Lufta e shkatërrimit Rusi-Ukrainë, shifrat në terren dhe paralajmërimet e historisë

Lufta e shkatërrimit Rusi-Ukrainë, shifrat në terren dhe paralajmërimet e historisë

 
Ofensiva e fundit e ushtrisë në Kharkiv, shënon fillimin e një periudhe tjetër ngërçi në luftën Rusi-Ukrainë. Në kushtet kur asnjëra nga palët, nuk është në gjendje të kalojë në një luftë manovruese në shkallë të gjerë, konflikti po kalon nëpër fazat e një lufte klasike shkatërruese.
Për momentin, të dyja palët duken të gatshme të vazhdojnë një konflikt të qëndrueshëm, por faktorët ekonomikë dhe politikë që ndikojnë në opinionin publik, mund të ndryshojnë situatën aktuale. Megjithatë historia na mëson se kolapsi vjen shpesh papritur.
Një luftë që askush nuk dëshiron ta bëjë, dhe askush s’mund ta ndalë
Pas Luftës së Parë Botërore, teoricienët ushtarakë, si rusi Alexander Svechin dhe gjermani Hans Delbrück, përcaktuan dy strategji kryesore për të fituar një konflikt: asgjësimin dhe shkatërrimin. Një shembull kryesor i asgjësimit, ofrohet nga fitoret e mëdha të Napoleon Bonapartit, të cilat përfshinin shkatërrimin e plotë të forcave armike në beteja apo fushata vendimtare.
Shembuj të tjerë janë disfatat e Gjermanisë naziste ndaj Polonisë dhe Francës, veprimet e ushtrisë izraelite në Luftën Gjashtë Ditore dhe pushtimi i Irakut nga SHBA-ja. Të gjithë komandantët ushtarakë i ëndërrojnë fitore të tilla, por pak i arrijnë ato.
Ndërkohë në një luftë shkatërrimi, secila palë synojë të “përgjakë” armikun, ushtarakisht, por edhe ekonomikisht dhe politikisht, derisa ai të mos ketë më kapacitetin për të dërguar armatim dhe trupa të mjaftueshme në vijat e frontit, duke e detyruar ose të braktisin qëllimet e tyre ose të mposhtet plotësisht në fushën e betejës.
Në luftërat e shkatërrimit, të dyja palët kanë zakonisht më shumë humbje sesa fitime. Por pasi përfshihen në luftë, e kanë të vështirë të shkëputen në sytë e popullit të tyre, dhe vetëm fitorja mund të justifikojë sakrificat e mëdha të deritanishme. Palët në një konflikt, zgjedhin rrallë me vetëdije një strategji të tillë.
Shpesh ato janë të detyruar të adoptojnë një qasje të tillë, pas një dështimi fillestar për të asgjësuar armikun. Lufta e Dytë Botërore, me përparimet e saj të shpejta të mjeteve të blinduara dhe shkatërrimin e segmenteve dhe fronteve të tëra, shfaqi shumë tipare të një lufte rrënuese.
Më së fundmi gjatë “periudhës së manovrimit” të luftës Rusi-Ukrainë, Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës Valeriy Zaluzhnyi lëshoi ​​urdhra për t’i “shkaktuar humbje maksimale” forcave pushtuese ruse, duke synuar t’i lodhë në fushën e betejës. Kjo strategji dha fryt, duke i detyruar rusët të “rigrupohen” dhe të bëjnë “gjeste të vullnetit të mirë”, duke u tërhequr nga disa territore të pushtuara, përfshirë rajonin e Kievit dhe Ishullin e Gjarpërinjve.
Deri në pikën e fundit të gjakut apo valën e parë të dezertimit
Mënyra më e drejtpërdrejtë për të fituar një luftë, është të vrasësh sa më shumë ushtarë armiq që është e mundur, siç ndodhi në Luftën Paraguajane të viteve 1860, kur forcat aleate argjentinase, braziliane dhe uruguaiane vranë ose plagosën deri në 90 për qind të popullsisë mashkullore të Paraguajit.
