Mark Rutte zyrtarizohet si shefi i ri NATO-s, reagon Kremlini
Mark Rutte dhe Vladimir Putin
Kremlini ka reaguar këtë të mërkurë pas zyrtarizmit të emërimit të Mark Rutte si shefi i ri i NATO-s. Sipas Dimitry Peskov, zëdhënësit të Presidentit rus, Vladimir Putin, emërimi i holandezit ka pak gjasa të ndryshojë qëndrimin e aleancës kundrejt rusisë.
“Kjo zgjedhje zor se mund të ndryshojë gjë në linjën e përgjithshme të NATO-s, aleancës euroatlantike, ku vendet e veçanta nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, por edhe së bashku si aleancë e Atlantikut Verior, po punojnë për ta shtypur strategjikisht Federatën Ruse”, tha Peskov në një konferencë për mediat. “Për momentin është një aleancë armike me ne”.
Emërimi i Rutte-s u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.
“Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, tha NATO-ja në një deklaratë.
Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut.
Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë.
mark rutte putin
Burimi