Lacio ndal ecurinë rekord të Atalantës, bergamaskët evitojnë në fund disfatën në “Olimpico”
Atalanta ka barazuar “in extremis” 1-1 në transfertën kryeqytetase, duke e mbyllur vitin 2024 jo tamam në mënyrën e duhur. Megjithatë, ecuria e skuadrës së Gasperinit në këtë pjesë të parë të sezonit mbetet për “kornizë”. 40 pikët e grumbuluara në 18 ndeshje flasin qartë në këtë drejtim.
Natyrisht, barazimi i mbrëmjes së sotme ndaj Lacios nuk lë një shije edhe aq të hidhur, sepse i mban bergamaskët ende në krye të Serisë A, me 41 pikë, një më shumë se zikaltrit e Simone Inzagit, të cilët kanë një ndeshje më pak.
Pra, një mundësi më shumë teorike për Interin, që të ketë tri pikë hipotetike më shumë, pasi të luajë sfidën e prapambetur ndaj Fiorentinës. Në “Olimpico” goli i nigerianit Fisajo Dele-Bashiru, i realizuar në minutën e 27, vendosi pjesën e parë të këtij takimi.
Atalanta pati kohë në dispozicion për të reaguar, por përballë bardhekaltërve solidë nuk bëri dot më shumë. Sidoqoftë, përpjekjet e shumta u kurorëzuan në minutën e 88 me golin e barazimit, realizuar nga Breshanini.
Shifrat nuk ndryshuan më deri në fund dhe barazimi 1-1 mbajti Atalantën 1 pikë para Interit në kreun e Serisë A, por ndali ecurinë rekord prej 11 fitoreve radhazi të zikaltërve.
Me këtë barazim, teksa pa t’i ikte fitorja nga duart në fund, Lacio mban vendin e katërt me 35 pikë, duke mos iu ndarë pretendentëve të tjerë. Nesër mund të ndryshojë sërish kreu i Serisë A, nëse Napoli e fiton sfidën e vet të javës së 18 të kampionatit (shkon në 41 pikë, po aq sa ka Atalanta pas barazimit të sotëm). Kujtojmë se të besuarit e Antonio Konte do të presin në stadiumin e tyre Venecian, një kundërshtar i kalueshëm në letër.atalanta lacio seria a
Burimi