“Kadare na dha famën e krenarinë si një spirancë në Europë, na mbrojti para gjithkujt me librat”
Ismail Kadare
Agron Gjekmarkaj, zëvendës kryetar i Kuvendit të Shqipërisë ka reaguar për ndarjen nga jeta të të madhit Ismail Kadare.
“E shihnim si të pavdekshëm në fronin e Patriarkut të letrave shqipe e botërore Ismail Kadarenë. Në fakt edhe pas këtij lajmi që të lë pa frymë i tillë është. Nga sot ai hyn në jetën e pasosun, atë që se njeh më vdekjen.
Ishte emancipuesi dhe katalizuesi i kulturës e gjuhës shqipe, kujdestari i epërm i popullit të tij. Në gjithçka madhështor. Në stinën e urisë na dha ushqimin më të mirë shpirtëror, vizionet e lirisë dhe të bukurën.
Në kohën e izolimit e ndalimit, na dha famën e krenarinë si një spirancë në Europë, identitetin e së cilës shumë e desh dhe përkufizoi për shqiptaret e tij. Në kohën e lirisë na këshilloi herë me zemërim e herë më butësi po na mbrojti kurdo e kudo para gjithkujt me librat, përkthimet e pafundme, artikujt çmues, konferencat, intervistat, çmimet prestigjioze, dekoratat, që më shumë se atij i duheshin një vendi që kërkonte të ringrihej. Shkrimtari klasik i qytetërimit modern shkëlqen në çdo librari të Europes e Botes në antologjitë e tyre, si i tillë e si shqiptar. Sot të dy në një bashkohen në përjetësi. Shumë herë e hidheruam e zemeruam, por të gjithë e lexuam e mesuam prej tij të vetëdijshem se është i pangjashëm, i papërsëritshem, bir unik i talentit të tij. Kurrë kultura shqiptare nuk ka patur një të tillë humbje po kaq të madhe e ka atë familja e përbotshme e letrave. Por as një të tillë trashëgimi nga një shkrimtar i vetëm ato se kanë patur.
I dashur Ismail Kadare shqiptar e europian i fisëm, vepra jote në shtëpitë tona është shpirti, fryma e fjala e shenjtë që do na mbrojë nga marrëzitë tona, që do na mësojë ne dhe fëmijët të shkruajmë e mendojmë bukur, që do na japë motive ekzistenciale për ta dashur ketë vend, do ndriçojnë sa herë nata mund të bjerë mes nesh dhe Europës që udhen të mos humbasim, po kaq e në mos me tepër në sallonet e kulturës së vërtetë emri yt do na presë tek dera!
E kotë të themi sa na mungon që tani, e kotë të themi që nuk na trondite sa fjalët nuk e shprehin dot!”
Burimi