Një metodë e ngjashme, përfshin shkatërrimin e armatimeve dhe pajisjeve ushtarake të mjaftueshme të armikut për t’i bërë joefektive forcat e tyre. Kjo është në thelb është ajo që i ndodhi Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të vitit 1945, burimet njerëzore në dispozicion të Rajhut të Tretë u varfëruan aq shumë, saqë udhëheqja naziste u detyrua të rekrutonte të moshuar dhe adoleshentë në njësitë e milicisë Volkssturm.
Dikur të frikshme, divizionet e tankeve të Wehrmacht-it, nuk mund të krahasoheshin më me fuqinë e blinduar të aleatëve dhe Luftwaffe ia dorëzoi armikut kontrollin e hapësirës ajrore në të dy frontet dhe mbi vetë Gjermaninë. Ndoshta udhëheqja e sotme ruse, beson se fuqia ushtarake ukrainase do të pakësohet në një mënyrë të ngjashme me atë të Gjermanisë naziste.
Nëse Vladimir Putin u beson shifrave që citon vetë – sipas të cilave humbjet e ukrainasve në njerëz, janë 5 herë më të larta se të rusëve  – atëherë një strategji e rrënimit duket si e justifikuar.
Por vlerësimet më të besueshme mbi viktimat në radhët e ukrainasve, japin një panoramë shumë më pak të favorshme për ushtrinë ruse.
Sipas të dhënave nga burimi pro-rus LostArmour, vdekjet e konfirmuara ishin më pak se 47.000 deri në fund të majit 2024. Por edhe duke pasur parasysh censurën e vetë Kievit ndaj të dhënave të tilla, humbjet e pakthyeshme të Forcave të Armatosura të Ukrainës nuk e tejkalojnë shifrën 200.000.
Ndërkohë humbjet e rusëve – të vlerësuara nga autoritetet franceze në maj në afro 150.000 të vrarë – ka të ngjarë të jenë më të mëdha në terma absolute. Por ato janë të vogla në krahasim me potencialin mobilizues të vendit, të cilin ish-Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu e vlerësoi në 25 milionë njerëz. Pra, të dyja palët kanë fuqinë e duhur njerëzore të nevojshme për të vazhduar gati pafundësisht luftën.
Duke pasur parasysh intensitetin aktual të operacioneve luftarake, Ukraina ka burime të mjaftueshme njerëzore për gati 50 vjet të tjera. Por në praktikë, si Ukraina ashtu edhe Rusia po përballen aktualisht me sfida në rimbushjen e radhëve të tyre. Ligji i fundit i mobilizimit, i miratuar në fund të majit nga Kievi, është pritur me kritika të mëdha nga publiku.
Shqetësime të ngjashme po shfaqen edhe nga pala ruse. Praktika ruse e kthimit të ushtarëve të plagosur në detyrë, pavarësisht nga statusi i tyre i rikuperimit, ka të ngjarë të tregojë një mungesë reale të fuqisë punëtore. Nga ana tjetër është urgjente për të dyja palët çështja e dezertimit.
Në Ukrainë, që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë, janë regjistruar rreth 27.000 raste penale të dezertimit. Ndërsa nuk ka asnjë statistikë zyrtare për Rusinë, dihet se në mars këtij viti, gjykatat ruse jepnin mesatarisht 34 dënime në ditë për raste të tilla. Gjithsesi, dezertimi nuk përbën ende një problem kritik për asnjërën nga palët në luftë.
Më problem është mungesave në armatim dhe pajisje ushtarake. Pas reduktimeve të mëdha në kapacitetet ushtarako-industriale të Rusisë, Ukrainës dhe vendeve perëndimore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, të dyja palët e kanë pasur të vështirë të prodhojnë municione të mjaftueshme për të mbajtur një konflikt të një intensiteti të tillë.
