Kasapi i Onkologjikut ja futi vrapit për t’u shpëtuar gazetarëve, reagon gjykata: Përdori derën e personelit, duhej shoqëruar me polici
Gjykata e Tiranës ka reaguar mbi ngjarjen e ditës së sotme, ku kasapi i Onkologjikut Edmond Gashi, ja futi vrapit pas seancës gjyqësore.
Ndaj tij u la masa “arrest në shtëpi” dhe ai duhej të shoqërohej me polic në banesë. Por mjeku u filmua teksa vraponte. Vetë Gjykata ka reaguar duke thënë se mjeku ka përfituar nga hapja e derës që shërben për personelin e gjykatës.
“Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim Edmond Gashi, do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit”, njofton gjykata.
Burimi