Masakra e Dobraçit drejt zbardhjes? Ministri Hoxha: Shumë shpejt do të nxjerrim emrat e autorëve!
Policia e Shtetit do të publikojë deklarata konkrete për sa i përket emrave të përfshirë në ngjarjet në Dobraç
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka dhënë detaje për disa ngjarje të fundit përfshirë arrestimet në Dobraç dhe emërimin e drejtuesve të rinj të komisariateve.
Sa i takon ngjarjes me 4 të vrarë në Dobraç, si dhe kontrolleve të ushtruara nga forcat RENEA në Shkodër me urdhër të SPAK, Hoxha tha se ka pasur disa shoqërime.
Më tej ai theksoi se hetimet janë drejt përfundimit dhe së shpejti do të kemi rezultate konkrete, duke paralajmëruar arrestime.
“Lidhur me krimin e organizuar dhe luftën kundër narkotikëve, kohët e fundit kemi pasur disa raste dhe ngjarje kriminale me pasoja të rënda, përfshirë humbje jete. Policia, në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe SPAK, është duke hetuar të gjitha këto raste dhe ngjarje kriminale që kanë qenë shqetësuese për opinionin publik. Besoj se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete.
Gjithashtu, janë zhvilluar kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë ato në Shkodër.
Për emrat, besoj se duhet të presim deklaratat e Policisë së Shtetit, që do t’i bëjnë të ditura shumë shpejt. Unë besoj se shumë shpejt Policia e Shtetit do të publikojë deklarata konkrete për sa i përket emrave të përfshirë në ngjarjet në Dobraç”, tha ministri Hoxha.
Gjithashtu, Hoxha foli edhe sa i takon rasteve të shtuara të dhunës mes nxënësve në shkolla. Ai deklaroi se ka urdhëruar që të merren masa shtesë, por theksoi se po pritet për miratimin e një pakete për sigurinë në shkolla, e iniciuar nga kryeministri Rama.
“Çështja për të cilën unë kam vënë një rëndësi shumë të madhe dhe thelbësore është zbatimi i paketës së sigurisë në shkolla. Sot, në qarkun Fier, kemi pasur një ngjarje e cila, për fat të mirë, nga ana e policisë është arritur të identifikohet dhe të zbardhet në një kohë të shpejtë.
Siç edhe ju e dini, kryeministri është tashmë në një konsultim publik për sa i përket çështjes dhe paketës së sigurisë në shkolla. Shumë shpejt, qeveria shqiptare do të aplikojë sistemin “Smart City”, i cili do të rrisë sigurinë në mjediset shkollore dhe ambientet përreth tyre.
Roli i policisë dhe roli i stafit pedagogjik për të pasur një ambient sa më të sigurt është shumë i rëndësishëm. Modeli që ndjekin nxënësit e shkollave është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, bashkëpunimi mes familjes, shkollës dhe edukimit që ne i ofrojmë fëmijëve tanë mbetet një çështje që na shqetëson çdo ditë”, tha ai.
Sa i takon procesit për emërimin e e drejtuesve të rinj të komisariateve, ministri i Hoxha theksoi se ka pasur 228 aplikantë, nga prej të cilëve 100 kanë fituar të drejtën për të drejtuar komisariate përkatëse.
“Për procesin e zgjedhjes te drejtuesve te komisariateve, kemi pasur 288 aplikantë. Nga këta, 288 kanë fituar të drejtën për të qenë dhe për t’u emëruar si shefa komisariati 100 prej tyre. Procesi po vazhdon dhe shumë shpejt do të kemi 48 oficerë policie të cilët do të drejtojnë komisariatet në të gjithë policinë e shtetit. Nuk është bërë një renditje që kategorizon 48 të parët; renditja është sipas rendit alfabetik dhe pikëve. Mënyra e përzgjedhjes së procesit do të jetë e ngjashme me atë të drejtorëve të qarqeve. Shumë shpejt, shefat e komisariateve do të jenë në detyrë”, përfundoi ministri Hoxha.
Burimi