Rrjedhimisht, ushtria ukrainase mbetet e varur nga furnizimet kryesisht nga vendet perëndimore. Madje as ndihma e konsiderueshme që ka marrë Kievi, s’ka qenë e mjaftueshme për të ripërtërirë plotësisht aftësitë e tij sulmuese. Nga ana tjetër, ushtria ruse po përballet me mungesën e mjeteve të blinduara dhe si të zëvendësojnë tytat e konsumuara të artilerisë. Ka një konsensus, sipas të cilit rezervat e pajisjeve të epokës sovjetike të përshtatshme për rinovim dhe modernizim, do të zgjasin deri në vitin 2026, teksa rënia e aftësive ushtarake do të ndihet që në vitin 2025.
Në këto rrethana, vazhdimi i veprimeve të mëtejshme ofensive dhe i “shkatërrimi” të njësive ushtarake të Ukrainës, mund të arrihet vetëm përmes sulmeve të këmbësorisë në shkallë të gjerë dhe praktikës së “mishit për top”.
Por gjatë Luftës së Parë Botërore, strategjia e dëmtimit të kundërshtarit nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme të këmbësorisë, rezultoi e paefektshme. Ndaj edhe strategjia ruse e shkatërrimit të armikut në fushën e betejës, duket jo premtuese dhe rrezikon të shterojë forcat e saj, duke e rritur kërcënimin e kundërsulmeve ukrainase. Kjo pikëpamje ndahet edhe nga ekspertët rusë.
Mundja e prapavijës së armikut
Kur nuk është e realizueshme rraskapitja e plotë të armikut në një të ardhme të parashikueshme, fokusi zhvendoset në dëmtimin e aftësive ekonomike të armikut. Pra aftësisë së tyre për të ri-furnizuar, armatosur dhe mbështetur trupat e tyre në vijat e frontit. Kjo përfshin shënjestrimin e infrastrukturës sociale, në një përpjekje për të dobësuar moralin e popullsisë “armike”.
Një strategji tjetër e qëndrueshme, e njohur prej shekujsh, është bllokada detare. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Marina Mbretërore Britanike zbatoi një bllokadë të suksesshme, duke ndalur importin e produkteve bujqësore në Gjermani. Ky kufizim, i shoqëruar me dështimet e të korrave, shkaktoi një uri masive në Gjermani gjatë dimrit të viteve 1916-1917.
Në pamundësi për të zbatuar një bllokadë kundër Britanisë, gjermanët u përgjigjën me një luftë të gjerë me nëndetëse në të dyja Luftërat Botërore. Kjo strategji, ndikoi ndjeshëm tek furnizimi me ushqim i popullsisë britanike gjatë kohës së luftës dhe përpjekjet për të dërguar armë nga Amerika në Britani dhe Bashkimin Sovjetik.
Gjatë luftës aktuale, flota ruse e Detit të Zi vendosi fillimisht një bllokadë detare të suksesshme ndaj Ukrainës, duke penguar eksportet e drithit nga deti. Por mbytja e kryqëzorit rus “Moskva”, çlirimi nga ukrainasit i Ishullit të Gjarpërinjve dhe kërcënimi i paraqitur ndaj anijet ruse në Detin e Zi nga dronët detarë, i kanë lejuar forcat ukrainase ta rrëzojnë këtë bllokadë.
Dhe këtë vit, eksportet e drithërave në rrugë detare u rikthyen gati në nivelet e paraluftës. Nga ana tjetër, pavarësisht bombardimeve ndaj infrastrukturës hekurudhore, përpjekjet e rusëve për të ndërprerë furnizimet me armë perëndimore rezultuan sërish të pasuksesshme. Megjithatë, nuk u vërtetua pritshmëria që sanksionet ndërkombëtare do ta dëmtonin rëndë ekonominë ruse.
Ky lloj konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, mund të zgjasë potencialisht për shumë vite, pasi të dyja palët kanë burimet ushtarake, ekonomike dhe morale për të mbështetur konfliktin. Megjithatë, historia tregon se kur vjen një pikë kthese vendimtare, ajo shpesh shfaqet papritur. Ndërsa një luftë e zgjatur midis Rusisë dhe Ukrainës është e mundur, ajo nuk është e pashmangshme./Përshtati Pamfleti nga “The Insider”
Marrë me shkurtimerusi ukrainë lufta historia
Burimi