Këtë javë vendoset e ardhmja e Silvinjos, a ja kanë “prishur mendjen” pushimet trajnerit të kombëtares shqiptare?
Pushimet përfunduan dje dhe kjo javë është vendimtare për të ardhmen e stolit të Kombëtares shqiptare.
Ashtu siç është shprehur edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, kjo është java ku do të ulet me trajnerin Silvinjo për t’i komunikuar rinovimin e kontratës dhe kushtet e përfshira në të. Nga ana e federatës ka një simpati dhe do të kërkohet që braziliani të vijojë në drejtimin e kuqezinjve, ndërkohë pritet të shihet qendrimi i Silvinjos dhe pretendimet e tij, nëse gjithmonë do të ketë. Ai mbërriti në Tiranë për të zëvendësuar Edi Rejën në janar të vitit 2023 dhe në stafin teknik përfshiu edhe dy emra të tjerë, Pablo Zabaletën dhe Dorivën.
Fushata kualifikuese ishte perfekte, duke shënuar një rekord, ku ekipi kombëtar përfundoi për herë të parë si kokë grupi, duke lënë pas Çekinë dhe Poloninë. Ndërkohë, në Europian paraqitjet ishin deri diku pozitive, duke parë kundërshtarët që ishin përballë, si dhe eksperiencën e paktë që shumica e lojtarëve kishin, përfshirë këtu edhe stafin teknik, e sakaq, vend për t’u përmirësuar ka gjithmonë. Pritët të shihet nëse Shqipëria do të drejtohet ende nga Silvinjo, ku Liga e Kombeve vjen shumë shpejt, pasi në fillim të muajit shtator, do të luhet me Ukrainën, ndërsa në avancë janë kualifikueset e Botërorit, ku pjesëmarrja do të ishte diçka historike për vendin tonë.
Pritet të shihet se me çfarë mendje do të kthehet nga pushimet Silvinjo, a ia ka “prishur mendjen” ndonjë ofertë nga Spanja, Portugalia apo Brazili? Me kuqezinjtë këtë herë flitet për një rinovim dy vjeçar i cili mund të ketë kosto financiare, por mund të kemi sërish një “financim” nga qeveria shqiptare, e cila kaloi 700 milionë lekë të vjetër para 1 viti e gjysmë drejt FSHF-së për të mbuluar rrogën e Silvinjos.silvinjo trajneri i kombëtares shquptare
Burimi