Mandati i Xhaçkës, Tabaku në Konferencën e Kryetarëve: Pse u kujtuat tani ta çoni në Komisionin e Venecias?
Konferenca e Kryetarëve
Ditën e sotme është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, ku temë diskutimi është bërë abstenimi i Kuvendit, për të çuar në kushtetuese mandatin e Olta Xhaçkës.
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se duhen zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, teksa theksoi se nuk duhet përdorur mburoja politike.
“Ne po diskutojmë për parimin, jo për emrin e znj. Xhaçka. Në vitin 2010, çdo progres-raport thuhej që qeveria e PD s’ka respektuar një vendim të GJK dhe tani po bëhet fjalë për 9 vendime të tjera që nuk i zbaton qeveria dhe këtu vendosim një precedent të rrezikshëm. Nuk po diskutojmë fare nëse ka pasur apo jo konflikt interesi, ne mendojmë që po, juve jo, por lëmë gjykatën të vendosë. Por nëse ne përdorim kartonin për të mbrojtur veten tonë, japim një mesazh të gabuar jashtë kësaj salle. Në Venecia ne kemi çuar reformën në drejtësi, ka shkuar një anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe janë gjykuar çështje në Venecia. Ne duhet të heqim dorë nga mbrojtja politike.
Po të isha në veten time s’do kisha dashur hiç mburojë politike, le ta vendosë Gjykata Kushtetuese. Përse nuk e keni çuar më herët në Komision të Venecias? Përse ndodh sot për herë të parë kësaj radhe dhe jo më herët? Nuk duhet cënuar standardi që është vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Nuk ndjejmë kënaqësi që flasim për këtë çështje, as të flasim kundër njërit apo tjetrit, por e kemi në parim këtë çështje. Ne duhet të flasim në parim dhe zbatojmë në parim vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Tabaku.
Për herë të dytë, deputetët e PS nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të socialistes Olta Xhaçkës për verifikim. Gjatë seancës në Kuvend, 65 ligjvënës socialistë abstenuan, 9 votuan kundër dhe 25 deputetë të opozitës votuan pro.
Vetë deputetja Xhaçka nuk mori pjesë në votim edhe pse ishte e pranishme në sallë. Ndërkohë, 9 deputetët që votuan kundër ishin Jurgis Çyrbja, Bledi Çuçi, Damian Gjiknuri, Anduel Tahiraj, Paulin Stërkaj, Petro Koçi, Klodiana Spahiu, Shkëlqzim Bullari dhe Bujar Çela. Në votim nuk mori pjesë as kryeministri Rama, i cili nuk ishte i pranishëm fare në sallë.
Socialistët shprehen se tani do të marrin një mendim nga Komsiioni i Venecias për mandatin e Xhaçkës, pasi janë të paqartë.
Burimi