhe siguria në shkolla nuk do të ishte kaq e mjerueshme.
Ndaj sot nxënësit, mësuesit dhe prindërit duan arsimim cilësor, mësues të kualifikuar, infrastrukturë bashkëkohore dhe pa mëdyshje siguri në shkolla për fëmijët e tyre, si një ndër kërkesat e para në hireakinë e nevojave.
Por, Edi Rama dhe qeveria e korruptuar nuk kanë as vullnetin politik dhe as besueshmërinë që ta ndryshojnë shkollën dhe arsimin pasi prej 12 vitesh e lanë në rrjedhë të lirë. PD-Demokratët Euroatlantikë kanë një program ambicioz për arsimin përmes investimit dhe strategjive konkrete për ta futur në normalitet dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit europian të vendit.
Nxënësit, mësuesit, prindërit meritojnë shkolla të mira dhe të sigurta. Shqiptarët meritojnë më shumë, Shqipëria meriton më shumë”, shprehet Karabina.
Burimi